Kryeministri Edi Rama ka komentuar ditën e sotme hetimin e prokurorisë së SHBA, në lidhje me lobimin rus, ku pjesë e të thirrurve për të dëshmuar është dhe kryetari i PD, Lulzim Basha.
Në një bashkëbisedim me qytetarët të njësisë 11 në Tiranë, Rama e quajti çështjen një ‘pastrim të pastër parash’. Sipas kryeministrit kjo çështje duhet të zbardhet sa më shpejtë për të zbuluar burimin e parave. Ai theksoi se ky është një gabim që ka bërë Basha.
Lulzim Basha dhe dy funksionarët e lartë të kësaj partie, ish-sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani dhe financieri Ilir Dervishi janë marrë në pyetje nga prokuroria në lidhje me kontratat e lobimit në SHBA të cilat dyshohet se janë financuar nga Rusia.
Lulzim Basha u paraqit dje në prokurori dhe tha për mediat se ky është një sulm me prapavijë politike që po i bëhet atij dhe PD. /Opinion.al