Aeroporti i Tiranës ka njoftuar ditën e sotme pasagjerët se do të anulohen të gjitha fluturimet e planifikuara për sot drejt Italisë dhe anasjelltas.
Bëhet me dije se shkak është bërë greva e punonjësve të trafikut ajror në Itali.
Sakaq, mësohet se nuk do të ketë fluturime në aeroportet e Barit, Bolonjës, Ankonës, Bergamos, Veronës, Milanos, Genovas, Riminit dhe Romës.
Përjashtim do të bëjnë fluturimet e ambulancës, ato të kërkim-shpëtimit dhe fluturimet për ndihma humanitare.
“TIA njofton se si pasojë e grevës së personelit të trafikut ajror në Itali, fluturimet drejt dhe nga aeroportet e Italisë (Bari, Bolonja, Ankona, Bergamo, Verona, Milano Malpensa, Genova, Rimini,Roma) për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA) do të anulohen për ditën e sotme.
Nga ky njoftim përjashtohen: fluturimet ambulancë, Medvac, fluturimet e kërkim-shpëtimit, fluturimet humanitare.
Ju lutemi pasagjerëve që kanë fluturim sot drejt destinacioneve të mësipërme të komunikojnë paraprakisht me kompanitë ajrore respektive për të verifikuar statusin e fluturimit të tyre para se të nisen për në aeroport”-njofton TIA./Opinion.al