Nga Vau i Dejës ku prezantoi kandidatin e PSD-së i mbështetur dhe nga deputeti Tom Doshi, kryeministri Edi Rama sërish ka theksuar se në 30 qershor do të ketë zgjedhje dhe askush nuk do t’i ndalojë.
Për Ramën populli nuk është kundër tij, por janë vetëm 4 veta që bëjnë gjithë rrëmujën.
“Janë 4 veta, nuk ka lidhje fare as Zef Hila. Janë 4 veta, Sali Berisha Ilir Meta, Lulzim basha dhe fallxhorja. 4 veta që kanë marrë përsipër që të ringjallin Haxhi Qamilin. Këta të 4 kanë një hall shumë të madh, hallin e kanë me drejtësinë. Kanë qenë që në sekondën e parë kundërshtarë të reformës në drejtësi. Këta nuk duan atë drejtësi që do pastrojë Shqipërinë, nga krimi dhe korrupsioni”, tha Rama.
Mbështetësit e opozitës kryeministri i cilësoi si talebanë.
“Fatkeqësisht sot që flasim, kjo gjë ndodh në dy vende të globit, në Shqipëri me PD dhe në Afganistan me talebanët. Talebanët aktualisht janë të angazhuar në një ofensivë kundër zgjedhjeve, kërcënojnë popullin afgan që të mos guxojë të shkojë në zgjedhje. Sulmojnë lart e poshtë për të mbjellë frikë dhe duan të imponojnë ligjin e xhunglës. Kjo ndodh njëkohësisht në Shqipëri”./ Opinion.al