Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Qeveria e re gjermane duhet të bëjë një kthesë strategjike në dialogun Kosovë-Serbi

2025/05/17 at 4:29 PM
në Bota, Te Fundit
Kohë leximi: 6 min
A A
Merz zgjidhet kancelari i ri i Gjermanisë në raundin e dytë të votimit

Qeveria e re e Gjermanisë, e udhëhequr nga Friedrich Merz, duhet të marrë një rol udhëheqës në politikën e Bashkimit Evropian (BE) ndaj Ballkanit Perëndimor, dhe të kontribuojë në zhvillimin e një qasjeje strategjike ndaj rajonit, vlerëson Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL).


Lideri i demokristianëve gjermanë, Merz, bëri betimin në Bundestag më 6 maj, dhe u bë kancelari i dhjetë në historinë e Gjermanisë, pasi siguroi shumicën e nevojshme vetëm në rundin e dytë të votimit.

Sa i përket qasjes së Gjermanisë ndaj dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, Weber vlerëson se Berlini, në vend që të rifillonte me themel këtë proces, doli me propozimin franko-gjerman, çka çoi në “shkatërrimin e plotë të dialogut politik” dhe në dy marrëveshje që, sipas tij, nuk ekzistojnë në realitet.

Sipas Weberit, Qeveria e re e Gjermanisë duhet të ndërmarrë një “kthesë strategjike” ndaj Serbisë dhe ndaj politikës së regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq, në mënyrë që dialogu politik të mos fundoset.

Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, të cilën Kosova dhe Serbia e pranuan më 2023, fillimisht ishte e njohur si plani franko-gjerman, dhe u mbështet nga BE-ja dhe vendet perëndimore. Më pas, u dakordua edhe një aneks për zbatimin e marrëveshjes, por në praktikë thuajse asgjë nuk është realizuar.

Weber thotë për REL-in se mbetet për t’u parë nëse Gjermania ka apo po ndërton një strategji të përshtatshme të politikës së jashtme, por se me siguri do të shprehë shqetësime për “aktorët e tretë me ndikim të dëmshëm në Ballkan”.

Radio Evropa e Lirë: Z. Weber, si do ta përshkruanit strategjinë e politikës së jashtme të Qeverisë së kancelarit Merz? Si ndryshon ajo nga politikat e paraardhësve të tij, Olaf Scholz dhe Angela Merkel?

Bodo Weber: Është ende herët për të gjykuar. Me vizitat në Paris dhe Varshavë, që në ditën e parë të mandatit, si dhe me vizitën e përbashkët në Kiev, me homologët nga Franca, Britania dhe Polonia, kancelari Merz dërgoi një sinjal të fortë se Gjermania do të marrë një rol udhëheqës në kuadër të BE-së, në nivel global. Politika e qeverisë së re është përcaktuar që gjatë negociatave të koalicionit, në dritën e sjelljes së presidentit amerikan, Donald Trump, dhe administratës së tij ndaj Ukrainës dhe BE-së, me theks të veçantë në forcimin e politikës së përbashkët të sigurisë së BE-së, bazuar në bindjen se SHBA-ja është tërhequr nga Evropa si partnere vlerash.

Megjithatë, hapat e parë, si vizita në Ukrainë dhe nisma e përbashkët BE-SHBA për armëpushim, të shoqëruar me deklarata se SHBA-ja mbetet partneri kryesor, rezultuan të pafrytshme, siç u pa kur Trump e braktisi nismën dhe u dorëzua para Vladimir Putinit. Do të shohim se si do të zhvillohet më tej.

Megjithatë, qeveria e re dhe kancelari i ri po theksojnë nevojën për një politikë më vendimtare në planin evropian dhe ndërkombëtar. Pyetja mbetet nëse do të kenë strategjinë e nevojshme.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë roli mendoni se duhet të luajë Gjermania në politikën e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor?

Bodo Weber: Gjermania duhet të marrë përsëri rolin udhëheqës në politikën e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, dhe të ndihmojë në krijimin e një politike strategjike për rajonin – diçka që BE-së i ka munguar për më shumë se dy dekada – përfshirë edhe nevojën urgjente për një kthesë ndaj Serbisë dhe një qasje më politike ndaj krizës në Bosnje.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni angazhimin e kësaj qeverie në kuadër të Procesit të Berlinit?

Bodo Weber: Ndryshe nga ardhja e qeverisë së mëparshme të Scholzit, kur nuk ishte e qartë nëse kancelari kishte ndër mend të vazhdonte me Procesin e Berlinit, kësaj here marrëveshja e koalicionit njofton qartësisht vazhdimin e tij. Pra, Berlini mbetet i përkushtuar ndaj këtij procesi.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të qaset Gjermania ndaj procesit të zgjerimit të BE-së, duke pasur parasysh kontekstin politik në BE dhe zhvillimet në rajon?

