Nga Astrit Patozi
Përvjetorët nuk do të kishin shumë vlerë, nëse do të shërbenin vetëm për ushqimin e nostalgjisë së veteranëve, sado dekorata të mbanin ata në gjoks. Nga kjo ligjësi nuk mund të bëjë përjashtim, as ditëlindja e Partisë Demokratike, me gjithë peshën e saj të rëndë në historinë moderne të Shqipërisë.
Ato, mbi të gjitha, janë ftesë për të bërë një bilanc, për atë që ka ndodhur nga dita e themelimit, por edhe nga njëri përvjetor në tjetrin. I kërkoj ndjesë çdo anëtari të Partisë Demokratike, që mund të ndjehet i lënduar nga të vërtetat që do të them më poshtë, por nuk është aspak qëllimi im të trazoj emocionet e tyre, e aq më pak të prish festën time.
Por jam i detyruar ta bëj nga përgjegjësia që ndjej, për të bërë aq sa mundem, për shpëtimin e saj. Unë nuk e pranoj dot që ne sot duhet të mburremi vetëm me lavdinë tonë të dikurshme, ndërkohë që kemi shumë pak ose aspak për të thënë për të sotmen, le më pastaj për të ardhmen.
Kam bindjen e thellë se hipokrizia dhe sidomos patetizmi nuk na shërbejnë për ta nxjerrë Partinë Demokratike nga boshllëku dhe rrënimi. E vetmja gjë për të cilën kemi nevojë sot është një sens realizmi, i cili do të shërbente për të parë në sy defektet dhe për të ndërtuar me urgjencë një projekt rindërtimi dhe ringritjeje, për ta kthyer atë, jo thjesht në pushtet, por në vendin që i takon, si gjenerator i shoqërisë shqiptare.
Të nderuar demokrate dhe demokratë,
27 vjet pas themelimit të saj Partia Demokratike e sheh veten në kuotën më të ulët të peshës së saj politike dhe të ndikimit të vet në zhvillimin e Shqipërisë. Është një rënie në pikiadë, e rëndë dhe e pamerituar për dhjetëra e mijëra demokratë të përkushtuar, të cilët iu bashkuan asaj në kohë të ndryshme, që nga dhjetori i 90-ës e deri më sot.
Arsyeja nuk ka të bëjë aspak me fundin e një cikli të natyrshëm për një parti dhe aq më pak është konspirative apo gjeopolitike.
Partia Demokratike po vuan sot pasojat dramatike të drejtimit të gabuar, që e ka larguar atë shumë prej misionit dhe traditës së vet, duke e shndërruar me shpejtësi në një forcë politike të pafuqishme, të vjetëruar dhe që nuk frymëzon më askënd.
Për shkak të keqmenaxhimit të saj, sidomos në 4 vitet e fundit, demokratët në mbarë vendin gjenden sot në një pozitë të vështirë, që nuk ka të bëjë thjesht me shifrat dëshpëruese të humbjeve në zgjedhjet e fundit. Përtej tyre, lidershipi i Lulzim Bashës i ka shkatërruar gati plotësisht të gjitha kolonat kryesore, që mbajnë në këmbë dhe të karikuar një parti politike moderne.
Ndaj më shumë se çështje numrash në parlament apo këshilla bashkiake, kriza e Partisë Demokratike ka të bëjë me deformimet e rënda në përfaqësimin e saj, personalizimin total të vendimmarrjes, shtërpësinë e ideve dhe sidomos me hedhjen në erë të çdo instrumenti garantues për karrierën politike brenda saj.
Praktikisht, në vend të një partie politike, ku çdo anëtar dhe votues ka aksionet e tij, kemi mbërritur tek një kompani jorentabël biznesi me një pronar të vetëm. Forca politike që përmbysi diktaturën përmes zgjedhjeve, është katandisur gradualisht në një organizatë kaotike, ku nuk ka më asnjë vlerë vota e anëtarëve, e cila as nuk numurohet dhe as nuk respektohet.
Farsa e rizgjedhjes së kryetarit humbës më 22 korrik është shembulli më i shëmtuar i deformimit dhe i manipulimit të votës dhe një karshillëk i hapur, jo vetëm për anëtarësinë e partisë, por për gjithë publikun shqiptar. Pas konsumimit të saj, kauza e drejtë për zgjedhjet e lira në Shqipëri është kompromentuar në mënyrë të pariparueshme, sepse opozita sot, për shkak të hallit personal të Lulzim Bashës, ka humbur kartën morale që t’i kërkojë kundërshtarit një gjë që nuk e bën vetë.
