Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndryshime në administratën e Kuvendit, duke theksuar nevojën për modernizim institucional, transformim teknologjik dhe ndërtimin e një godine të re për Parlamentin e Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, në mbledhjen e grupit parlamentar socialist Rama theksoi se procesi i draftimit të ligjeve kërkon më shumë informacion të ndërsjellë dhe përfshirje aktive të deputetëve. Sipas tij ndryshimet brenda pushtetit legjislativ do të vijojnë pas reformimit të komisioneve parlamentare.
“Aspektin e ndryshimeve brenda pushtetit, organizimit të pushtetit legjislativ që e filluam me komisionet. Sot patjetër që qoftë nga kryetarët e komisioneve, qoftë nga anëtarët e interesuar për të diskutuar do dëgjojmë se çfarë opinioni keni lidhur me këtë formulë të re që kemi me numrin e komisioneve, ndarjen etj. Dhe duhet ta vazhdojmë me administratën e Kuvendit e cila kemi kohë që themi duhet të modernizohet dhe duhet të mbështetet nga një transformim i rëndësishëm teknologjik. Punë për të cilën me siguri do të flasë kryetari”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se modernizimi i administratës së Kuvendit dhe vendosja e një kalendari të qartë për godinën e re të Parlamentit janë pjesë e të njëjtit vizion për rritjen e efikasitetit dhe energjisë pozitive në punën e deputetëve.
“Nga ana tjetër duhet sigurisht që të vendos vendosim edhe piketat me një kalendar të qartë për godinën e re të parlamentit të Shqipërisë. Të gjitha këto bashkë shkojnë në të njëjtin drejtim. Natyrisht që asnjëra nga këto nuk pengon një pjesë të madhe të punës që bëjmë, po të gjitha këto bashkë ndihmojnë për t’i dhënë më shumë hapësirë dhe më shumë energji pozitive punës së deputetëve, të cilët duhet të mos e ndërpresin, përkundrazi ta artikulojnë më mirë punën që filloi shumë mirë pas zgjedhjeve në territor”, vijoi kreu i qeverisë.
Sipas tij shumica prej 83 mandatesh imponon përgjegjësi të mëdha, duke theksuar se objektivi kryesor mbetet mbyllja e negociatave me BE-në deri në fund të vitit 2027.















