“Kurora e 2015-s” u shkon bizneseve shtetërore të energjisë, sipërmarrjeve me fitime të garantuara nga marrëveshjet e favorshme koncesionare, bankave, kompanive të ndërtimit (kryesisht ato që kanë kontrata me shtetin) dhe nënkontraktorëve të kompanive publike të energjisë. Bie fitimi i telekomunikacioneve, nënkontraktorëve të naftës e lojërave të fatit. Ja 10 sipërmarrjet me normën më të lartë të fitimit në vend…
Ornela Liperi
Në një treg, që vepron në kushtet e një ekzekutivi që tenton gjithmonë e më shumë të bëhet autoritar dhe mbi ligjin, të një drejtësie që i privilegjon “të fortit”, dhe me një ekonomi që rritet pak ose aspak, ku shumë sektorë janë maturuar dhe konsumi sa vjen e po tkurret, bëhet gjithnjë e më e vështirë që bizneset të gjenerojnë fitime të kënaqshme. Po nuk pate pronësi publike, po nuk veprove në një treg pothuajse monopol si rrjedhojë e kontratave të favorshme, apo nuk ke kontrata me institucionet shtetërore dhe kompanive publike të energjisë, vuajtjet do të jenë të mëdha për të mbajtur në këmbë aktivitetin dhe e ardhmja duket vetëm të përforcojë këto tendenca. Dhe kjo ndodh në një treg ku konkurrenca ka shembuj totalisht të kundërt, me disa sektorë, të cilët kanë arritur ashpërsi ekstreme dhe që janë në gjendje “xhungle natyrore” dhe disa të tjerë, ku vetëm për konkurrencë nuk flitet.
Janë pikërisht kompanitë shtetërore të energjisë, koncesionarët, disa firma ndërtimi, nënkontraktorët e shërbimeve në fushën e energjisë, por edhe bankat, që kanë qenë ndër bizneset më të suksesshme në Shqipëri vitin e kaluar, në këndvështrimin e fitimeve që kanë realizuar. Sipërmarrje të tjera, si telekomunikacionet, që dikur ishin më fitimprurëset, po ndiejnë efektet e avancimeve teknologjike dhe të shërbimeve alternative në internet, por edhe frenimin e konsumit. Edhe nënkontraktorët e naftës, që deri vitin e kaluar kishin një rentabilitet shumë të lartë, kanë vuajtur koniunkturën e pafavorshme ndërkombëtare dhe, me sa duket, edhe efektet e situatës së turbullt dhe pa një perspektivë të qartë në sektorin në tërësi në vend. Amullia e ARMO-s, shitja e Bankers, konflikti AKBN–Bankers apo edhe largimi i ndonjë lojtari në këtë sektor janë simptoma të mjaftueshme për të sinjalizuar një gjendje jo të shëndetshme në të.
Tregtuesit me shumicë të naftës dhe produkteve ushqimore vijojnë të deklarojnë norma të ulëta fitimi. Sipërmarrjet prodhuese dhe eksportuese, që janë të renditura ndër 100 më të mëdhenjtë sipas qarkullimit vjetor, as që figurojnë në listën e subjekteve me kthime të kënaqshme të të ardhurave.
Nga lista e 100 sipërmarrjeve me fitime më të mëdha në vend, 28 prej tyre kanë njohur rënie të fitimeve, 3 kanë kaluar nga humbje në fitime dhe të tjerat (69) kanë parë përmirësim të rentabilitetit. Biznesi i 100 në listë kishte një fitim para taksave prej rreth 1.3 milionë eurosh. Ndërsa 31 subjekte kanë dalë nga kjo listë, pasi fitimet e tyre kanë rënë nën 1.3 milionë euro dhe ata janë zëvendësuar nga kompani të tjera, që në 2015-n kanë njohur një rritje të kthyeshmërisë nga aktiviteti.
Norma mesatare e fitimeve luhatet nga 2% kryesisht në tregtimin e hidrokarbureve dhe distributorëve te 10-20% në ndërtim e aktivitete të tjera, bankat me 30-40%, për të arritur dhe deri në 80% në disa sipërmarrje, kryesisht në fushën e shërbimeve. Në vitin 2015 kanë raportuar norma të larta fitimi edhe nënkontraktorët që kanë punuar me kompanitë publike energjetike.
Po cilat janë 10 kompanitë që kishin më shumë fitime në vitin 2015.
