Qeveria ka ndërmarrë një nismë për të llogaritur vitet e punës për efekt të llogaritjes së pensionit për të gjithë ata punonjës që kanë punuar në fshat përpara vitit 1994 dhe që kanë hasur veshtirësi që t’i dokumentojnë ato.
Projektligji i hartuar nga Minstria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka përcaktuar rrugën se si duhet të realizohet një proces i tillë për personat që kanë hasur vështirësi për të vërtetuar vitet e punës në ish-ndërmarrjet bujqësore, kooperativat dhe ish-institucionet shtetërore.
Duhet të jetë vetë personi që të bëjë një deklaratë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, i cili duhet të vërtetojë se ka qenë në vendbanim në vendin ku ka punuar, kjo për efekt të përfitimit të plotë apo të pjesshëm të pensioneve.
Në draft theksohet se nisma u ndërmorr për shkak të problemeve të evidentuara ndër vite duke hasur në vështirësinë e institucionit zbatues të legjislacionit të sigurimeve shoqërore në caktimin e pensionit për shkak të mungesës së dokumentacionit që vërtetojnë vjetërsinë në punë para vitit 1994 të personave që kanë punuar në institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore, ndërmarrjet bujqësore dhe kooperativat bujqësore.
Kjo ka detyruar që shumë persona t’i drejtohen gjykatave, duke u përballur me procedura zvarritje dhe me kosto të papërballueshme për qytetarët.
Sipas analizës financiare kosto e shtuar, në vitin e parë të zbatimit, rezulton rreth 40 milion Lekë. Gjithashtu në vlerësim të kohës mesatare të gëzimit të pensionit prej 15 vitesh kosto për këta përfitues si rezultat i përfitimit nga ky ligj është rreth 600 milion Lekë.
Në vlerësim të kostove vjetore të shtuara për kategoritë e përfitimit nga ky ligj efekti total i kostove të shtuara vit pas viti deri në 16 vite rezulton në rreth 5 miliard Lekë.
Tv Klan