Teksa ka përfunduar Kongresi i Partive Socialiste Europiane Kryeministri Edi Rama ka ndarë në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, një postim ku shfaqet me kryeministren finlandeze, Sanna Marin dhe thotë se pas një kongresi frymëzues në Berlin, kthehet në Tiranë për përgatitjet e fundit të dialogut që do të nisin javën tjetër në bashkitë e vendit.
Dialogu do të ketë në fokus përballimin e inflacionit të luftës, mbrojtjen e familjeve dhe bizneseve nga rritja e çmimit të energjisë, buxhetin e ri 2023 dhe mburojën sociale të vitit të ardhshëm.
Sakaq, kreu i qeverisë ka ironizuar edhe opozitën duke thënë se do të diskutohet edhe për të “djathtën e rublave” si dhe ecurinë e qeverisjes vendore.
“Pas një kongresi frymëzues në Berlin, kthehemi në Tiranë për përgatitjet e fundit të dialogut që do të nisim javën tjetër në bashkitë e Shqipërisë; për përballjen me inflacionin e luftës, mbrojtjen e familjeve e bizneseve nga rritja e çmimit të energjisë, buxhetin e ri 2023 dhe mburojën sociale të vitit të ardhshëm, për të djathtën e rublave medoemos, si edhe për ecurinë e qeverisjes vendore së bashku me ambiciet e mandatit të ri për bashkitë”, shkruan Rama.