Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Qeveria kontraktoi miliona euro shpenzime me kontrata sekrete

2019/05/28 at 12:15 AM
në Aktualitet, Kryesore, Te Fundit
Kohë leximi: 7 min
A A
Qendër për ish-luftëtarët e ISIS në Shqipëri? Reagon Kryeministria

ë dhjetor 2018, një pagesë me vlerë 187 milionë lekë u shfaq në bazën e të dhënave të thesarit të shtetit të Ministrisë së Financave. Pagesa u krye nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për kompaninë Albsig – një kompani e grupit Kastrati, e cila ka aktivitet në fushën e sigurimeve, por që nuk dihet të ketë ndonjë aktivitet në fushën e teknologjisë së informacionit.


Transaksioni me përshkrim “AKSHI pagesë për sigurimin e ndërtesës” ishte i pazakontë për nga lloji i shpenzimit si dhe shumës relativisht të konsiderueshme. Kontratat e sigurimit janë të tilla që sigurojnë palën paguese, në rastin konkret AKSHI, se do të marrin një shpërblim për një dëm të pësuar gjatë periudhës së sigurimit. Kostoja e sigurimit, e njohur në gjuhën teknike si ‘prim’, varet nga shkalla e rrezikut apo probabiliteti i ngjarjes së pritshme negative. Por në përgjithësi, kostoja e primit luhatet mes një të mijtës dhe 1 apo 2 për qind të vlerës së objektit të siguruar apo dëmit potencial të pritshëm për t’u paguar.

Me një kontratë sigurimi prej afro 1.5 milionë eurosh, AKSHI mund të ketë pritur të pësojë një ngjarje siguruese, të tillë si aksident, zjarr, tërmet apo përmbytje, me vlerë minimale prej 100 milionë eurosh dhe maksimale prej 1 miliardë eurosh – në varësi të raportit të primit me shumën e dëmit të siguruar.

Është e paqartë se me çfarë rreziku apo kataklizmi përballet ndërtesa e AKSHI-t për të justifikuar një shpenzim kaq të lartë për sigurimin, vetëm për një vit kalendarik. Kontrata midis agjencisë dhe kompanisë Albsig është e shpallur si sekret shtetëror dhe nuk është tenderi i vetëm i klasifikuar gjatë vitit 2018.

Të dhënat e siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtë informimi tregojnë se klasifikimi i prokurimeve publike si sekret shtetëror ka njohur një rritje eksponenciale që nga ardhja në pushtet e kryeministrit socialist Edi Rama. Nga viti 2014 deri në vitin 2018, qindra kontrata publike, duke filluar nga teknologjia informacionit, mirëmbajtja e ndërtesave publike e deri tek shërbimeve qeveritare janë klasifikuar si sekret.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe ekspertëve nga shoqëria civile, kontratat e klasifikuara sekret sjellin pasoja negative për buxhetin e shtetit, duke kufizuar konkurrencën midis operatorëve ekonomikë dhe duke sjellë kosto shtesë.

I pyetur nga BIRN nëpërmjet një zëdhënësi, Kryeministri Edi Rama nuk iu përgjigj një kërkese për koment në lidhje me arsyet që e kanë shtyrë qeverinë në rritjen e përdorimit të klasifikimit sekret shtetëror në fushën e prokurimeve publike.

Çfarë e bën situatën me klasifikimin e dokumenteve të prokurimeve publike edhe më shqetësuese  është fakti që disa institucione publike si Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cilësojnë edhe kontratat e thjeshta për punë publike si ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugëve si ‘konfidenciale’, duke kufizuar në mënyrë të paligjshme qasjen e medias dhe të qytetarëve në përmbajtjen e tyre.

Bum kontratash sekrete

Sipas ligjit për informacionin e klasifikuar, sekreti shtetëror konsiderohet ai lloj informacioni, ekspozimi i paautorizuar i të cilit do të vinte në rrezik sigurinë kombëtare.  Dokumentet e konsideruara sekret shtetëror, në bazë të përmbajtjes, vlerave dhe informacionit që përmbajnë mund të klasifikohen në ‘tepër sekret’, ‘sekret’, ‘konfidencial’ ose i ‘kufizuar’.