1.OSHEE
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), që operon në tregun e rregulluar të prodhimit e shpërndarjes së energjisë elektrike, është kompania me fitim më të lartë në Shqipëri në vitin 2015, me 18.2 miliardë lekë (para taksave), apo rreth 130 milionë euro, duke përfshirë dhe të ardhurat e jashtëzakonshme që erdhën pas aksionit për mbledhjen e detyrimeve të prapambetura të energjisë. Ky fitim i lartë vjen pas humbjeve prej 2 miliardë lekësh të vitit të kaluar. Rritja e të ardhurave operative dhe ulja e shpenzimeve kanë ndikuar në përmirësimin e rezultatit financiar të operatorit të energjisë, që deri në 2014-n ishte një ndër kompanitë më problematike në Shqipëri. “Rezultatet e aksioneve të ndërmarra gjatë vitit 2015 i kaluan të gjitha pritshmëritë, ku që prej 3-mujorit të parë 2015, shoqëria arriti për herë të parë të ketë një rezultat financiar pozitiv, që prej krijimit të saj në vitin 2007. Brenda një kohe shumë të shkurtër, shoqëria ka mundur të arrijë rezultate të jashtëzakonshme, duke bërë të mundur kalimin nga një situatë humbjesh të njëpasnjëshme të regjistruara në vitet e mëparshme, të fillojë shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të akumuluara prej shumë vitesh”, thotë z. Ardian Çela, administrator i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). Sipas z. Çela, kompania ka deklaruar një rezultat financiar pozitiv, për herë të parë që prej krijimit të shoqërisë, duke regjistruar një fitim prej 11.5 miliardë lekësh nga aktiviteti i shoqërisë (pa përfshirë të ardhurat e jashtëzakonshme). Ai shton se ky fitim erdhi si rezultat i disa faktorëve kryesorë siç ishin: rritja e të ardhurave nga energjia me 7 miliardë lekë ose 16% më shumë; reduktimi i shpenzimeve për blerjen e energjisë me 3.8 miliardë lekë, si rezultat i tkurrjes së humbjeve, si dhe blerjes së energjisë nga importi me çmim më të ulët; reduktimi i shpenzimeve operative me 4 miliardë lekë, ose 37% më pak, pavarësisht intensitetit të lartë të punës dhe rritja e fuqisë punëtore gjatë 2015-s.
Megjithatë, auditorët e pavarur kanë refuzuar dhënien e opinionit në raportin e auditimit të vitit 2015 për bilancin 2015, për shkak se nuk ishin në gjendje të siguronin të dhëna të mjaftueshme dhe të përshtatshme auditimi. Një ndër elementet e refuzimit lidhej pikërisht me pasigurinë në vijimësinë e kompanisë. “Humbjet e mëdha që ka pësuar shoqëria në vite dhe deficiti i ndjeshëm në kapitalin neto konfirmojnë situatën e vështirë financiare ende të brishtë, megjithëse shoqëria është vendosur në administrim 100% nga qeveria. Pasqyrat financiare të shoqërisë për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2015 raportojnë një fitim neto prej rreth 15.5 miliardë lekësh dhe një kapital negativ prej 55.7 miliardë lekësh. Viti 2015 paraqet një përmirësim të rezultatit pozitiv prej 15.49 miliardë lekësh (humbja në 2014 ishte 4.5 miliardë lekë). Shoqëria duhet të sigurojë qëndrueshmëri të këtij rezultati për të paktën dy deri në tre vjet radhazi, që ajo të mund të dalë nga kjo gjendje financiare dhe të sigurojë vijimësi normale dhe bindëse për palët e interesuara dhe përfundimisht të bëhet materializimi i këtij plani rimëkëmbje energjetike për OSHEE. Rrjedhimisht, ekzistenca e pasigurisë në lidhje me vijimësinë mund të çojë në ndryshime të vlerësimeve financiare që mund të ndikonin materialisht pasqyrat financiare”, thuhet në raportin e auditorëve të pavarur.
2-4 BKT, Raiffeisen, Intesa San Paolo
Tre banka renditen njëra pas tjetrës në listën e kompanive me fitime më të larta në vitin 2015. BKT, që në 2014-n ishte subjekti me fitime më të mëdha në vend, këtë vit ka kaluar i dyti, duke ia lënë vendin operatorit të shpërndarjes së energjisë. Fitimet e BKT-së u rritën me 21% në 7.3 miliardë lekë. BKT është banka më e madhe në vend për sa u përket aseteve, depozitave e kredive.
