Kryeministri Edi Rama nga Laçi ku përuroi hapjen e spitali të ri premtoi se do të rrisë rrogat e mjekëve dhe infermierëve. Rama tha se përtej vështirësive që ka në këtë kohë krize do të vijojnë të mbështesin sistemin shëndetësor, ndërsa shtoi se shpreson që së shpejti do të ketë lajme të mira edhe për pensionistët.
“Unë thjesht dëshiroj të falënderoj dhe miqtë e Kishës që ishin sot të pranishëm dhe i bënë bekim spitalit. Me atë rast mora dhe unë disa pika uji që shpresoj të më sjellin mbarësi. Me sigurinë që pasi u rritën rrogat edhe një herë për ju, do vijojmë t’i rrisim sërish përtej vështirësive që kemi, sepse është e rëndësishme që në këtë fazë kritike, të vijojmë të mbështesim sistemin shëndetësor. Rrogat do vazhdojnë të rriten për të gjithë ata që punojnë në sistemin shëndetësor dhe shpresoj që së shpejti të kemi lajm të mirë për pensionistët, edhe pse gjithmonë ndaj tyre do të jemi në borxh”, tha Rama.