Një postim të gjatë në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama është ndalur në tre çështje që i konsideron të rëndësishme për vendin, drejtësia, zhvillimet ndërkombëtare ku Shqipëria kë një rol të rëndësishëm dhe takimin mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel.
Rama thotë se për vendin tonë është një moment historik, pasi javën e ardhshme Shqipëria do të drejtojë Këshillin e Sigurimit, teksa “e gjithë bota mblidhet në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në Neë York.”
I ndalur te drejtësia, Rama merr shembull si arritje shpalljen në kërkim nda drejtësia të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Kreu i qeverisë thotë se sistemi i drejtësisë është i pavarur dhe se ai në asnjë mënyrë nuk do të ndikojë për asnjë çështje.
TRE KONSIDERATA NË NJË DITË
1.Javën e ardhshme Shqipëria do të drejtojë Këshillin e Sigurimit, bash në momentin kur e gjithë bota mblidhet në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në Neë York. Ky është një moment historik në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, i cili thotë shmë për ngjitjen e shtetit tonë në një nivel të ri. Ka shumë arsye për të qenë krenarë me Shqipërinë sot, po shumica e tyre janë shumë më tepër motive për të kuptuar se sa shumë mund të bëjë ende Shqipëria dhe për të ecur vendosmërisht drejt majës së re ku duhet me se s’bën të ngjitemi si vend e si popull, e në asnjë mënyrë shkaqe për vetëkënaqësi. Por njëri ndër motivet që duhet të na bëjë krenarë e të na frymëzojë në mendimin e veprimin tonë kombëtar dhe politik të kohëve të sotme, është fakti se megjithëse në Ballkanin Perëndimor shqiptarët janë të shtrirë në disa shtete, në shifra të konsiderueshme duhet thënë, Shqipëria është shembull i veçantë i mos abuzimit me komunitetet etnike të saj të pranishme në vende të tjera. Ne kurrë nuk nxisim trazime etnike as në shtetet fqinje, as mes shteteve fqinje, duke prekur ndjenja që mund të ushqejnë kundërshti e të ndezin konflikte në këtë lagje të Europës, ku jemi të gjithë të dënuar të jetojmë së bashku në jetë të jetëve dhe të detyruar të bëjmë çmosin që t’u lemë fëmijëve tanë një hapësirë mirëkuptimi, tolerance, paqeje.
Për ne në Tiranë, komunitetet etnike të shpërndara në të gjithë Ballkanin Perëndimor janë një urë miqësie dhe bashkëpunimi, ashtu sikundër shqiptarët e vendosur në shumë shtete janë bartësit e një ardhmërie në paqe me të gjithë, jo fitila për t’u ndezur në emër të arsyeve të mosarsyes së të shkuarës, me të cilën ushqehen rëndom këtyre anëve politika dritëshkurtëra të radhës.
Nuk ka dyshim se disa rretherrotull, po edhe disa prej aleatëve e partnerëve tanë ndërkombëtarë e marrin nganjëherë si diçka të zakonshme, të mirëqenë e për këtë arsye thuajse të parëndësishme, qasjen tonë emancipuese për ndërtimin dhe ushqyerjen e marrëdhënieve miqësore me të gjithë. Jo se kjo na bën të dyshojmë në këtë qasje tonën, e cila është një qasje sa pragmatike aq edhe thelbësisht vlerore, për një bashkësi europiane si e jona në Shqipëri, po ja që në ndonjë rast apo moment u duhet kujtuar të gjithëve se ne japim besim, respekt, miqësi, por askush asnjëherë nuk duhet të na marrë për qorra, shurdhë apo memecë. Ne mirëpresim kritika e ndihmë për t’u përmirësuar nga gjithkush, po leksione bashkëjetese e respekti për etnitë e tjera Shqipërisë nuk i jep dot askush.
