Kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin se do të hapin qendrën e parë turistike të skive në Shqipëri.
Përmes një video në rrjete sociale, Rama tha se kjo qendër do të realizohet në Korçë dhe do ta fusë këtë qytet në hartën europiane të turizmit të skive.
Sipas tij, Korça ka ndryshuar nga vitet paraardhëse pasi mirëpret çdo fundjavë qindra turistë që akomodohen në bujtinat e zhvilluara të qytetit.
“Korça bre Korça, këtë dimër si asnjë dimër 160 e kusur bujtina njëra më e bukur se tjetra, plot e përplot çdo fundjavë, rreth gjysmë milionë vizitorë e turistë që kalojnë të paktën një natë në Parisin e vogël gjatë vitit. Një dekadë më parë mezi i kalonin 50 mijë ne vit dhe nuk kishte këmbë të huaji. Ndërkohë që bujtinat numëroheshin me gishta dhe mezi mbanin veten.
Tani i ka ardhur radha qendrës së parë turistike të skive në Shqipëri, një projekt që do ta fusë Korçën në hartën europiane të turizmit të skive dhe do të ndezë një motor të ri me shumë kuaj fuqi në ekonominë e të gjithë këtij qarku ku lidhjet e rilindura rrugore me Kolonjën e Përmetin kanë sjellë një vlerë të shtuar në paketën e bukur turistike të kësaj zone. Mirë e më mirë dhe më e mira është e gjitha përpara për Korçën e të gjithë Shqipërinë”, tha Rama.