Aktualitet

Qeveria e re, Kurti uron Ramën: Të gatshëm për rritjen e bashkëpunimit


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 15:33 - 17/09/21 |
Opi Nion

Pas votimit në Kuvend të kabinetit Rama 3, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urimi kryeministrit Edi Rama.

Në letër Kurti shkruan se ky mandat i tretë është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte të cilat priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit.

Më tej ai shkruan se shpreson që në këtë mandat të tretë Shqipëria do të shohë progres të gjithanshëm si dhe fton Ramën në bashkëpunim për avancimin e parimeve demokratike, luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, evazionit fiskal, etj.

“Unë jam me shpresë se në këtë mandat Shqipëria do të shoh progres të gjithanshëm. Së bashku mund të punojmë në avancimin e parimeve demokratike, në luftimin e krimit dhe korrupsionit, të evazionit fiskal e informalitetit në të dy anët e kufirit dhe të angazhohemi për më shumë drejtësi dhe të drejta e për më shumë barazi e mirëqenie për shqiptarët në gjithë rajonin. Kosova dhe qytetarët e saj i gëzohen tej mase zhvillimit dhe progresit të Shqipërisë të cilën e kanë përherë në mendje dhe zemër”, thuhet në letër.

Letra e plotë e Kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia Juaj,

Me rastin e zgjedhjes suaj për herë të tretë Kryeministër i Republikës së Shqipërisë pranoni ju lutem urimet më të përzemërta në emrin tim dhe të Qeverisë së Kosovës.

Mandati juaj i tretë vjen në një kohë me plot sfida. Përballja me COVID-19, rimëkëmbja e ngritja ekonomike dhe zhvillimi e konsolidimi i institucioneve demokratike janë vetëm disa nga sfidat të cilat kërkojnë angazhimin tuaj maksimal. Sfida këto në të cilat, Republika e Shqipërisë mund të llogarisë në mbështetjen e pa rezervë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ky mandat i tretë është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte të cilat kaherë priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit. Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe e shkëmbimit tregtar dhe integrimi i tregut duke hequr barrierat mes shqiptarëve në radhë të parë paraqesin mundësi të shkëlqyer, për realizimin e të cilave qeveria ime dhe unë mbetemi në gatishmëri të plotë.

Unë jam me shpresë se në këtë mandat Shqipëria do të shoh progres të gjithanshëm. Së bashku mund të punojmë në avancimin e parimeve demokratike, në luftimin e krimit dhe korrupsionit, të evazionit fiskal e informalitetit në të dy anët e kufirit dhe të angazhohemi për më shumë drejtësi dhe të drejta e për më shumë barazi e mirëqenie për shqiptarët në gjithë rajonin. Kosova dhe qytetarët e saj i gëzohen tej mase zhvillimit dhe progresit të Shqipërisë të cilën e kanë përherë në mendje dhe zemër.

Në Shqipëri, Kosova dhe shqiptarët kudo në rajon e në botë shohin më shumë se përkrahësin e natyrshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe zhvillimit të gjithmbarshëm të tyre.

Duke ju uruar suksese gjatë mandatit tuaj qeverisës dhe me kënaqësinë që shkëlqesia juaj të vizitojë Kosovën në një kohë të përshtatshme për Ju, e të fillojmë përgatitjet për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, pranoni përshëndetjet më të sinqerta dhe konsideratën më të lartë.

Albin Kurti

Kryeministër i Republikës së Kosovës

 

Pas