Kryeministri Edi Rama ka falenderuar kombëtaren shqiptare të futbollit dhe tifozët kuq e zi, pavarësisht eliminimit nga EURO2024.
Përmes një postimi në rrjete sociale ai thekson se Shqipëria largohet me kokën lart.
Sipas tij, Shqipëria ka një ekip me moshë të re të cilët kanë potencial për të qenë premtues në të ardhmen.
“FALEMINDERIT
Nga goli më i shpejtë i Europianëve deri në sekondën e fundit të këtij Europiani, Kombëtarja Kuqezi e kreu misionin e saj të pamundur duke luajtur futbollin më të mirë ndonjëherë në historinë e saj dhe me mbështetjen fantastike të dallgës kuqezi të Lojtarit të 12-të.
Sot skuadra jonë e re dhe me një potencial shumë premtues largohet nga ky Europian me kokën lart, për t’u rikthyer në fushë më tej me një eksperiencë shumë të vyer, e cila i mungonte krejtësisht përballë tre nga fuqive më të mëdha të futbollit që u përballën me një Shqipëri të vogël, por me dinjitet të pamohueshëm nga askush”, shkruan Rama.