Partia Demokratike është duke korrur sot frutet e hidhura të një koncepti anakronik dhe tribal për politikën dhe shtetndërtimin, që kulmoi në marrëveshjen e 18 majit, efektet e së cilës sollën, jo vetëm humbjen shkatërruese në zgjedhjet e 25 qershorit, por edhe gjendjen e pashpresë të opozitës me nisjen e sezonit të ri politik.
Është hera e parë në historinë e Shqipërisë pas rënies së komunizmit, që opozita humbet dhe mbështetja e saj bie dhe kur mazhoranca qeveris keq.
Dhe vijmë sot në këtë përvjetor në një situatë depresioni politik, kur ndonëse reputacioni dhe legjitimiteti i mazhorancës së Edi Ramës kanë pësuar një goditje të fortë, nuk ndjehet fare që kjo të ketë ndikuar për rritjen e optimizmit dhe të besimit tek Partia Demokratike.
Për herë të parë në historinë e vet forca politike, që solli demokracinë në Shqipëri, gjendet në një inferioritet të madh, jo thjesht numerik, në raportin me rivalin e vet kryesor.
Që prej fushatës elektorale në zgjedhjet e fundit, ku kryetari i Partisë Demokratike u trajtua me humor si një djalë i mirë dhe i pafajshëm, e deri më sot, opozita humbet rregullisht çdo ballafaqim me kundërshtarin, dhe kjo ndjehet sidomos në parlament, që është edhe tribuna më e rëndësishme e politikës.
Dhe pyetja e parë që i vjen ndërmend çdo shqiptari është se përse ndodh kështu. Si ka mundësi që pak vite më parë, me rënien e besimit tek Partia Demokratike, përfitonte qartazi dhe dukshëm Edi Rama, dhe kur ku i fundit gjendet në vështirësi ekstreme, askush nuk i kthen sytë tek Lulzim Basha?
Çfarë “revolucioni”, që nuk e kemi parë, ka ndodhur tek e djathta, apo tek PD-ja në veçanti, në këto 27 vjet, që i lejojnë një politikani mediokër të ketë pushtet të ngjashëm me atë sistem që përmbysëm në vitet 90?
Si ka mundësi që edhe pas më shumë se 6 muajsh askush nuk e di se si u arrit, çfarë u vendos dhe a vijon ose jo marrëveshja politike me Noriegën e narkotrafikut, kryehajdutin dhe trafikantin e votave apo shefin e mafias dhe të krimit në Shqipëri? Edhe shoku Enver, kur prishej ose kur lidhej me Bashkimin Sovjetik apo me Kinën, harxhonte shumë kohë dhe energji për ta bindur popullin se po bënte gjënë e duhur.
Dikush duhet t’u shpjegojë demokratëve, jo vetëm në Skrapar, se çfarë mrekullie ndodh që një parti shqiptare, si LSI-ja, në mars ishte paterica e Edi Ramës, në prill u shndërrua në shpresën e vetme të popullit për të përmbysur qeverinë e drogës, në qershor ishte e keqja më e madhe e kombit, por në shtator u bë aleatja kryesore e Partisë Demokratike.
Si ka mundësi që ëndrra e bukur e Republikës së Re nuk përmendet më nga askush, ndërkohë që mbajti gati 5 muaj ndezur motorin e popullit opozitar, a thua se ishte prezervativ dhe jo një projekt politik?
Cili është kufiri që ndan qeverinë dhe opozitën, të majtën dhe të djathtën, të mirën dhe të keqen, përtej faktit që e kemi për detyrë te denoncojmë Edi Ramën dhe çdo socialist tjetër si problemin e vetëm që ka ky vend?
A ka ndonjë arsye apo diferencë thelbësore se përse shqiptarët, kur mërziten me të drejtë nga qeveria, të kthejnë sytë e shpresës nga opozita, apo duhet ta zgjedhin atë thjesht se i vjen radha apo si të keqen më të vogël?
Këto janë vetëm disa nga pyetjet e natyrshme që mund të shtrohen përballë çdo anëtari dhe votuesi të Partisë Demokratike në këto ditë të vështira për të djathtën dhe përfaqësimin e saj politik në Shqipëri.
Por mbi të gjitha, a ka ndonjë dëshmitar në PD, që të mbajë mend ndonjë fitore që kemi arritur, kur i kemi pasur duart e zëna me “armikun e brendshëm”? Ndoshta është sot rasti të kujtojmë se në vitin 2005, megjithëse Partia Demokratike hapi dyert katërkanatash për të gjithë të larguarit e vet, arriti të fitojë me shumë vështirësi falë aplikimit më të mirë të sistemit, sepse në votë popullore humbi me gati 60 mijë vota, në përballjen kokë për kokë me Partinë Socialiste.
