Në Shqipëri, së shpejti do të ndërtohet e para qendër që do të mbledhë mbi 15 sporte në natyrë, duke krijuar mundësinë e tërheqjes së turistëve të huaj dhe vendas. Shtrihet në hapësirën e një ish-reparti ushtarak të amortizuar, mes natyrës së paprekur dhe fare pranë kanioneve të Osumit. Kjo do t’i japë mundësi zonës që të zhvillojë ekonominë dhe të krijojë vende të reja pune, kryesisht për të rinjtë.
Me fillimin e këtij viti, një sërë mediash të huaja kryesisht britanike, italiane, por edhe franceze i kanë kushtuar vëmendje të veçantë Shqipërisë si një destinacion “must” për t’u vizituar gjatë 2016-s. Kultura dhe tradita, ushqimi; çmimet e favorshme, por edhe mundësitë e shumta për të realizuar turizmin e aventurës e kanë bërë vendin tonë të ekspozuar si një destinacion që nuk duhet humbur. Duket se kësaj ideje do t’i shërbejë edhe ngritja e një qendre të re turistike, e cila do të mbajë emrin “Albanian Adventure Resort” dhe që do të realizohet si një partneritet publik-privat (PPP) me iniciativën e Federatës Shqiptare të Rafting.
Rafting është kthyer në një nga arsyet e veçanta që i bën turistët e huaj të ndryshëm për nga origjina nga vijnë të zgjedhin ta praktikojnë si sport qoftë në kanionet e Osumit në Skrapar, por edhe në ato të Vjosës.
Blerina Ago, sekretare e përgjithshme e Federatës Shqiptare të Rafting, e konsideron këtë projekt të rëndësishëm për zhvillimin e sporteve të natyrës, por edhe si një mundësi për ta kthyer vendin tonë në një destinacion rajonal dhe me standarde. Ajo shpjegon se ky projekt, në vetvete inovativ dhe kreativ, nuk do të zhvillojë vetëm turizmin e aventurës në Shqipëri, por edhe ekonominë lokale, si dhe do të shtojë mundësinë për krijimin e vendeve të reja të punës.
“Albanian Adventure Resort është një partneritet publik-privat i themeluar nga Federata Shqiptare e Rafting dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit. Kjo qendër ka si qëllim ndryshimin e jetës së komunitetit përmes aktiviteteve sportive në natyrë dhe arsimit profesional në fushën e turizmit aventurë dhe mikpritjes. Shtrihet në hapësirën e një ish-reparti ushtarak të amortizuar, mes natyrës së paprekur dhe fare pranë kanioneve të Osumit. Aspekti ekologjik dhe risia që sjell për zonën u vlerësua dhe me çmimin ndërkombëtar ‘Green Apple Award’, mes 500 projektesh të tjera në të gjithë botën. Resorti do të ofrojë trajnimin dhe punësimin e guidave të licencuara në fushën e turizmit të aventurës dhe zhvillim të aktiviteteve dhe sporteve në natyrë me standardet ndërkombëtare. Projekti ka nisur tashmë dhe në muajt në vijim pritet të përfundojë ndërtimin e fazës së parë”, thotë Blerina Ago.
E në fakt, turizmi i aventurës është një nga sektorët e rëndësishëm të industrisë së turizmit. Statistikat e vitit 2015 tregtojnë se të ardhurat nga turizmi i aventurës në shkallë botërore u rritën me rreth 23% krahasuar me vitin 2014, duke gjeneruar në total 263 miliardë dollarë. Agjencitë botërore të udhëtimit parashikojnë që numri i personave që do të jetë në kërkim të aventurës do të jetë në rritje edhe gjatë këtij viti me mesatarisht 10%. Sa i përket rajoneve do të vazhdojnë të kryesojnë: Amerika e Jugut, Europa Perëndimore dhe Lindore, Amerika Qendrore, Azia Juglindore dhe Skandinavia.
Ish-reparti, një qendër aventure
Shqipëria nuk ka kushte që të zhvillojë turizmin elitar, por mund të përdorë si avantazhe pikat e saj të forta. Turisti i aventurës, që kërkon adrenalinë, do të kërkojë një vend që ka natyrë të pashkelur dhe jo të urbanizuar. Një ish-repart ushtarak mund të jetë një gjetje më vete, një joshje gati-gati ekzotike. Projektin më të ri, “Albania Adventure Resort”, Blerina Ago, sekretarja e përgjithshme e Federatës së Rafting e quan “parkun” e lojërave në natyrë. Ajo vetë është ndër vajzat e para që ka “zbutur” ujërat e kanioneve të Osumit, i cili buron nga Malësia e Vithkuqit në lartësinë 1,050 metra mbi nivelin e detit. Berati është vendlindja e saj dhe deri më tani nuk ka lënë cep pa prekur në kanionet e këtij lumi.
