Kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë përmes një postimi në rrjetet sociale ka publikuar rastin e Xhorxhina Metushit, infermieres së spitalit Spitalit Covid 1, e cila vijon të përballet me pandeminë teksa pret të sjellë në jetë fëmijën e saj.
Rama shkruan se nuk janë të gjithë njësoj por sipas tij një dorë abuzuesish e batakçinjsh mes bluzave të bardha, nuk e zhbëjnë dot moralin njerëzor e dinjitetin profesional të shumicës dërrmuese, duke nënkuptuar rastin “Tire”.
“Në armatën e bluzave të bardha, që bëjnë dallimin e madh në këtë kohë lufte për shëndetin, është edhe një brez i ri profesionistësh si Xhorxhina Metushi.
Prej ditës së parë të përballjes me Armikun e Padukshëm, infermierja e palodhur e Spitalit Covid 1, vijon të qëndrojë në vijën e parë të zjarrit, teksa pret të sjellë në jetë fëmijën e saj, duke marrë në sy rrezikun për të shpëtuar njerëz në rrezik për jetën!
Krenar për bluzat e bardha që në ditët më të mundimshme të vendit, dëshmojnë me forcën e shembullit të tyre, se jo vetëm nuk janë të gjithë njësoj po edhe se një dorë abuzuesish e batakçinjsh mes bluzave të bardha, nuk e zhbëjnë dot moralin njerëzor e dinjitetin profesional të shumicës dërrmuese të tyre”, shkruan Rama./Opinion.al