Në 32-vjetorin e Partisë Socialiste, kryeministri dhe kreu i kësaj partie, Edi Rama, nënvizoi se “sot, në kotekstin e një kohe të re jo vetëm për Shqipërinë, kemi nevojë për një fillim të ri, për një projekt të ri politik dhe organizativ”.
“Pa humbur kohë, duhet të projektohemi në të ardhmen, duke nisur reflektimin, siç kemi bërë pas çdo zgjedhjeje. Sot, në kotekstin e një kohe të re jo vetëm për Shqipërinë, kemi nevojë për një fillim të ri, për një projekt të ri politik dhe organizativ. Na takon neve që të bëjmë çmos që këtë frymë të 14 Majit mos ta lejojmë të tretet. Kjo është frymë sa e jashtëzakonshme, aq edhe e rrezikshme. Prej saj vjen mesazhi i nevojës për një komunitet të ri politik, që shikon problemet reale të çdokujt. Deputetët tanë duhet të jenë dëshmitarët e kësaj përpjekjeje të re në çdo territor, duke ndërtuar sa më shumë ura mes PS dhe komunitetit”, tha Rama.
Sipas tij, “mandati i 14 Majit duhet të jetë një mandat që duhet të përfundojë rrugën e gjatë të dhënies së titujve të pronësisë mbi tokën”.
Gjithashtu, Rama theksoi se Partia Socialiste “duhet t’i japë sa më parë zgjidhje shqiptarëve për pakënaqësitë që ata kanë, por një ndër mesazhet më të forta të 14 Majit për ne është që “këtë vend ose e bëni ju, ose nuk e bën askush tjetër”.