Sporti i rafting ka tërhequr shumë turistë në thellësi të kësaj zone, duke e kthyer këtë qytet, që konsiderohet si “xhep” i Shqipërisë, në një zonë tërheqëse turistike. Rafting bëhet në Vjosë, në Përmet, Valbonë, në të gjithë lumenjtë e Shqipërisë.
“Me rafting kemi treguar se çdo sezon, për gati 15 vjet me radhë, ka qenë i suksesshëm dhe kemi arritur shumë. Kur them arritje, nuk nënkuptoj këtu vetëm promovimin dhe standardizimin e rafting, por edhe promovimin e turizmit të aventurës, mbrojtjes së natyrës dhe punësimit të të rinjve. Kemi pasur fatin të kemi vëmendjen dhe mbështetjen e të gjithëve gjatë këtyre viteve dhe së fundmi të gjithë ose kanë bërë ose duan të bëjnë rafting. Ky fluks vizitorësh në rritje, shpesh na ka sjellë pamundësisë për t’i akomoduar të gjithë dhe shpesh na është dashur të mos pranojmë më shumë se një ose dy grupe në një ditë. Edhe pse organizoheshim mirë, kishim pajisjet e nevojshme dhe guida të certifikuara për ta përballuar këtë fluks, largësia e bazës sonë nga kanionet e Skraparit na e bënte të vështirë të transportonim njërin grup dhe të vazhdonim me grupin tjetër brenda ditës. Na duhej një bazë në afërsi të kanioneve dhe itinerareve të rafting dhe në atë zonë nuk gjendej asgjë, përveç një reparti ushtarak të braktisur. Këtu na lindi ideja e shfrytëzimit të asaj çfarë ishte aty, ngjitur me kanionet e Osumit, na erdhi ideja për të rivitalizuar repartin ushtarak dhe kthimin e tij në një qendër pritëse për rafting dhe sporte të tjera në natyrë. Na mbetej të bënim çfarë kishim bërë deri tani, të besonim tek ëndrrat tona të punonim fort dhe të vepronim. Vendosëm t’ia shpjegonim idenë shtetit shqiptar për të na dhënë lejen e përdorimit të hapësirës për qëllime turistike. Ideja u pëlqye dhe së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit krijuam një partneritet publik-privat. Menjëherë pas nënshkrimit të akteve, zhvilluam dhe planin e biznesit të qendrës me ndihmën e disa ekspertëve ndërkombëtarë dhe zhvilluam projektin arkitekturor për rindërtimin e repartit me një studio arkitekturore. Tani që flasim po punojmë për përfundimin e fazës së parë të ndërtimit të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit”, thotë Blerina.
Administrimin e qendrës e sheh si një sfidë. “Unë jam sprovuar shumë gjatë rrugës sime këtu dhe po përpiqem që të frymëzoj dhe vajza të tjera të reja, ambicioze, përmes një modeli pozitiv të punës dhe këmbënguljes si mënyra e vetme drejt suksesit.
Për sa i përket projektit ‘Albania Adventure Resort’, ne i kemi vendosur qëllimet dhe objektivat tona dhe po punojmë për të arritur objektivin e këtij viti (2016), që është përfundimi i godinës pritëse të vizitorëve dhe akomodimeve fillestare. AAR po zbatohet në tri faza të shtrira në një periudhë pesëvjeçare. Gjatë dy viteve të para do të përqendrohemi që të realizojmë këto objektiva: Zhvillimi i pesë sporteve dhe aktiviteteve në natyrë përveç rafting (kayaking, trekking me biçikleta malore, snow-shooing, eksplorim kanioni dhe hydrospeed) në zonën përreth qendrës; Zhvillimi i programeve jashtëshkollore për periudhat e pushimeve pranverë-verë-dimër për nxënës të shkollave të mesme dhe studentë; Ofrimi i trajnimeve dhe certifikatave si profesionist në fushën e turizmit dhe guidë turistike për të rinj që duan të investojnë në një karrierë në turizmin e aventurës apo menaxhimin e turizmit, etj. Deri tani kemi pasur mbështetjen e disa organizatave dhe institucioneve përmes fondeve dhe ngritjes së kapaciteteve për qendrën, pasi është një projekt i madh për Shqipërinë, Ballkanin dhe vetë industrinë e turizmit dhe sporteve në natyrë”, thotë sekretarja e përgjithshme e Federatës. Ajo kujton se sezoni i ri i rafting do të nisë në muajin mars, në kanionet e Osumit, në Skrapar, ndërsa parashikon që trendi të jetë pozitiv.
