Kryeministri Edi Rama është gjendur pasditen e sotme në Shijak aty ku ka shpërdarë leje legalizimi por edhe ka kërkuar vota. Gjithashtu ai bëri edhe batuta me qytetarët, siç e ka kthyer tashmë në traditë.
“Ju do të thoni çfarë rëndësie ka vota? Po të mos ishte vota për këtë qeveri në 2013, legalizimet nuk do të ishin bërë. Falenderoj ata që kanë votuar PS-në se i kanë hapur rrugë një qeverie që drejtohet nga socialistët. Ata që votuan PD, duhet të falenderojnë miqtë apo komshinjtë e tyre që votuan majtas, ndaj kanë sot në duar këto tapi”, u shpreh Rama.
Pas fjalës së tij në podium del një qytetar i cili thotë se ka lënë PD dhe aderon tek LSI. Rama iu përgjigj, duke thënë se “LSI e duan edhe demokratët e socialistët”. Deklarata e tij, vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Ramës dhe Metës janë në vështirësi dhe koalicioni gjendet në rrezik.
Gjatë gjithë aktivitetit për shpërndarjen e tapive, Rama mori shumë falenderime dhe urime nga qytetarët për reformën në drejtësi. “Urojmë ta bësh reformën”, i thanë shumë nga ata që morën tapitë. Kryeministri nuk e fshehu kënaqësinë që i jepnin këto urime. Me sa duket ai ia ka arritur qëllimin, me ose pa miratimin e reformës, në popull duket se është ngulitur ideja se kryeministri “po lufton” për këtë çështje. /Opinion.al