Kryeministri Edi Rama ka thënë për gazetën zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” se është i hapur për një ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë.
“Është një gjë e natyrshme”, thotë kryeministri duke nënvizuar faktin se Shqipëria nuk është përfshirë në negociatat mes dy vendeve. Sipas tij, edhe kufijtë e Kosovës me Malin e Zi dhe Maqedoninë janë ripërcaktuar në vitet e fundit. “Se si duhet të jetë marrëveshja, këtë duhet ta vendosin Kosova dhe Serbia”, është shprehur ai.
Në shkrimin e tij, gazetari Andreas Reich thotë se mundësia për shkëmbimin apo korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, është tema e ditës në Ballkan.
“Për momentin nuk ka asnjë ditë në Ballkanin Perëndimor ku politikanët të mos komentojnë një shkëmbim të mundshëm territorial mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Reich./Opinion.al