2.Shumica parlamentare dhe qeveria që unë drejtoj, kanë ideuar e mbështetur vendosmërisht një reformë aq të thellë dhe aq thellësisht europizuese të sistemit drejtësisë, sa që sot, për herë të parë në historinë e shtetit të saj, Shqipëria po e nxjerr kokën mbi ujin e ndenjur të pandëshkueshmërisë sistemike 100 e kusur vjeçare. Hetimi dhe ndjekja e pavarur penale e një sërë zyrtarësh të lartë të lidhur me pushtetin politik të radhës, përfshirë njërin prej zëvendëskryeministrave të mi të mëparshëm, janë prova kokëfortë e një ndryshimi epokal në jetën e vendit tonë. Shumë thanë se nuk do të ndodhte kurrë në Shqipëri që të prekeshin të pushtetshmit, por kjo tanimë është e qartë që po ndodh. Të tjerë thanë se qeveria do t’i kontrollonte gjithësesi organet e reja të drejtësisë, por kjo tanimë është e qartë që nuk ndodh.
Ndonjë po thotë se kur vjen puna tek ndonjë patate shumë e nxehtë në duart e drejtësisë, si ajo e zotit Beleri, unë duhet të ndërhyj e ta hedh pataten në det, por kjo nuk ka për të ndodhur kurrësesi. Dhe unë vetëm do të përsëris deri në bezdi për shumëkënd, se lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar vetëm do të thellohet, pavarësisht dhimbjeve e kostove, sepse kjo luftë është e drejtë dhe e domosdoshme për Shqipërinë Europiane të të gjithë fëmijëve të këtij vendi. Fatkeqësisht, hija e stereotipit se korrupsioni është mënyra e jetesës në Ballkan dhe të gjithë janë njësoj, prandaj të gjithë duhen treguar me gisht, çfarëdo që të bëjnë për të provuar të kundërtën, shtrihet deri mbi çatitë e zyrave të kryeqyteteve perëndimore. Mungesa e sukseseve në hetimet, ndjekjet penale dhe gjykimet e korrupsionit në nivel të lartë, janë avazi që i përsëritet çdo vit nga të katër anët Ballkanit Perëndimor në tërësi dhe Shqipërisë po njësoj. Raportet copy paste nga viti i mëparshëm janë bërë modë dhe institucione të rëndësishme apo organizata me emër të madh, i rishtypin ato me ndonjë të re që është po aq e vjetër sa të mëparshmet, bazuar në anketime e perceptime që mblidhen nën hijen e atij stereotipi. Por fatmirësisht, ne e dimë më mirë se kushdo edhe sa shumë gjëra kanë ndryshuar, po edhe sa shumë gjëra duhen ndryshuar akoma dhe nëse ka një vend në këtë rajon, i cili meriton shumë më tepër respekt, madje edhe lëvdata inkurajuese për faktet e lidhura me këtë luftë, ky vend është Shqipëria. Megjithatë, të gjithë duhet ta dinë, se edhe pse disa fjalë të mira dhe plotësisht të merituara, do të na gëzonin si shenjë respekti, përsëritja e të njëjtit avaz nuk na mërzit fare, sepse ne nuk po e bëjmë këtë luftë as për Brukselin, as për Berlinin apo Uashingtonin, po për fëmijët e sotëm të Shqipërisë së nesërme.
3.Sot, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel dhe unë, si gjithnjë, lutem që mos të jetë një tjetër xhiro bosh, për një tjetër përsëritje të këngës “fajin e ka tjetri”. Pavarësisht lidhjeve tona të ngushta dhe marrëdhënies unike ndoshta në botë me Kosovën, si shteti tjetër shqiptar në kufi me Shqipërinë, ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi të përputhur plotësisht në linjën e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të realizuar planin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Jo sepse aletatët tanë të mëdhenj strategjikë kanë gjithnjë, medoemos, të drejtë, po sepse deri më sot ata nuk kanë qenë asnjëherë gabim në kërkesën e tyre ndaj të dyja vendeve, e së fundmi Kosovës veçanërisht.
Këtë qershor, gjatë kulmit të tensioneve në komunat veriore të Kosovës, me keqardhje, ne anuluam njëanshmërisht mbledhjen e përbashkët të dy qeverive me Kosovën, e cila ishte e planifikuar prej kohësh.