Parashikimi, numri i vizitorëve do të rritet me 45%
Gjatë vitit 2015 pati 5,000 vizitorë që bënë rafting dhe 15,000 të cilët vizituan zonën Berat-Skrapar-Përmet për shkak të promovimit të bërë, por pa e kryer vetë si aktivitet.
Sipas të dhënave të Federatës, rreth 40% e turistëve ishin meshkuj, ndërsa 60% ishin femra. Rreth 80% kishin një diplomë universitare dhe 70% kishin një nivel jetese mbi mesatar. Aktiviteti i rafting dhe eksplorim kanioni zgjati kohën e qëndrimit të turistëve në zonë 2 deri në 3 net. Renditja e turistëve sipas vendit të origjinës është: Shqipëri, Kosovë, Itali, Çeki, Francë.
Arsyet kryesore pse zgjedhin turistët të bëjnë rafting në Shqipëri, janë: egërsia e natyrës së paprekur dhe shërbimi i rafting sjellë së bashku më shpirtin mikpritës shqiptar, duke dhuruar një eksperiencë autentike; paketa gjithëpërfshirëse shumë të lira për shërbimin dhe cilësinë e ofruar.
Me rritjen e kapaciteteve pritëse të rafting nëpërmjet Albanian Adventure Resort, Federata e Rafting parashikon për 2016 një rritje të numrit të vizitorëve në zonë me rreth 45%.
Turizmi i aventurës është duke u rritur dita-ditës, si në botë edhe në vendin tonë, sepse inkurajon praktika të qëndrueshme. Politikëbërësit dhe praktikuesit e turizmit të aventurës mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, për arsyen e thjeshtë, sepse ata e dinë që pa natyrën e mbrojtur dhe vlerat autentike kulturore dhe njerëzore të trashëguara, të cilat janë kuptimi i eksperiencës së turistit, destinacioni e humbet konkurrencën e tij dhe turisti largohet për të shkuar diku tjetër.
Për shkak të vërtetimit të përfitimeve që turizmi i aventurës sjell për mjedisin, komunitetin lokal dhe ekonominë lokale, qeveritë po e identifikojnë turizmin e aventurës si një mjet për rritjen e qëndrueshme dhe të përgjegjshme të ekonomisë, që gjeneron të ardhura për çdo nivel shoqërie.
Vajza e kanioneve
Ajo është rritur në Berat dhe kujtimet e para të fëmijërisë i ka gati të gjitha të lidhura me lumin. “Është e çuditshme, pasi tani më duket sikur gjithmonë e kam ditur se rafting ishte një pjesë e imja. Por, pa dyshim, hera e parë kur ndjeva adrenalinën dhe përplasjet e ujit në fytyrë ka qenë momenti kur unë u lidha përgjithmonë me rafting. Si unë, ishte dhe një grup të rinjsh të fiksuar pas adrenalinës dhe entuziazmit që jepte rafting. Me këtë grup shkonim gati përditë gjatë muajve të ngrohtë me gomonet tona modeste të asaj kohe për të sfiduar veten mes rrëmbesave të reja. Përveç adrenalinës ne kishim mundësinë të shijonim dhe bukuritë e kanioneve të Osumit dhe ndiheshim se duhet t’ua tregonim këto bukuri dhe miqve e familjarëve tanë. Ndienim një shtysë shumë të madhe që t’i bënim kanionet e Osumit dhe rafting të prekshme për këdo. Vendosëm të investojmë pasionin dhe energjinë tonë për ta bërë këtë sport atë që është sot, një nga produktet turistike më të suksesshme në vend”, tregon ajo.
