Sistemi i transportit të metrove në Hong Kong është paralizuar të shtunën, si dhe dyqanet e qendrat tregtare janë mbyllur pas një nate të dhunshme të protestave ku mbeti i qëlluar një adoleshent nga autoritetet.
Protestat e së premtes erdhën pas vendimit të lideres Carrie Lam për ndalimin e mbajtjes së maskave gjatë protestave. Udhëheqësja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, tha se kjo masë synon “të kthejë paqen” në kohën kur rendi publik “është në rrezik”.
Por, përkundër këtij vendimi, qindra protestues pro-demokracisë, me maska, vërshuan rrugët e Hong Kongut të shtunën. Protestat në Hong Kong kanë nisur para disa muaj, fillimisht kundër një ligji për ekstradimin, e cili më pas është tërhequr.
Protestat më pas janë zgjeruar në fushatë kundër Kinës, pasi, sipas protestuesve, Pekini po e rrit gjithnjë e më shumë ndërhyrjen në autonominë e Hong Kongut.
Shumë protestues kanë dalë në rrugë duke veshur maska për të fshehur identitetin nga punëdhënësit, nga frika se autoritetet mund t’iu bëjnë presion bizneseve për t’i ndëshkuar ata./ Opinion.al