Sigurisht ky shembull mund të mos ketë shumë rëndësi për Lulzim Bashën dhe për këdo tjetër që mendon si ai se është më mirë një kasolle, që ta kesh të gjithën tënden, sesa një ndërtesë madhështore, ku të kenë pjesë edhe të tjerët. Por besoj, se kjo vlen shumë për çdo anëtar dhe kontributor real të Partisë Demokratike në vite.
Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike,
Çfarëdo që të bëjmë dhe themi sot, në këtë përvjetor, secili prej nesh që kemi pasur një mandat të caktuar politik në vite, jemi borxhli ndaj jush, e para se nuk ju kemi vlerësuar kurrë në përmasat e kontributit tuaj të çmuar. Por mbi të gjitha, për katandisjen e sotme të forcës sonë politike. Natyrisht, jo të gjithë kemi përgjegjësinë e Lulzim Bashës, sepse ajo është individuale dhe po aq e matshme.
Por ajo që ka vlerë sot është e ardhmja jonë, e cila nuk është thjesht perspektiva e një partie politike, por është në fakt Shqipëria e nesërme.
Ndaj do të doja të ftoja sot modestisht çdo anëtar dhe votues të Partisë Demokratike, por pse jo dhe çdo shqiptar tjetër që beson tek vlerat e së djathtës, madje edhe përtej asaj, për një reflektim të thellë.
Bilanci tmerrësisht negativ i Partisë Demokratike në këtë përvjetor nuk duhet të na dekurajojë aspak ne për të mos parë dritë në fund të tunelit.
E keqja vërtetë ka shkuar larg në këtë vend, por prapë nuk ka vend për pesimizëm. Ne ende mund t’ia dalim që ta kthejmë Partinë Demokratike, në kohërat e saj më të mira, dhe kjo jo thjesht si qëllim pushteti, por më shumë si një detyrim ndaj shoqërisë shqiptare, që sot është në udhëkryq.
Por ka vetëm një rrugë që kjo të bëhet e mundur.
Që secili prej nesh të reagojë dhe t’i dalë zot asaj. Kjo e përfshin edhe shqetësimin e drejtë të dikujt që secili prej jush duhet të ruajë investimin e vet të gjatë dhe nganjëherë edhe plot sakrifica në Partinë Demokratike.
Por, sipas meje, kjo nuk bëhet duke braktisur politikën prej zhgënjimit, si ata 240 mijë zgjedhës që zgjodhën të mos votonin më 25 qershor dhe, as duke u futur në rreshtin e atyre që besojnë verbërisht tek “fitoret” e Lulzim Bashës.
Aksionet e gjithësecilit bëhen të vlefshme vetëm në rast se ato vlerësohen në bursën e politikës, dhe nuk lihen asnjëherë në mëshirë të vlerësimit personal të një njeriu. Qoftë ky edhe kryetari i partisë, për të mos shkuar më larg, tek kunati, vjehrri, gruaja, vëllai, apo prindi i dikujt me pushtet politik.
Jam shumë i sigurt se sot, nesër, në prill dhe më vonë, do të dëgjoni fjalime përgjëruese për bashkimin dhe demokracinë e kulluar, që do të vijë bashkë me pranverën në partinë tonë.
Për statutin më të mirë në botë, që do të miratohet prej 5 mijë delegatëve, edhe pse në Shqipëri nuk ka ende një sallë që t’i nxejë kaq njerëz.
Do të vijnë prej të njëjtit person, që e shkaktoi problemin dhe traumën, i cili ka prej disa muajsh mbi tavolinën e tij të vetmen alternativë për zgjidhje, platformën për ringritjen e Partisë Demokratike, dhe bën sikur nuk e sheh.
Unë për vete nuk kam asnjë minutë për të humbur që ta dëgjoj, jo më ta besoj atë. Jam i bindur se kështu e mendoni edhe ju.
Sepse që kur është shpikur demokracia e deri më sot ka vetëm një mënyrë për t’i mbajtur njerëzit bashkë në një organizatë politike, përmes votës dhe respektimit të rregullave. Kjo vlen edhe për individë, që nuk janë provuar kurrë si mashtrues apo si shkelës të tyre. Përfytyro se çfarë ndodh me të tjerët.
Nder, mirënjohje dhe respekt për secilin prej jush. Urimet më të mira për 27 vjetorin e Partisë Demokratike! Bashkë do t’ia dalim.