Të dhëna të marra nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi, tregojnë se përgjatë dhjetë viteve të fundit, autoritetet publike në Shqipëri, ku përfshihen institucionet e qeverisë qendrore dhe ato të pavarura, kanë vendosur të mbajnë sekret 236 kontrata prokurimesh publike.

Të dhënat statistikore u dhanë nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, institucioni përgjegjës për ruajtjen e sekreteve shtetërore, ku mbahet edhe indeksi i dokumenteve sekrete.

Në këtë shifër përfshihen kontratat e klasifikuara me nivelin “I kufizuar”, “Konfidencial” dhe “Sekret”, ndërsa DSIK bën të ditur se shteti shqiptar nuk ka sot për sot asnjë kontratë të nivelit “tepër sekret”.

Nga këto 236 kontrata të klasifikuara nga viti 2008 deri në vitin 2018, në periudhën e qeverisë së koalicionit midis PD dhe LSI – të udhëhequr nga ish-kryeministri Sali Berisha, ka pasur gjithsej 20 kontrata të klasifikuara. Ndërsa gjatë periudhës 2013-2017 të qeverisjes PS-LSI  dhe asaj të Partisë Socialiste (2018), ka pasur gjithsej 216 kontrata të klasifikuara. Rekordin historik e mban viti 2018 me 76 kontrata të klasifikuara, ku përfshihet edhe kontrata midis AKSHI-t dhe kompanisë së sigurimeve Albsig.

Kontrata të tilla sigurimi nuk janë të zakonshme për shtetin shqiptar. Përveç sigurimit të përgjegjësisë për palë të treta për flotën e automjeteve publike, nuk njihen raste kur institucionet shtetërore kanë blerë polica sigurimi për qëllime të tjera.

Në përpjekje për të mësuar se për çfarë bëhej fjalë, BIRN i dërgoi në janar 2019 një kërkesë për të drejtë informimi AKSHI-t, ku kërkohej një kopje e kontratës. Fillimisht AKSHI refuzoi të përgjigjej, por pas ankesës së BIRN pranë Komisionerit për të Drejtë Informimi, u detyrua të përgjigjet duke thënë se kontrata ishte “sekret” dhe si e tillë, nuk mund të jepej.

Më vonë, pas një ankese të dytë të BIRN, AKSHI u detyrua të zbatojë pikën 5 të nenit 17 të ligjit “Për të Drejtë Informimi,” ku sanksionohet detyrimi i institucionit publik të rivlerësojë sekretin shtetëror në rastet kur përballet me një kërkesë informimi. AKSHI deklaroi se e deklasifikoi në mënyrë të pjesshme kontratën, duke njoftuar vlerën dhe afatin e saj të zbatimit (12 muaj), por jo shumën e siguruar apo detyrimet e Albsig në rast ngjarjeje siguruese.

AKSHI nuk iu përgjigj një kërkese për koment të dërguar nga BIRN në muajin mars, ku pyetej se me çfarë forme prokurimi e kishte realizuar kontratën, nëse bëhej fjalë për garë apo prokurim të drejtpërdrejtë, si dhe për çfarë arsyesh kishte gjykuar të nevojshme mbajtjen e kësaj kontrate si “sekret shtetëror”.

AKSHI nuk iu përgjigj gjithashtu pyetjes se si ishte llogaritur primi dhe as se çfarë përfitimesh pret të ketë autoriteti kontraktor nga ky shpenzim i parave të taksapaguesve.

Kosto shtesë

Gjatë qeverisë së ish-kryeministrit të djathtë Sali Bersha në vitet 2009-2013, kontratat e klasifikuara sekret i përkisnin tërësisht institucioneve të sigurisë. Nga 20 kontrata të tilla, tetë i përkasin Prokurorisë së Përgjithshme, dhjetë i përkasin Shërbimit Informativ dhe 2, Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

Ndërkohë pas vitit 2013, institucione të tjera filluan të klasifikojnë kontrata shpenzimesh publike si sekret shtetëror. AKSHI është institucioni që shënon një rekord në këtë drejtim, me 18 kontrata më 2017 dhe 28 kontrata më 2018. Në krahasim me këtë, Shërbimi Informativ, që supozohet se ka sekrete për të ruajtur, gjatë vitit 2018 e pa të arsyeshme për të klasifikuar sekret vetëm gjashtë kontrata prokurimesh publike.

