Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzave të kryetarit të PL, Ilir Meta për projektin e ndërtimit të Portit të Durrësit.
Sipas Metës qeveria ka përdorur kompani guaskë me pronarë të fshehur për projektin e Portit të Durrësit që sipas tij, janë të përfshirë në korrupsion.
Rama thotë se ndërtuesi i Portit të Durrësit ka punuar për gjysmën e Dubait, ndërsa Meta ka ndërtuar vetëm dy parti, LSI dhe PL.
Me ironi, kreu i qeverisë shkruan në rrjetet sociale se LSI “sapo ka ikur për skrap tjetra sapo ka ardhur për lekë! Kam edhe një ndjesi tjetër: Më duket se kjo tjetra do na lerë shumë më shpejt se e para”.
“S’di pse kam ndjesinë që ky shefi i PL (Partisë së Lekut) ka aq shumë njohuri të fshehura për fshehjen e emrave e lekëve, sa nuk i shmanget dot përgojimit deri edhe të dikujt me emër, mbiemër, kapitale e vepra të njohura dhe të respektuara botërisht! Ai që do të ndërtojë Portin Turistik të Durrësit, ka ndërtuar gjysmën e Dubait, kurse ky që e përgojon ka ndërtuar vetëm dy parti, njëra sapo ka ikur për skrap tjetra sapo ka ardhur për lekë! Kam edhe një ndjesi tjetër: Më duket se kjo tjetra do na lerë shumë më shpejt se e para”,-shkruan Rama.