Gjatë konferencës së përbashkët me David Cameron, kryeministri Edi Rama u ndal tek projekti për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë.
Rama tha gjithashtu se së shpejti hapet gara për portin e ri tregtar të Durrësit.
Ai njoftoi se Mbretëria e Bashkuar ka shprehur interesin për t’u përfshirë në projektin hekurudhor Durrës-Prishtinë.
“Sot e kemi diskutuar për marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për thellimin e mëtejshëm të tyre, për të cilën kemi folur qoftë në aspektin e marrëdhënieve mes dy vendeve aleate në NATO dhe në marrëdhëniet bilaterale në kushtet kur Mbretëria e Bashkuar synon të jetë më e pranishme në vendin tonë.
Dëshiroj të theksoj se kemi folur për Shqipërinë, për Kosovën, dhe për rajonin, që është hekurudha Durrës-Prishtinë, e cila është element kyç i projektit të kapacitetit lëvizës, jo vetëm mes dy vendeve tona.
Së shpejti hapim garën ndërkombëtare për portin e ri të Durrësit. Jemi në përgjigje të NATO-s, për krahun ushtarak për Portin e Durrësit. Edhe Kosova, do të ndërtojë një port të thatë në Prishtinë. Ky është një projekt që tejkalon dy vendet tona dhe Mbretëria e Bashkuar ka shprehur dëshirën që të përfshihet, me ekspertizën dhe analizën”, tha ai.