Rritja e numrit të turistëve në vendin tonë, veçanërisht gjatë muajve të verës, ka nxjerrë në pah nevojën për një menaxhim të mirë të qarkullimit të mjeteve.
Me nisjen e sezonit veror, policia rrugore ka hartuar një plan masash për të monitoruar të gjitha akset rrugore.
“Kemi planifikuar masa me shërbime shtesë, kemi planifikuar përcaktimin e punonjësve nga struktrura vendore që janë më pak të përfshira në sezon, të cilët ngarkohen me shërbim në ato drejtori vendore ku sezoni turistik përkon me ngarkesën më të madhe të fluksit të turistëve. Detyrimi kryesor i Policisë Rrugore ka të bëjë me sigurinë e një trafiku mëse normal për të gjithë përdoruesit, turistët, por dhe turistët vendas e kryesisht ata të huaj. Kemi dalë në konkluzion që janë rreth 200-300 mijë mjete në ditë shtesë, përveç atyre që janë të regjistruar në vend, që qarkullojnë në ditë në territorin e vendit”, thotë Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato.
Qato renditi disa prej akseve që mund të ketë ngarkesë gjatë verës.
“Me ngarkesë më të madhe është aksi duke filluar nga Muriqani në Shkodër, që është dhe porta hyrëse kryesore e mjeteve pas Durrësit, e autoveturave. Kemi kryesisht gjithë aksin e Lezhës, Shkodër, por ngarkesa më e madhe fillon në rrethrrotullimin e qytetit të daljes nga Shëngjini deri në kryqëzimin e Milotit; kryqëzimi i Bradasheshit kryesisht në fundjavë; kemi dhe Unazën e Durrësit”.
Megjithatë, sipas kryepolicit të rrugores, projektet infrastrukturore të viteve të fundit kanë lehtësuar punën e efektivëve.
Tashmë e kthyer në traditë, gjatë muajve të verës, përveç Policisë Shqiptare, në rrugë të shohim edhe efektivë nga Kosova.
Me qëllim lehtësimin e lëvizjeve të automjeteve gjatë sezonit turistik, nga data 15 Qershor deri më 15 Shtator, do të ketë kufizime të lëvizjes nga ora 7 e mëngjesit deri në mesnatë të mjeteve të tonazhit të rëndë.
Klan News