Kryeministri Edi Rama komentoi dhe situatën e kryeqytetit me kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj të paraburgosur tashmë prej gati 1 viti.
Rama tha se këto janë rastet tipike që dëshmojnë problematikat e sistemit të drejtësisë sot me rastet e larta të paraburgimit në raport me të dënuarit. Rama tha se edhe sot që flasim, ende nuk është e qartë se çfarë ka bërë Veliaj ndërsa e krahasoi me rastin e Hashim Thaçit dhe me kryetarin e bashkisë së Tropojës.
“Rast tipik i asaj që thash përpara. I kyçur në qeli pa gjyq. Ndërkohë vazhdon kërkimi i provave. Unë akoma nuk e kam marrë vesh se çfarë ka bërë konkretisht. Nuk e kam kuptuar se çfarë ka bërë. Korrupsion në kuptimin e fjalës nuk kam parë. Përjashto rastet e veprave të rënda që përfshihet dhe korrupsioni në flagrancë, që përsëri është padiskutim fare e natyrshme që të përfundojë në paraburgim, të gjitha rastet e tjera duhet të jenë shumë të argumentuara.
Unë argumente përveç sesi i thotë Këshilli i Evropës nuk kam parë. Siç ja bënin Hashim Thaçit, rrezik për intimidim. Po nëse del i pafajshëm çfarë do ndodhi? Kush ia kthen ato vite mbrapsht? Në fund të ditës ka një akuzë që nuk e pranon populli i vet? Marrin kryetarin e bashkisë së Tropojës, e rrasin brenda jo ke firmosur jo nuk ke firmosur. Ne kemi numrin e paraburgosurve 94 në 1000 veta në mos gabohem. Belgjika e ka 10 dhe ka më shumë kriminalitet se Shqipëria, por është vend demokratik.
Duke qenë se është kryeqyteti, as Tropoja nuk e ka luksin ta ke të arrestuar kryetarin e Bashkisë. U bë viti dhe ka deri në zgjedhje dhe 1 vit e gjysmë. Unë e bëra një provë që t’i jepnim Tiranës një kryetar bashkie. Nuk funksionoi se GJK tha Tirana e ka një kryetar, në rregull po ku e ka?”, tha Rama.

