Një nga institucione që ka përdorur klasifikimin sekret për prokurimet e mbajtura pas vitit 2013 është dhe Këshilli i Ministrave. Zyra e kryeministrit nënshkroi një kontratë të klasifikuar sekret në vitin 2017 dhe një tjetër në vitin 2018. Kontrata sekrete e kryeministrisë është e lidhur me kompaninë AD – Star dhe Këshilli i Ministrave ka bërë një pagesë prej 56 milionë lekësh më 18 dhjetor 2018.

AD – Star është një kompani ndërtimi me seli qendrore në Këlcyrë. Duke qenë se kontrata është sekret, nuk është e mundur të mësohet se çfarë procedure tenderimi është ndjekur për realizimin e kësaj kontrate dhe se çfarë punimesh janë bërë.

Kryeministria është vetëm një nga institucionet që kanë filluar të bëjnë kontrata sekrete. Një institucion tjetër nën varësinë e kryeministrit, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila merret me shërbimet për qeverinë apo zyrtarë të tjerë të lartë, të tilla si shtëpi pushimi apo komoditete të tjera si pritje dhe përcjellje, ka bërë 26 kontrata sekrete gjatë periudhës 2015-2019 – nga zero kontrata të tilla më parë. Nga këto, 12 kontrata janë realizuar vetëm gjatë vitit 2018.

BIRN nuk ishte në gjendje të identifikonte kontratat sekrete të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, por nga analiza e shpenzimeve të këtij institucioneve rezultoi se shumica e shpenzimeve të tenderuara lidheshin me hidroizolime vilash qeveritare, mobilime, shërbime mediatike dhe ekrane me qira.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, procedurat e prokurimit sekrete sjellin kufizim të dukshëm të garës midis operatorëve ekonomikë, duke prodhuar kosto shtesë për taksapaguesit.

“Në lidhje me procedurat e prokurimit u konstatua se, në procedurat e prokurimit ushtarake dhe sekrete, që nuk zhvillohen në zbatim të rregullave të prokurimin publik (pra jo nëpërmjet sistemit elektronik të APP, por me “Zarfe në dorë” efekti i garës nga konkurrenca, është dukshëm negativ, çka tregohet mbi të gjitha në fitimin e tenderëve me vlerë të plotë, duke bërë që kursimi i fondeve në këto raste të jetë pothuajse 0 (zero),” shkruan KLSH në raportin vjetor të performancës në vitin 2018.

Për të nxjerrë në dukje efektet negative në buxhetin e shtetit, KLSH analizoi diferencat mes vlerave për zëra konkretë të mallrave, shërbimeve dhe punëve të realizuara nëpërmjet procedurave të ligjit të prokurorimit publik dhe atyre të realizuar nëpërmjet procedurave ushtarake dhe sekrete, nga ku rezultoi se kostot sipas procedurave të prokurimeve ushtarake dhe të klasifikuara “sekret”’ ishin minimalisht, rreth 10-20% më të larta, ose në vlerë mbi 720 milionë lekë më shumë. Nisur nga këto probleme, KLSH, ka kërkuar përmirësimin e legjislacionit për prokurimet sekrete.

“Është pikërisht baza ligjore që lejon realizimin e procedurave pa konkurrencë, vakumi i të cilave është shfrytëzuar mjaft mirë nga autoritetet kontraktore, duke sjell kështu, efekte negative të konsiderueshme në dëm të buxhetit të shtetit,” shton KLSH.

Të shqetësuar për rritjen e numrit të prokurimeve sekrete janë dhe aktorë të shoqërisë civile, të cilët ngjashëm me Kontrollin e Lartë të Shtetit shprehen se klasifikimi si sekret shtetëror i tenderave mbyt konkurrencën.