Raiffeisen Bank, banka e dytë më e madhe në vend, ka arritur të ruajë fitime prej 4.1 miliardë lekësh, me një rënie të lehtë në raport me një vit më parë.
Intesa Sanpaolo ka rritur fitimet para taksave me 7.4% në 2.7 miliardë lekë, duke u renditur e pesta nga lista e 100 sipërmarrjeve.
Krahas një uljeje më të shpejtë të interesave të depozitave se sa atyre të kredisë, si një element që ka ndikuar direkt në rritjen e marzheve për këto banka dhe për sektorin bankar në përgjithësi, ato kanë përfituar edhe nga rikthimi i provizioneve të bëra për një pjesë të kredive të këqija që kanë arritur të ekzekutojnë apo të ristrukturojnë në mënyrë të suksesshme në vitin 2015. Disa prej bankave më të mëdha në vend nuk po arrijnë të balancojnë rezultatin e tyre dhe vijojnë të vuajnë peshën e provigjonimeve për kreditë e këqija, që qëndrojnë në nivele tepër të larta në rang sistemi dhe më të larta në disa banka të tij në veçanti.
5.Tirana International Airport
Tirana International Airport (TIA) është një ndër kompanitë më fitimprurëse në Shqipëri. Për vitin 2015, fitimi i saj vjetor arriti në gati 2 miliardë lekë, me një rritje prej 32% me bazë vjetore. Operatori, që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit dhe që në mars të këtij viti mori një zgjatje të afatit të koncesionit edhe për dy vite të tjera, në këmbim të “tolerimit” të hapjes së Aeroportit të Kukësit për fluturime ndërkombëtare, ka deklaruar një normë fitim rekord prej 41% në 2015-n, nga 35% që ishte ky marzh vitin e mëparshëm.
Krahas zgjatjes për “tolerimin” në lidhje me Aeroportin e Kukësit, në rast të vënies në punë të ndonjë aeroporti tjetër, afati i koncesionit do të zgjatet maksimumi me 4.5 vite në total, duke e çuar deri në 24.5 vjet, nga 20 vjet që ishte kontrata fillestare.
Pak pas rishikimit të marrëveshjes koncesionare, grupi i shërbimeve financiare, China Everbright, me bazë në Hong Kong, njoftoi zyrtarisht se ka nënshkruar marrëveshjen për blerjen e aksioneve të kompanisë që administron të drejtat koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës për një vlerë prej 82.5 milionë eurosh.
6. Aleat
Aleat është koncesionari që ka marrë të drejtën e prodhimit të dokumenteve të identitetit të shtetasve shqiptarë, që ka lulëzuar në vitin 2015. Të ardhurat e tij u rritën me 71% në vitin 2015 për të arritur në 6.6 miliardë lekë, ndërsa fitimi i realizuar u shumëfishua nga 86 milionë lekë në 1.6 miliardë lekë, duke e katapultuar në vendin e 6, nga e 84 që kishte qenë në renditjen e mëparshme në lidhje me fitimin absolut të realizuar.
7. Vodafone Albania
Vodafone Albania është operatori i dytë në tregun e rregulluar të telefonisë në aspektin e xhiros së realizuar, dhe sipas të dhënave të raportuara nga tatimet, Vodafone renditet i shtati në listën e 10 më të mëdhenjve, me fitime prej 1.56 miliardë lekësh, me një rënie prej 25% në raport me vitin e mëparshëm. Ndërsa në bilancin zyrtar, Vodafone ka raportuar fitime minimale (shih nënndarjen në vijim për telekomunikacionet).
8. KESH
Operatori publik i prodhimit të energjisë elektrike, aktualisht ende prodhuesi më i madh në tregun e energjisë elektrike, KESH, ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm të rezultatit financiar, nga një humbje prej 22 miliardë lekësh, në një fitim para taksave prej 1.45 miliardë lekësh. Rritja e të ardhurave me 25% dhe rënia e ndjeshme e shpenzimeve ka ndikuar në këtë ecuri. Në vitin 2014, KESH shënoi një humbje nga rënia në vlerë prej 19 miliardë lekësh, që ishte faktori kryesor që e çoi atë drejt një humbjeje të thellë. “Për vitin 2015, KESH realizoi 100% arkëtimet nga OSHEE për faturimet e vitit dhe nuk krijoi borxhe të reja dhe shpenzime për penalitete për vonesa në pagesa. Këto zhvillime, bashkë me uljen e shpenzimeve operacionale dhe ato për interesa, kanë ndikuar në performancën e kompanisë më 2015”, pohon Drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Agron Hetoja.
