Në seancën e sotme në Kuvend, Kryeministri Edi Rama është ndalur te sulmet kibernetike të Iranit ndaj vendit tonë.
Rama tha se sulmi kibernetik nuk e ka realizuar qëllimin ndërsa shtoi se sistemi është ringritur në një kohë shumë të shpejtë.
Po ashtu kryeministri foli edhe për listën me të dhëna të publikuar ditën e sotme për të cilën tha se nuk ka lidhje me sistemin MEMEX të Ministrisë së Brendshme teksa theksoi se sipas tij bëhet fjalë për fotomontazhe ku përzihen kriminelë me politikanë dhe gazetarë.
“Sulmi kibernetik nuk e ka realizuar qëllimin, sistemi është ringritur në një kohë shumë të shpejtë, e dyta, asgjë sensitive nuk është marrë dhe nuk ka asnjë lloj vlere në sensitivitet sepse kemi ende proces në dixhitalizimin e arkivave, pra nuk kemi gjëra me sensitivitet të veçantë. E treta, nuk e ka arritur qëllimin sepse ne kemi një nivel të caktuar mbrojtjeje. Kjo që ka ndodhur thjeshtë do të përshpejtojë sistemin e mbrojtjes. Ne kemi një infrastrukturë kritike, OST, OSHE, KESH, dhe aty sulmi nuk ka pasur asnjë sukses, sepse aty mbrojtja është ngritur prej kohësh, sepse aty është një zonë me problem nëse ka një sulm kibernetik të këtij niveli. E fundit që kam, mos bëhemi qesharak dhe për çdo gjë që ndodh i japim një unikalitet sikur ndodh këtu, sot në RMV ka një sulm kibernetik, janë e përditshme, jemi marrë me sulme të vazhdueshme e s;kemi pasur asnjë problem, ky është një sulm shumë i madh por nuk e ka realizuar qëllimin, kështu që mos u kuturisni në konkluzione qesharake dhe po ju them prap që ai sulm nuk e ka realizuar qëllimin, ajo historia si ajo lista sot, që flet për se çfarë terreni gjen në kanale dhe portale tona, plus edhe në politikën tonë, një grup që ka qëllime dashakeqe ndaj vendit, dhe me një listë të fotomontuar ku përzihen kriminelë me politikanë dhe gazetarë fut në vorbull një dynja që hedh dyshime, nuk ka më terren pjellor për veprim dashakeq ndaj vendit tonë sesa kanalet, portale dhe ju. Falë kësaj fuqie në tubacion llumi, mund të bëjë hajgare çdo gallataxhi se ngriheni në këmbë se cilat janë lidhjet me krimet duke bërë fotomontazhe, ajo që ka dalë nuk është MEMEX…”-tha Rama.