Kreu i Bashkisë së Pogradecit, Eduard Kapri gjatë fjalës së tij ka numëruar një listë të gjatë me problemet me të cilat përballet bashkia. Por, Rama e ka ndërprerë në mes duke i kujtuar se nuk është mbledhje për “vajtimet e bashkive”
“Kjo nuk është mbledhje për vajtimet e bashkive, jemi mbledhur për ujin dhe reformën e ujit, na thuaj sa ke ndërmend të flasësh, na jep orar që disa të shkojnë të hanë bukë e të kthehen kur të mbarosh ti” tha Rama. Kapri ka vijuar më tej, duke theksuar “pikërisht te reforma doja të ndalesha, duhet të vihemi në dijeni se burimi që ndodhet në territorin tonë i jepet bashkisë tjetër, e mira është të konsultohemi që të vihemi në dijeni për mundësitë reale”.
Në përgjigje, Rama nuk e ka lënë pa thumbuar Kaprin.
“Organikat e bashkive janë më të fryra në rajon, keni drejtori që mund ti shkurtoni, keni drejtori strategjish e muhabetesh që janë pa asnjë përmbajtje, shkurtoni ato shtoni të tjera, mos krijoni buxhetin për të marrë në punë kushërinjtë dhe militantët e zemrës, nëse e bëni e nëse këshilli ua miraton, është gjë që e bëni ju, por kjo nuk është arsye që të ankoheni pse s’u jep qeveria njerëz dhe fonde për të paguar njerëzit” tha Rama.