Dogana Morinë-Vërmicë gjatë periudhës Janar-Maj 2025 ka përballuar një fluks prej 3 milionë shtetas dhe 1.1 milionë automjete.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjete sociale, ku thotë se kjo doganë është një ndër shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke lehtësuar ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe proceset e zhdoganimit për bizneset në të dy anët e kufirit.
“Dogana Morinë – Vërmicë, një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin e udhëtarëve dhe reduktuar kohën e zhdoganimit për bizneset në të dy anët e kufirit.
Ministri i Financave, Petrit Malaj dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, Hekuran Murati gjatë një vizite të përbashkët në këtë pikë doganore konfirmuan angazhimin e përbashkët dhe rritjen e cilësisë së shërbimit për të garantuar funksionimin e plotë në 24 orë në 7 ditë të javës, si dhe për të eleminuar çdo vonesë.
Gjatë periudhës Janar-Maj 2025 kjo pikë doganore ka përballuar një fluks prej 3 milionë shtetas dhe 1.1 milionë automjete”, shkruan Rama.