Kryeministri Edi Rama u ka bërë kritika kryebashkiakëve, në takimin e zhvilluar në Golem.
Rama u shpreh se bashkitë duhet të kalojnë në një fazë tjetër dhe ta shohin territorin me një qasje sipërmarrëse.
Sipas kreut të qeverisë, bashkitë presin fonde nga buxheti i shtetit dhe kjo nuk mund të vazhdojë.“Deri dje kemi dhënë shumë asete falas, janë dhënë dhe janë lënë rrugëve në të shkuarën, asete që nuk numërohen.
Nuk janë përkthyer në investime serioze, janë dhënë pafundësi tokash për zhvillim. Kjo gjë ka ndaluar përfundimisht. Ne nuk japim më asnjë metër katror tokë në rast se një ndërtues ka 95% të pronës dhe një pjesë është pronë shtetërore. Nuk ka më.
Për çdo metër katror ku pronar është shteti, kemi kushtëzuar pjesëmarrjen si pronar. I vetmi motiv për të dhënë tokë me një kontratë simbolike, 1 euro, është hoteleria. Çdo gjë tjetër është, merr pjesën që kërkon dhe paguaj kokërr më kokërr, atë që i jep privatit. Bashkitë mund të marrin rol të rëndësishëm, zhvillime me përfitim. Pa harruar dhe përfitmin social, për ato familje që kanë nevojë për strehim.
Po bëjmë reformë dhe do kemi agjenci ku planifikimi, strehimi do jenë bashkë, do jetë në dispozicion të Pushtetit Vendor. Ky proces do jetë i hapur për të gjithë. Duhet iniciativë, duht pare çdo pjesë e territorin me një qasje sipërmarrëse, për të ardhurat e bashkisë. Nuk mund të rrini dhe të prisni nga buxheti i shtetit. Duhet të kaloni në fazë tjetër.”, theksoi ai.