Bodo Weber: Aktualisht, kjo është e paqartë – ashtu si e gjithë politika ndaj Ballkanit Perëndimor. CDU/CSU [Unioni Demokristian/Unioni Socialkristian], gjatë kohës në opozitë, ka mbështetur konceptin e anëtarësimit të shkallëzuar, që, sipas meje, është një koncept i dështuar dhe, në fakt, një mënyrë për të refuzuar anëtarësimin e plotë, duke ofruar një status të dorës së dytë. Në negociatat për koalicion, socialdemokratët arritën ta neutralizojnë këtë koncept. Megjithatë, marrëveshja përmend nevojën për reformimin e brendshëm të BE-së, për të pranuar anëtarë të rinj – një kërkesë që ekzistonte edhe më herët, por pa sukses. Problemi kryesor i politikës gjermane është se, për tre dekada, nuk ka dhënë kontribut serioz në debatin strategjik për të ardhmen e BE-së dhe, rrjedhimisht, as për të ardhmen e zgjerimit.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë roli mund të luajë Gjermania në dialogun Kosovë-Serbi, veçanërisht nën udhëheqjen e kancelarit Merz?

Bodo Weber: Qeveria e re konservatore përballet me trashëgiminë e dialogut politik që nisi kancelarja Merkel, me përkrahjen e deputetëve konservatorë. Nën Scholzin, në vend të një rivendosjeje të thellë të dialogut, pas episodit të rrezikshëm të shkëmbimit të territoreve, Qeveria gjermane ndërmori iniciativën franko-gjermane me një vullnet të pamjaftueshëm politik, dhe duke vazhduar politikën e dështuar të pajtimit ndaj regjimit të Vuçiqit. Rezultati ishte shembja e dialogut, dhe dy marrëveshje që, në fakt, nuk ekzistojnë.

Pyetja është nëse Qeveria e re gjermane do të këmbëngulë në këto marrëveshje të papërmbushura, apo do të ketë guximin të nxisë një rinisje të thellë të dialogut – për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare. Kjo do të kërkonte një kthesë strategjike të politikës së BE-së ndaj Serbisë, duke mos e trajtuar regjimin e Vuçiqit si partner vlerash. Por, kjo do të nënkuptonte edhe ndërprerjen e marrëdhënies së CDU-së me “partinë motër” SNS [Partia Progresive Serbe]. Mbetet për t’u parë nëse CDU-ja dhe Merz kanë forcën për këtë. Në të kundërt, dialogu do të thellohet edhe më shumë në krizë, dhe BE-ja do të humbasë më shumë kredibilitet si aktor demokratik, në Kosovë dhe në Serbi.

Radio Evropa e Lirë: Vitin e kaluar, Gjermania dhe Franca e kushtëzuan mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. A do ta mbajë Gjermania këtë qëndrim?

Bodo Weber: Ndryshe nga Parisi, Gjermania ka qenë më e butë në kushtëzimin për aplikimin e Kosovës për Këshillin e Evropës. Nëse Berlini do të vazhdojë me këtë politikë për Asociacionin – në mungesë të një kuadri strategjik – mbetet për t’u parë, dhe do të varet nga ajo nëse do të ketë kthesë strategjike në politikën ndaj dialogut.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të zhvillohet mbështetja bilaterale e Gjermanisë ndaj Kosovës me këtë qeveri – sidomos për sa i përket kushteve politike apo ndihmës për zhvillim?

Bodo Weber: Pres që marrëdhëniet bilaterale të mbeten të qëndrueshme. Me suksesin e socialdemokratëve, që kundërshtuan bashkimin e ministrisë së Zhvillimit me atë të Punëve të Jashtme gjatë negociatave për koalicion, u kufizua automatikisht mundësia për të ulur fondet për ndihmën zhvillimore në përgjithësi – përfshirë edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky është një sinjal i rëndësishëm, veçanërisht në kohën kur USAID-i [Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar] është tërhequr, dhe disa vende të BE-së kanë ulur ndjeshëm ndihmën.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë qasje mund të ketë Gjermania ndaj pranisë në rritje të aktorëve të jashtëm, si Rusia, Kina apo Turqia, në Ballkanin Perëndimor?

Bodo Weber: Gjermania, si deri tani, do të mbetet e shqetësuar nga veprimet e aktorëve të dëmshëm në Ballkan. Por, mbetet për t’u parë nëse SHBA-ja, nën administratën Trump, do t’u bashkohet këtyre aktorëve që minojnë interesat e sigurisë dhe vlerave të BE-së në rajon. Vetëm përmes një politike vendimtare dhe strategjike të BE-së mund të përballohen me sukses këta aktorë – dhe për këtë nevojitet udhëheqje serioze nga Gjermania.