Sipas bilancit 2015, KESH ka ende të pambledhura nga klientët 92.8 miliardë lekë, nga të cilat ka provigjionuar 40.6 miliardë lekë dhe pret të arkëtojë rreth 52 miliardë lekë, pjesa më e madhe e të cilave (rreth 92%) nga familjarët.
Në total, KESH kishte në fund të vitit 2015 një stok huash prej 75.5 miliardë lekësh, nga bankat dhe qeveria, me rënie prej gati 10% në raport me vitin e mëparshëm.
Sipas një vendimi të fundit të ministrit të Energjisë, i gjithë fitimi neto i vitit 2015 të KESH do të shkojë për mbulimin e humbjeve të vitit të mëparshëm.
Edhe në rastin e KESH, auditorët e pavarur kanë dhënë opinion me rezervë, kryesisht për shkak se nuk ka parashikuar zhvlerësim për faturat e paarkëtuara prej më shumë se një viti, moskrijimin e provizioneve për vendimet gjyqësore, mosrakordim në shumën totale të kredive etj.
9. Kastrati sh.a.
Të jesh i madh nuk do të thotë domosdoshmërisht të fitosh më shumë. Kastrati sh.a., që renditet sipërmarrja më e madhe në vend sipas qarkullimit vjetor, me të ardhura prej 51.4 miliardë lekësh, është e 10-a në lisën e kompanive me fitime më të larta, me 1.25 miliardë lekë dhe rënie prej gati 13% në raport me një vit më parë. Normat e fitimit të kompanisë kanë mbetur minimale, në rreth 2%, që është marzh karakteristik i sektorit të tregtimit me shumicë të karburanteve.
10. OST
Një tjetër operator i tregut të rregulluar të prodhimit, transmetimit e shitjes së energjisë elektrike, Operatori i Shpërndarjes e Transmetimit (OST) ka rezultuar me një fitim prej 1.2 miliardë lekësh, pothuajse përgjysmim në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia e të ardhurave me 8% dhe rritja e shpenzimeve (kryesisht nga humbjet prej rënies në vlerë të aseteve) kanë bërë që operatori i transmetimit të energjisë të njohë ulje të fitimeve në 2015-n.
Në ndjekje të dhjetëshes
Abkons është një nga kompanitë me rritjen më të shpejtë në 2015, duke deklaruar një shtatëfishim të xhiros, ndërsa është renditur e 12-a në listën e kompanive më fitimprurëse me fitime prej 845 milionë lekësh, me një marzh fitimi prej 37%. Abkons është një ndër nënkontraktorët e gazsjellësit TAP për proceset e sigurimit të të drejtave të përdorimit të tokës.
Ndonëse fabrika e çimentos së Fushë-Krujës ka ulur të ardhurat me 11%, ajo ka arritur të dyfishojë fitimet në 823 milionë lekë, si rrjedhojë e rënies së ndjeshme të shpenzimeve të amortizimit dhe zhvlerësimit, si dhe uljes së kostos së lëndës së parë.
Erjoni Ndërtim është një tjetër sipërmarrje me rritje të shpejtë të fitimeve, në 782 milionë lekë, që është ngjitur më lart në renditje.
Fitimet i ka dyfishuar dhe koncesionari i kromit Albchrome, në 738 milionë lekë.
Telekomunikacionet, jo më aq fitimprurëse
Operatorët më të mëdhenj të telefonisë së lëvizshme në Shqipëri, Telekom Albania dhe Vodafone, kanë qenë historikisht ndër më fitimprurësit në Shqipëri. Por, në vitin 2015, ato kanë parë një rënie të ndjeshme të fitimeve të tyre.
Në 2015-n, fitimet bruto të Vodafone zbritën në vetëm 587 milionë lekë (4.2 mln euro), nga 1.8 miliardë lekë në 2014-n dhe 3.5 miliardë lekë (25 mln euro) në 2013-n, sipas bilancit të saj. Ndërsa në listën e tatimeve rezulton që Vodafone Albania ka një fitim prej 1.56 miliardë lekësh (para taksave). Mësohet se tatimet nuk i kanë njohur disa shpenzime të zbritshme kompanisë dhe kjo e fundit ka paguar tatim mbi bazë të fitimit të njohur nga tatimet dhe jo atij të deklaruar në bilanc (konkretisht Vodafone ka paguar 360 milionë lekë tatimfitim, nga 416 milionë lekë një vit më parë, sipas bilancit).
