Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm sot në Kuvendin Kombëtar të Gjuhës Shqipe.
Gjatë fjalës së tij, Rama bëri me dije se nesër do të prezantohet publikisht drafti i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, i përditësuar.
Sipas tij, Gjuha Shqipe shumë shpejt do rreshtohet si ndër më të rrallat e të veçantat në familjen europiane.
“Është ky vendi për të lidhur këtë Kuvend edhe me kujtimin e Arben Xhaferrit i cili sot nuk jeton më, por ishte shqiptari që pati idenë që të kërkojë që dita e Alfabetit, 22 Nëntori të jetë festë kombëtare për shqiptarët në Maqedoni, e që tashmë është festë e përmotshme e gjithë Shqiptarisë.
Sot më vjen mirë që si pjesë e kësaj rezistence, ne mund të themi që jemi në momentin historik sa i përket prezantimit të Fjalorit të madh të Gjuhës Shqipe që më në fund përditësohet falë punës së Akademisë së Shkencave. Nesër në dijeninë time, do të prezantohet publikisht edhe drafti i këtij fjalori, sepse ai do të hidhet në konsultim të gjerë publik dhe do merren të gjitha ato opinione, vërejtje e kontribute që me gjasë mund ta pasurojnë, por me siguri do e konsolidojnë si produkt të përbashkët të një rezistence të domosdoshme”, tha Rama.