Sipas saj, rafting, mbi të gjitha, është një nga aktivitetet që të jep mundësinë të njihesh dhe të miqësohesh me njerëz të ndryshëm. “Ka shumë energji pozitive, të qeshura dhe miqësi të lidhura me rafting dhe unë kam fatin ta bëj këtë aktivitet çdo vit, çdo sezon. Më motivon të qenët e rrethuar me njerëz dhe është një nga gjërat që them se më pëlqen më shumë te rafting”, thotë Blerina.
Por, si u kthye rafting në një aktivitet të suksesshëm turistik në Shqipëri? “Nuk ka ndodhur brenda ditës, por ka rreth 15 vjet pas shumë kërkesash nga miqtë dhe familjarët nisëm të bënim shëtitjet e para në kanionet e Osumit. Zamo Spathara, një nga të pasionuarit e parë të rafting, tashmë dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Rafting, kishte ëndrrën dhe idenë fillestare për ta kthyer pasionin e tij dhe kërkesat e shumta që po merrte, në një eksperiencë të mirëfilltë turistike. Zamo i vuri punët në lëvizje dhe e bëri që rafting të ishte një përvojë e prekshme, e sigurt dhe argëtuese për të gjithë. Ishte ai që më shtyu mua dhe të rinj të tjerë të pasionuar pas rafting të bëhemi guida profesioniste. Si rezultat u themelua dhe FSHR e cila ka punuar për të garantuar që rafting ushtrohet sipas standardeve ndërkombëtare. Kemi pasur rezultate mjaft të mira deri tani duke pritur rreth 5,000 vizitorë çdo vit në kanionin e Osumit dhe rrëmbesat e Vjosës”, thotë Blerina Ago.
Alternativat e rafting
Kanionet nuk kanë shkallë të lartë rrezikshmërie, por çdo vizitor duhet të ketë parasysh se mosha më e përshtatshme është 16-55 vjeç. Duhet të dijë not, sipas shkallës së rekomanduar, të jetë në gjendje shëndetësore të mirë dhe të ketë konsultuar mjekun gjatë vitit, të peshojë jo më shumë se 100 kilogramë.
Niveli i ulët
Shëtitje e qetë me gomone, duke shijuar natyrën e virgjër dhe duke ndier freskinë e ajrit. Mundësia për të ndaluar dhe për të bërë banjo dielli, në këtë nivel nuk është e nevojshme të dish not. Periudha më e përshtatshme, qershor-shtator. Kohëzgjatja 3-5 orë.
Niveli i mesëm
Zbritje të furishme gjatë shëtitjes me gomone në lumë, më tepër adrenalinë, emocion. Edhe në këtë nivel nuk është e domosdoshme të dish not. Periudha më e përshtatshme, prill-tetor. Kohëzgjatja 2.5-4 orë.
Niveli i lartë
Për ushtruesit e sportit rafting, më shumë vështirësi. Periudha më e përshtatshme, shkurt-mars. Kohëzgjatja 1.5-2 orë.
Profili i një turisti të aventurës
Në një raport të fundit të tregut të turizmit të aventurës (Adventure Travel Market Report) është bërë edhe “identikiti” i personave që ndjekin këtë lloj turizmi, ku rezultoi se:
-Udhëtarët e aventurës janë më të rinj se ata të jo-aventurës, me një moshë mesatare prej 36 vjeç
– Gjatësia mesatare e një udhëtimi “të butë” aventure ishte nga 8-10 ditë
-Udhëtarët e aventurës lexojnë botime të tilla, si: National Geographic, National Geographic Traveler etj., të cilat mbulojnë aventurën dhe rekreacionin, por edhe ato tradicionale, si: Cosmopolitan dhe Vogue;
-Udhëtarët e aventurës përdorin shërbimet profesionale, si: udhërrëfyes, instruktorë, operatorët turistikë, etj.
– Pjesa më e madhe e tyre i planifikojnë destinacionet që zgjedhin dhe janë njerëz që shpenzojnë mesatarisht 1,000 dollarë për tur.
– Zakonisht për të ndërmarrë një udhëtim të tillë rekomandohen nga miqtë dhe të afërmit, që kanë realizuar një udhëtim të ngjashëm
– 39% e udhëtarëve të aventurës rekomandojë një udhëtim të ngjashëm duke postuar përditësime në mediat sociale. 78% përdorin Facebook-un
-Pjesa më e madhe janë njerëz që punojnë me kohë të plotë dhe e shfrytëzojnë si një mundësi për të bërë një sërë sportesh në natyrë.
Nga E.Bedalli, revista Monitor