Fitimi bruto i Telekom Albania, sipas bilancit zyrtar, ishte vetëm 780 milionë lekë (5.6 mln euro), nga 2.9 miliardë lekë (20.7 mln euro) në vitin 2014. Rritja e shpenzimeve me 24% (kryesisht nga shtimi i kostove të shërbimeve të realizuara dhe humbjeve nga kursi i këmbimit), ndërkohë që zgjerimi i të ardhurave ishte minimal, çoi në këtë përkeqësim të ndjeshëm të rezultatit financiar. Mësohet se humbjet nga kursi i këmbimit kanë ardhur pasi Telekom Albania ka mbyllur një kredi ndaj Cosmote dhe OTE (Cosmote Mobile Telecommunications është aksioner i kompanisë me pothuajse 100% të aksioneve) dhe e ka konvertuar në obligacione, gjë që ka sjellë humbjen (në letër) nga vlera e tregut. Në mes të vitit të kaluar, Telekom Albania (ish-AMC) ndryshoi identitetin, pas bashkimit me rrjetin gjerman të telekomunikacionit, Deutsche Telecom, që u shoqërua me shpenzime të larta marketingu, një tjetër faktor që ka rritur kostot e kompanisë.
Ndërsa Telekom Albania ka qenë historikisht më fitimprurësja jo në tregun e telefonisë së lëvizshme, por edhe në Shqipëri, me norma fitimi që arrinin deri në 60-70%, në vitin 2015 ajo ka parë rënie të ndjeshme të tyre. Norma e fitimit të operatorit të dytë celular më të madh ishte vetëm 7% në vitin 2015, si rrjedhojë e rënies së ndjeshme të fitimeve, ndonëse të ardhurat janë rritur lehtë.
Të njëjtën tendencë ka shënuar operatori më i madh në tregun e telefonisë celulare, Vodafone – edhe ai dikur me norma fitimi mbi 40% – që në 2015-n është detyruar të “kënaqet” me një marzh prej më pak se 10%.
Rritja e shpenzimeve me ritme shumë më të larta se e të ardhurave (që u zgjeruan vetëm me rreth 2%) është arsyeja kryesore që ka çuar në përkeqësimin e treguesve të përfitueshmërisë për dy operatorët kryesorë të telefonisë celulare në vend.
Albtelecom (fiks + Mobile) ka rezultuar me një humbje prej 2.2 miliardë lekësh në vitin 2015, nga 2 miliardë lekë vitin e mëparshëm. Që nga bashkimi i dy kompanive (fikse dhe telefonia e lëvizshme) tre vjet më parë, Albtelecom nuk ka rezultuar me fitime.
Plus Communication, pa një rritje të ndjeshme të të ardhurave, me 20%, për të arritur në 2.2 miliardë lekë (16 mln euro). Për herë të parë, operatori i vetëm me kapital tërësisht shqiptar rezultoi me fitim, para tatimit prej 244 milionë lekësh, por që ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e të ardhurave të larta financiare, pasi kompania ristrukturoi kredinë. Gjithsesi, edhe shpenzimet administrative janë mbajtur nën kontroll dhe humbja nga aktivitetet operative pothuajse është përgjysmuar.
ABCOM, me aktivitet në fushën e telefonisë, internetit dhe televizionit, është një tjetër operator i telekomunikacioneve në listën e 100 më të mëdhenjve, duke raportuar një rritje me 65% të fitimeve në rreth 470 milionë lekë.
Info-Telecom, një operator i ri në tregun e telekomunikacioneve, ndonëse ishte e nënta në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha sipas xhiros dhe e para në vetë tregun e rregulluar të telefonisë, me të ardhura prej 17.5 miliardë lekësh, kishte fitime prej 216 milionë lekësh, me një marzh fitimi prej vetëm 1%, duke qenë në vendin e 89. E krijuar në vitin 2009, më shumë se një aktivitet klasik në fushën e telekomunikacionit, kompania duket të jetë një “specialiste” në fushën e shërbimeve të tranzitimit të thirrjeve ndërkombëtare tek operatorë realë të telefonisë në vend dhe në vendet fqinje, duke qenë një hallkë e ndërmjetme midis këtyre operatorëve.
