Kryeministri Edi Rama ka uruar nga Vlora ditën e Pavarësisë. Teksa vlerësoi kontributin e të gjithë luftëtarëve për liri, kryeministri uroi Ditën e Flamurit Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së që ndodhen për gjykim në Hagë.
Para mediave, Rama kujtoi dhe ditën e lindjes së komandantit legjendar të luftës çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.
“Dëshiroj t’iu uroj të gjithë shqiptarëve kudo që janë këtë ditë të bekuar të flamurit tonë kombëtar, të pavarësisë së Shqipërisë dhe njëkohësisht në këtë ditë që është edhe dita e lindjes së komandantit legjendar të luftës çlirimtare të Kosovës, dëshiroj t’i uroj festën e pavarësisë dhe Ditën e flamurit, presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij që sot nuk gjenden në shtëpi”,-deklaroi Rama./ Opinion.al