“Të dhënat për tenderët e klasifikuar nuk janë publike, çfarë i jep mundësi autoritetit kontraktor të përzgjedhë një operator edhe pse jo gjithmonë klasifikimi është i justifikuar,” tha Redion Qirjazi, menaxher i programit të sigurisë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë. “Kjo nuk është një praktikë prokurimi standarde dhe auditet e KLSH-së kanë treguar kufizim të konkurrencës me tenderat e klasifikuar,” shtoi ai. /Burimi: Birn



Ju sugjerojmë

Zëdhënësi i OKB-së: Ende nuk janë shpërndarë ndihma në Gaza
Bota

Zëdhënësi i OKB-së: Ende nuk janë shpërndarë ndihma në Gaza

20 Maj, 2025 10:38 pm
Izraeli njofton përshkallëzim të operacioneve në Gaza:Hamasi do të paguajë çmimin…
Bota

Izraeli njofton përshkallëzim të operacioneve në Gaza:Hamasi do të paguajë çmimin…

20 Maj, 2025 10:06 pm
Institucionet s’reaguan/ Si mund të ishte parandaluar vrasja e 34-vjeçarit në Has
Aktualitet

Institucionet s’reaguan/ Si mund të ishte parandaluar vrasja e 34-vjeçarit në Has

20 Maj, 2025 9:33 pm
Pensionet me Italinë,Manjani:Pagesa përfitohet sipas viteve të punës në secilin vend
Kryesore

Pensionet me Italinë,Manjani:Pagesa përfitohet sipas viteve të punës në secilin vend

20 Maj, 2025 9:04 pm
Rubio: Nuk ka deportime të palestinezëve nga Gaza në Libi
Bota

Rubio: Nuk ka deportime të palestinezëve nga Gaza në Libi

20 Maj, 2025 8:42 pm
Gjermani: Shtohet dukshëm numri i sulmeve me thika
Bota

Gjermani: Shtohet dukshëm numri i sulmeve me thika

20 Maj, 2025 8:38 pm
1/3 e automjeteve ngel në kolaudim
Aktualitet

1/3 e automjeteve ngel në kolaudim

20 Maj, 2025 8:24 pm
Kallas javën e ardhshme viziton Ballkanin Perëndimor
Bota

BE-ja heqë sanksionet ekonomike ndaj Sirisë

20 Maj, 2025 8:18 pm
Rama intervistë për televizionin austriak: Anëtarësimi në BE, mundësi historike!
Politikë

Rama intervistë për televizionin austriak: Anëtarësimi në BE, mundësi historike!

20 Maj, 2025 8:08 pm
Anija shqiptare shpëton 13 emigrantë në Egje
Aktualitet

Anija shqiptare shpëton 13 emigrantë në Egje

20 Maj, 2025 8:07 pm
Para
Horoskopi/ Si do të jetë dita juaj sot, mësoni çfarë thonë shenjat

Horoskopi 28 Maj 2019

Moti sot, vranësira dhe reshje të dobëta shiu

Moti për ditën e sotme 28 Maj 2019

Dy veteranët e luftës përfundojnë maturën në moshën 95 dhe 85 vjeçare

Dy veteranët e luftës përfundojnë maturën në moshën 95 dhe 85 vjeçare
















TE FUNDIT

Zëdhënësi i OKB-së: Ende nuk janë shpërndarë ndihma në Gaza

Zëdhënësi i OKB-së: Ende nuk janë shpërndarë ndihma në Gaza
20 Maj, 2025

Një zëdhënës i Organizatës së Kombeve të Bashkuara tha se ende nuk është shpërndarë asnjë ndihmë në Gaza. Sipas mediave...

Lexo më shumë

Izraeli njofton përshkallëzim të operacioneve në Gaza:Hamasi do të paguajë çmimin…

Izraeli njofton përshkallëzim të operacioneve në Gaza:Hamasi do të paguajë çmimin…
20 Maj, 2025

Ushtria izraelite do të përshkallëzojë operacionet e saj kundër lëvizjes Hamas në Rripin e Gazës, duke pushtuar më shumë territor...

Lexo më shumë

Institucionet s’reaguan/ Si mund të ishte parandaluar vrasja e 34-vjeçarit në Has

Institucionet s’reaguan/ Si mund të ishte parandaluar vrasja e 34-vjeçarit në Has
20 Maj, 2025

Lidhur me vrasjen e ndodhurmë 7 maj të këtij viti në fshatin Tpla të Krumës në Has, emisioni “Stop” ndalet...

Lexo më shumë

Pensionet me Italinë,Manjani:Pagesa përfitohet sipas viteve të punës në secilin vend

Pensionet me Italinë,Manjani:Pagesa përfitohet sipas viteve të punës në secilin vend
20 Maj, 2025

Marrëveshja dypalëshe e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë do tu japi mundësinë qytetarëve shqiptarë, por edhe italianë që të bashkojnë...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com