Kryeministri Edi Rama ndodhet në Riad të Arabisë Saudite, ku po merr pjesë në edicionin e 9-të të Future Investment Initiative, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare mbi ekonominë dhe zhvillimin global.
Gjatë fjalës së tij në panel, Rama ngriti shqetësimin për përqendrimin në rritje të vendeve ndaj armatimeve dhe mungesën e një vizioni të qartë për paqen në Evropë dhe më gjerë.
Ai theksoi se “është thellësisht e gabuar që ekziston një nxitim i përditshëm për t’u riarmatosur”, ndërsa Europa, sipas tij, “ka ngecur në një pozicion që mendon vetëm për armatime” dhe “duhet të reflektojë më shumë mbi rolin e saj në një botë që ndryshon me shpejtësi”.
“Unë mendoj se ka diçka thellësisht të gabuar në faktin që ka një nxitim të përditshëm për t’u riarmatosur, për të folur dhe për të punuar gjithmonë e më tepër për më shumë armë. Ndërkohë që nuk ka një plan paqeje, që do të mund ta shihje, ta lexoje dhe të mund të mendoje mbi të. Një Europë që nuk ka planin e saj të paqes, një Europë e cila për vite me radhë e vuri veten në autopilotin e SHBA-ve dhe pastaj kur gjërat atje ndryshuar dramatikisht, nisi të rizbulonte fjalën armëpushim, që ishte hequr nga fjalori i të gjithëve. Megjithatë ka ngecur në një pozicion që përqendrohet vetëm tek armatimet. Pra të ngecësh vetëm në këtë pozicion, që të mendosh vetëm për armatime është shqetësuese. Ndjehem shumë i shqetësuar që fjala bërthamore është shndërruar në diçka normale në fjalor. Ndërkohë që vetëm disa vjet më parë fjala nuk përdorej nga askush. Europa duhet të reflektojë më shumë se çfarë po ndodh në pjesët e tjera të botës. Se çfarë duhet të bëjë ose mos duhet të bëjë Europa nuk ka lidhje me mua apo me Shqipërinë”, tha Edi Rama.
















