Shqipëria pritet të shndërrohet së shpejti në një kazan gjigant mbeturinash të ardhura nga çdo vend i mundshëm i botës. Nëse afro 3 vite më parë, shqiptarët menduan se shpëtuan një herë e mirë nga ky makth, e kanë pasur gabim.
Qeveria “Rama” e cila anuloi këtë ligj afro 3 vite më parë, mendon se kushtet në Shqipëri tashmë kanë ndryshuar dhe se industria e riciklimit ka nevojë për përkrahje, ndaj importi i plehrave duhet parë si një aktivitet i ligjshëm dhe fitimprurës për ekonominë tonë.
Një projektligj i hartuar nga Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese dhe Shoqatën e Ricikluesve,i cili ka mbërritur vetëm para pak ditësh në Kuvend, tregon se sa shumë ka ndryshuar vizioni i qeverisë “Rama” nga koha kur ishte në opozitë, mbi mënyrën se si duhet bërë menaxhimi i mbetjeve, shkruan “SOT”
Në relacionin e këtij projektligji, fillimisht qeveria kujdeset t’i qajë hallin shoqatës së ricikluesve se kanë shpenzuar 120 milionë euro për të ngritur industrinë e tyre, të cilën ua bllokoi vetë ajo, sapo erdhi në pushtet në 2013. Siç pranohet hapur dhe në relacion, qëllimi i këtij akti është rilejimi i importit të mbetjeve jo të rrezikshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke rivitalizuar kështu industrinë e riciklimit në vend.
Më tej, qeveria justifikohet se rikthimi i importit të mbetjeve ishte i nevojshëm pasi institucionet kontrollore janë përmirësuar në infrastrukturë dhe staf, çka sipas saj, nuk do të përbëjë shkak për rrezik importi të mbetjeve të rrezikshme.