Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar ditën e sotme pas vendimit të Presidentit të Maqedonisë, Gjeorge Ivanov, i cili i refuzoi mandatin liderit të LSMD-së Zoran Zaev edhe pse ai siguroi firmat e 67 deputetëve, që i japin shumicën në Parlament.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare thotë se Gjuha Shqipe nuk është e armikut, po e një populli shtetformues në Maqedoni.
“Zoti Ivanov, Gjuha Shqipe s’është e armikut po e një populli shtetformues në Maqedoni. Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni i dashur President!”, shkruajti Rama.
Reagimi i Kryeministrit vjen pasi më herë gjatë ditës së sotme, Presidenti Gjorge Ivanov refuzoi t’i japë mandatin liderit të LSMD –së, Zoran Zaev, edhe pse ai siguroi firmat e 67 deputetëve në bashkëpunim me Bashkimin Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit, që i japin shumicën në parlament.
Shkak për refuzimin është bërë platforma shqiptare. Duke folur me nota të forta ndasie etnike, Ivanov tha se ajo cënon sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë.
Presidenti maqedonas kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare ta dënojë platformën shqiptare dhe të mos imponojë zgjidhje, ndërsa akuzoi Tiranën zyrtare si hartuese të platformes dhe për ndërhyrje në punët e brendshme.