Ju sugjerojmë

Bovilla, e panjohur për potencialin arkeologjik
Aktualitet

Bovilla, e panjohur për potencialin arkeologjik

7 Qershor, 2025 5:24 pm
Zgjedhjet në dy komuna të vogla të Serbisë, test për pushtetin e Vuçiç
Rajoni

Zgjedhjet në dy komuna të vogla të Serbisë, test për pushtetin e Vuçiç

7 Qershor, 2025 5:10 pm
Shqipëri-Serbi/Tirana “vishet” kuqezi, tifozët nisin grumbullimin
Kryesore

Shqipëri-Serbi/Tirana “vishet” kuqezi, tifozët nisin grumbullimin

7 Qershor, 2025 4:54 pm
Duka:Fitorja me Serbinë shijon sa Botërori,shpresoj të ketë përçarje te kundërshtari
Kryesore

Duka:Fitorja me Serbinë shijon sa Botërori,shpresoj të ketë përçarje te kundërshtari

7 Qershor, 2025 4:46 pm
U rrëzua duke eksploruar Majën e Rosit, gjendet pas dy orësh turisti gjerman
Aktualitet

U rrëzua duke eksploruar Majën e Rosit, gjendet pas dy orësh turisti gjerman

7 Qershor, 2025 4:40 pm
Sollën makinën e përdorur në vrasjen e Ermir Dedjas, lihen në burg 2 të akuzuarit
Kronikë

Sollën makinën e përdorur në vrasjen e Ermir Dedjas, lihen në burg 2 të akuzuarit

7 Qershor, 2025 4:19 pm
Euro U-17 në Shqipëri/ Duka: Ishim afër rekordit, vetëm në Gjermani ka pasur…
Kryesore

Euro U-17 në Shqipëri/ Duka: Ishim afër rekordit, vetëm në Gjermani ka pasur…

7 Qershor, 2025 4:11 pm
Rrjet spiunazhi serb në Kosovë? Kurti: Përpjekje të Serbisë për destabilizim!
Rajoni

Rrjet spiunazhi serb në Kosovë? Kurti: Përpjekje të Serbisë për destabilizim!

7 Qershor, 2025 3:46 pm
Gjermania tre vite afat për të riorganizuar ushtrinë
Bota

Gjermania tre vite afat për të riorganizuar ushtrinë

7 Qershor, 2025 3:29 pm
Tre persona të vrarë në sulmin “më të fuqishëm” të Rusisë në Harkiv
Bota

Tre persona të vrarë në sulmin “më të fuqishëm” të Rusisë në Harkiv

7 Qershor, 2025 3:18 pm
Para
Tornadot godasin dy shtete të SHBA-së, raportohen viktima dhe të plagosur

Tornadot godasin dy shtete të SHBA-së, raportohen viktima dhe të plagosur

Gjekmarkaj feston ditëlindjen në Parkun Olimpik, surprizohet me tortë nga deputetja

Gjekmarkaj feston ditëlindjen në Parkun Olimpik, surprizohet me tortë nga deputetja

Pas kaosit disamujor, rumunët bëhen gati ta zgjedhin presidentin

Pas kaosit disamujor, rumunët bëhen gati ta zgjedhin presidentin
















TE FUNDIT

Bovilla, e panjohur për potencialin arkeologjik

Bovilla, e panjohur për potencialin arkeologjik
7 Qershor, 2025

“Bovilla është e njohur si destinacion turistik, por e panjohur për një potencial të madh arkeologjik që ajo mbart. Objektet...

Lexo më shumë

Zgjedhjet në dy komuna të vogla të Serbisë, test për pushtetin e Vuçiç

Zgjedhjet në dy komuna të vogla të Serbisë, test për pushtetin e Vuçiç
7 Qershor, 2025

Zgjedhjet lokale të 8 qershorit në Kosjeriq dhe Zajeçar - komuna në perëndim dhe në lindje të Serbisë - pritet...

Lexo më shumë

Shqipëri-Serbi/Tirana “vishet” kuqezi, tifozët nisin grumbullimin

Shqipëri-Serbi/Tirana “vishet” kuqezi, tifozët nisin grumbullimin
7 Qershor, 2025

Ndonëse duhen edhe disa orë nga ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë, atmosfera në kryeqytet është ndezur nga tifozët. Të shumtë...

Lexo më shumë

Duka:Fitorja me Serbinë shijon sa Botërori,shpresoj të ketë përçarje te kundërshtari

Duka:Fitorja me Serbinë shijon sa Botërori,shpresoj të ketë përçarje te kundërshtari
7 Qershor, 2025

Ashtu si të gjithë tifozët, edhe presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Dukën, e kanë përfshirë emocionet, në prag...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com