Kreu i qeverisë Edi Rama, është këtë pasdite në Londër i ftuar në Future Resilience Forum 2025, forumi ndërkombëtar i sigurisë dhe politikave globale.
I ftuar në panelin e radhës, Rama u pyet sërish në lidhje me raportin që ka aktualisht me politikanin Nigel Farage, me të cilin më parë ka pasur ‘përplasje’ online në lidhje me deklaratat e tij për shqiptarët në MB.
“Nëse doni që të jem argëtues, mos më pyesni për Mbretëritë e Bashkuara, sepse është shumë temë dramatike, s’ka asgjë për të qeshur…”, u shpreh ai me një ironi dhe humor të hollë.
Më tej sërish vuri theksin se shqiptarët që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar, janë aty si pjesë e një komuniteti të nderuar, punojnë me ndershmëri dhe janë etiketuar në mënyrë të gauar nga disa politikanë britanikë.
“Mendoj se që të veçosh Farage si problemin, praktikisht është t’u largohesh rrënjëve të problemit. Ai nuk është problemi, por pasqyra ku njerëzit mund të shohin disa prej problemeve dhe nuk besoj se ai ka zgjidhje, por s’ka dyshim që zgjidhja nuk është ta shfaqësh atë si ‘kokë turku’. Zgjidhja mund të jetë t’i shohësh problem siç janë dhe të gjesh mënyrën sesi mund t’i trajtosh dhe t’i bësh njerëzit të besojnë.
Besoj se është e gabuar të karakterizosh migracionin si problem, migracioni është pjesë e zgjidhjes jo problemi. Duhet bërë dallimi mes të parregulltës dhe asaj që është dobiprurëse.
Suella Braverman veçoi komunitetin shqiptar në mënyrë më të gabuar të mundshme, kur mbërrita këtu u mirëprita, shkova në hotel dhe aty një djalë mu afrua dhe nisi të më fliste në shqip. Roja mu afrua sepse mendoi se kishte diçka të rrezikshme, dhe i thash mos u shqetëso se është një bashkëkombës. Në mëngjes dëgjova që më thërrisnin emrin, dhe kur ngrita kokën pashë disa shqiptarë në skela që po punonin, pastaj më erdhi pyetja…. kush do t’i bënte këto punë nëse nuk do të ishin shqiptarët?!
Të luash me migracionin në mënyrën si po luhet është e rrezikshme sepse është shumë ndikuese, ndikon vlerat që e kanë bërë, shndërrohet në luftë kulturore dhe shkon thellë e më thellë që mund të hedhin në erë shoqërinë në një moment të caktuar”, tha Rama.