Komisioni Europian ka reaguar lidhur me vendimin e qeverisë italiane për kthimin e kampit të Gjadrit në qendër ndalimi dhe riatdhesimi për emigrantët.
Masa, sipas Brukselit, “është në parim në përputhje me të drejtën europiane , sepse legjislacioni italian do të zbatohej në qendër dhe ne monitorojmë zbatimin e protokollit Itali-Shqipëri, përveçse në kontakt”.
Kjo ka qenë përgjigjja e një zëdhënësi të Komisionit i pyetur për dekretligjin që qeveria italiane miratoi të premten e kaluar, shkruan Corriere della Sera.
“Për sa i përket zgjidhjeve inovative, ne kemi thënë se jemi të gatshëm t’i eksplorojmë, gjithmonë në përputhje me detyrimet e të drejtës së BE-së dhe ndërkombëtare dhe të drejtave themelore”.
Markus Lammert, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punët e Brendshme dhe Emigracionin, i është përgjigjur në këtë mënyrë gjatë konferencës ditore të Ekzekutivit Komunitar, një gazetari që kishte kërkuar konfirmimin e deklaratës së ministrit të Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, sipas të cilit Komisioni Evropian nuk kishte paraqitur kundërshtime ndaj dekretit italian që shndërron qendrat e emigrantëve të ndërtuara në Gjadër në qendra riatdhesimi.
Vendimi lejon transferimin në Shqipëri të emigrantëve në pritje të dëbimit, të cilëve u është hequr tashmë e drejta e azilit.
Masa parashikon që emigrantët mund të qëndrojnë në mjedise deri në 18 muaj, kohë e nevojshme për të përfunduar procedurat e dëbimit në vendet e tyre të origjinës.