Opinion.al ka siguruar videon e vrasjes së biznesmenit Edmond Mëhalla në Elbasan.
Në këtë video, shihet autori i cili shkon me makinë tip “Audi” dhe ndodhet pak metra larg “Range Rover” ku kishte hipur Edmond Mëhalla. Ai i afrohet makinës së biznesmenit dhe qëllon disa herë me pistoletë.
Pasi sigurohet që ka ndërruar jetë largohet me Audi drejt Librazhdit dhe në Mirakë është djegur mjeti. Qitësi, i cili ka vepruar i vetëm, ka shkuar vetë si shofer. Ai nuk është identifikuar ende dhe ka të dhëna që ai mund të jetë i shtetësisë së huaj, i kontraktuar vetëm për këtë ngjarje.
Pamjet e sigurisë në zonë kanë treguar të gjitha lëvizjet e atentatorit. Për disa minuta ka pritur që biznesmeni të lerë ambientet pranë karburantit.
Sa i përket Edmond Mëhallës ai mori dy plumba në koka dhe katër plumba të tjerë në pjesë e trupit.
Ndërkohë, policia në lidhje me këtë ngjarje kanë arrestuar tre persona dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë. Sot, 3 dhjetor u arrestua N.S., 29 vjeç nga Prrenjasi që rezulton me precedent penal për tentativë vrasjeje, armëmbajtje pa leje, shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë, si dhe për vjedhje.
Përpara hetuesve i riu ka deklaruar se nuk ka dijeni për vrasësin, por nga ana tjetër ka treguar se makina e vrasjes i është dhënë disa lezhjanëve nga ish-ortaku i viktimës, Xh. A.
Ky i fundit u vu në pranga nga policia së bashku me rojen e karburantit ku ndodhi ngjarja, teksa në kërkim vijojnë të jenë M. A. dhe A. K., gjithashtu të dyshuar si bashkëautorë në vrasjen e së dielës së shkuar.