Njëqind herë të ktheheshim mbrapsht njëqind herë do ta anulonim, sepse së pari, Shqipëria është një anëtar përgjegjës i komunitetit euroatlantik edhe kur duhet të pozicionohet në raport me gabimet e veta, e jo më kur duhet të pozicionohet në raport me gabimet e Kosovës apo lëre pastaj me ato të të tjerëve.
E së dyti, sepse ai ishte momenti më i gabuar për të hedhur një valle dyshe shpatash në Prizren, në ndërkohën kur Kosova duhet të ishte në anën e të ardhmes, krah për krah me aleatët e saj strategjikë, e jo në anën e të shkuarës, prej ku ushqehen edhe teoritë helmuese të konspiracionit shqiptaromadh.
Më pas, i vetëdijshëm se ishte një lëvizje e pazakontë, i’u paraqita aleatëve tanë strategjikë kontributin e Shqipërisë në diskutimet e vazhdueshme për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, sepse jam plotësisht në një mendje me ta për nevojën e zbatimit rigoroz të gjithçkaje për të cilën shteti i Kosovës është zotuar. Qeveritë vejevijnë, por shtetet serioze nuk vejevijnë në zotimet e tyre ndërkombëtare njësoj si qeveritë.
Por më duhet ta ritheksoj, se sa më lart nuk do të thotë aspak se Shqipëria e sheh Kosovën si të vetmen përgjegjëse për futjen e dialogut në qorrsokak. Assesi jo. Kosova bëri një hap të konsiderueshëm në drejtimin e shumëpritur, duke e pranuar planin franko-gjerman pa referencë për njohjen reciproke dhe duke pranuar po ashtu, propozimin e vetë-menaxhimit për komunitetin serb. E kam duartrokitur menjëherë Albin Kurtin për këtë hap edhe publikisht, jo vetëm personalisht. Tani është koha që edhe Serbia të dalë nga llogorja e asburdit të mohimit të realitetit dhe të veprojë në mirëbesim, duke mundësuar një sekuencë zbatimi që i përmbush nevojat e të dyja palëve në kuadër të planit franko-gjerman.
Shqipëria i ka shtrirë Serbisë dorën e miqësisë. Në mënyrë ironike, ka ndodhur në ndonjë rast të jemi i vetmi vend në rajon që ka folur hapur kundër sanksioneve ndaj Serbisë dhe e kemi shpjeguar qartë pse jemi të bindur në këtë qëndrim. Megjithatë, dhe kjo duhet theksuar, një përfundim i suksesshëm i procesit të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm edhe për të ardhmen e qëndrueshme të marrëdhënieve Shqipëri-Serbi.
Për fat të keq, teksa përpiqem pa sukses të kuptoj taktikat e qeverisë së Kosovës, mbetem po aq i pasuksesshëm në përpjekjen për të kuptuar strategjinë e dialogut të Serbisë. Dyshoj se strategjia e Beogradit është të vonojë proçesin dhe të përfitojë sa më shumë nga taktikat vetëdëmtuese të Prishtinës, të cilat e kanë ndihmuar vijimësisht viktimizimin e Serbisë ne arenën e ndërkombëtare.
Fatkeqësisht po ashtu, disa harrojnë se nuk jemi më në vitet ‘90 të shekullit të kaluar. Shqipëria është për paqe, pajtim, ardhmëri të përbashkët dhe pikë. Por megjithatë, nëse gjërat shkojnë keq, Shqipëria dhe shqiptarët janë me Kosovën, e këtë s’e luan topi. Thënë kjo, unë me sinqeritet shpresoj që të gjithë të përfshirët në procesin e normalizimit të jenë të vetëdijshëm për atë çfarë që luhet sot mes Kosovës e Serbisë dhe të kuptojnë dreqi e mori, që çdo alternativë tjetër, përveç zbatimit të menjëhershëm, gjithëpërfshirës, të marrëveshjes mbi planin franko-gjerman në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është lojë me zjarrin, ku kush luan do të digjet i pari, po akoma më keq, në fund do të përvëlohet krejt rajoni, po nuk do të shpëtojë pa u përcëlluar edhe vetë Europa.
Përfundimi i suksesshëm i procesit të normalizimit të Kosovës e Serbisë janë parësore për paqen dhe sigurinë rajonale, po edhe për sigurinë e vetë Europës.