Debatet mes kryebashkiakes Voltana Ademi dhe kryeministrit Rama kanë qenë të vazhdueshme që pas sherrit live në ditën e inagurimit të stadiumit “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës.
Nga ai debat, sillet në kujtesë, momenti kur Rama i kërkoi llogari Ademit për mos shembjen e ndërtimeve përreth stadiumit e që nga kryebashkiakja u interpretua si kërcënim.
Nga Skrapari, ditën e sotme, në një takim me fermerët kryeministri Rama i është rikthyer edhe njëherë tjetër këtij debati. Ai është shprehur se znj.Ademi është e vetmja kryebashkiake që nuk i kuptonte dot planin që kishte për qytetin e saj, Shkodrën.
“Do mbështes kryebashkiakët përveç kryetares së Bashkisë së Shkodrës që s’ja kuptoj dot planin. Po ky me siguri është problemi im”,- tha Rama.
Në distancë ata janë përplasur edhe pak ditë më parë për lulishten në lagjen “Manush Alinani” në Shkodër, ku Rama nuk nguroi ta cilësonte kryebashkiaken shembull të kokëboshësisë.