Aktualitet

Rama shigjeton mediat: Atij djalit i vdiq babai për fajin tuaj


               Publikuar në : 18:49 - 02/12/19 |
Al Do

Që nga dita e dytë pas tërmetit të 26 nëntorit, kryeministri Rama ka vënë në shënjestër të sulmeve të tij mediat të cilat sipas tij po përhapin panik dhe nuk po qetësojnë situatën.

Herë me statuse në rrjete sociale dhe herë me deklarata para qytetarëve të prekur nga tërmeti, Rama ka bërë thirrje se do të marrë hapa ekstrem ndaj mediave.

Mos na detyroni të bëjmë atë që s’ua rrok imagjinata”, shkruante ai sot në Twitter, ndërsa gjatë një takimi me qytetarët i tha atyre “Mos shihni televizor se ju fut djallin në bark”.

Pas takimit në Durrës me ndërtuesit, Rama iu drejtua gazetarëve me fjalët: “Së pari kujdes me raportimet…për fajin tuaj atij djalit i vdiq babait. Se ju keni thënë po bie spitali i Durrësit”.

Pak orë më parë gjatë një takimi në Durrës një qytetar iu afrua Kryeministrit dhe me lot në sy i tha atij se kishte humbur babain gjatë kësaj tragjedie “për faj të mediave”. Ai tha se e kishte dërguar babain për tu kuruar nga në spitalin e Durrësit pasi kishte problem shëndetësore por raportimet në media se po shembet spitali e kishin bërë atë ta transportonte në Berat.

“Ikëm nga frika se na thanë se do shembet spitali”, iu ankua banori Ramës teksa ky i quajti mediat “kriminale”.

Ende nuk është verifikuar rasti i qytetarit që ka bërë këtë denoncim, por gjatë valës së tërmeteve një pjesë e spitalit të Durrësit, konkretisht Reparti i Urgjencës pati dëmtime të cilat nisën të riparoheshin që të nesërmen dhe kjo bëri që shërbimet të zhvendoseshin në një pjesë tjetër të godinës. Momentet e rënies së tërmetit dhe daljes së njerëzve nga urgjenca janë transmetuar live. /Opinion.al

Pas