Fitimet e bankave
Ndonëse në një ambient të vështirë, me kredi me probleme në nivele të larta (>20%) e mjedis me interesa të ulëta, fitimi i sistemit bankar, i raportuar nga Banka e Shqipërisë, sipas standardeve lokale GAP, arriti në një nivel rekord në vitin 2015, prej 15.7 miliardë lekësh.
Ai është i përqendruar në një grusht bankash, ku pjesën e luanit e zunë BKT, Raiffeisen, Intesa Sanpaolo që janë dhe sipërmarrjet që u renditën në dhjetë më të mëdhatë, sipas këtij treguesi.
Jo vetëm në vlerë absolute, por edhe nga normat e fitimit, BKT është më fitimprurësja, me një marzh para taksave prej 41%. BKT ka rritur fitimet si rrjedhojë e mbajtjes në kontroll të shpenzimeve financiare.
Normë të lartë fitimi ka deklaruar dhe Intesa Sanpaolo, në 37%, ndërsa marzhi për Raiffeisen ishte 26%.
Union Bank është renditur si banka e katërt me fitime më të larta, duke lënë pas banka më të mëdha si Societe Generale dhe Credins, që kanë parë një rënie të fitimeve gjatë 2015-s.
Nga lista kanë dalë disa banka (NBG, Alpha) që kanë parë rënie të ndjeshme të fitimeve në 2015-n.
Një faktor i rëndësishëm, që ka ndikuar në pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve të Bankave janë edhe provigjonimet e reja apo rikuperimet prej provigjonimeve dhe shpesh është ky faktori dominues në përcaktimin e rezultatit financiar në këtë situatë. Është domethënës fakti se Bankat që kanë shfaqur fitime më të larta në 2015-n janë po ato që kanë parë edhe përmirësim të treguesit të NPL-ve, siç është e vërtetë edhe e kundërta për Bankat që nuk renditen lart në këtë klasifikim, apo që kanë raportuar rezultat financiar negativ.
Karburantet, shumë lodhje për pak fitime
Ndryshe nga renditja e kompanive më të mëdha sipas xhiros, ku mbizotëronin prodhuesit dhe tregtuesit e naftës, në listën e fitimeve, numri i bizneseve të naftës është shumë i pakët dhe ato që janë, kanë deklaruar fitime minimale.
Sipërmarrësit e karburanteve, për të gjithë mundin e tyre në menaxhimin e një aktiviteti voluminoz, duhet të kënaqen me fitime të ulëta.
Norma mesatare e fitimit para taksave të sipërmarrjeve të përqendruara në tregtimin e karburanteve luhatet në 0.5-2% (disa dhe me humbje), duke qenë sektori më pak fitimprurës në ekonomi. Aktorët e tregut i quajnë karburantet një biznes të vështirë dhe me kosto të larta.
Kastrati sh.a., operatori më i madh i tregut të shumicës, ka një marzh fitimi prej vetëm 2%. Më i lartë është fitimi në tregun e pakicës, ku Kastrati sh.p.k raporton një marzh prej 5%.
Më të lartë e ka normën e fitimit operatori tjetër i shumicës, Bolv Oil, por aktiviteti i tij është pak më kompleks për t’u analizuar vetëm nga kjo shifër, pasi Bolv Oil ka edhe rolin e nënkontraktorit të prodhuesit të naftës Bankers Petroleum.
Everest Oil, që në 2014-n ishte në listën e 100 më të mëdhenjve, sipas fitimit ka dalë në 2015-n, për shkak edhe të rënies drastike të xhiros gjatë vitit në fjalë.
Viti 2015 ka qenë edhe më pak fitimprurës për ta, për shkak të rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Rënia e çmimeve ka goditur sidomos prodhuesit vendas të naftës. Albpetrol ka raportuar tkurrje të ndjeshme të fitimeve, nga 1.8 miliardë lekë në 2014-n, kur u rendit e shtata, në 351 milionë lekë në 2015-n.
Petrolifera, subjekti që ka me koncesion terminalin e naftës në Vlorë, ka përgjysmuar fitimin në 536 milionë lekë, por në 2014-n kompania kishte pasur fitime të jashtëzakonshme prej 528 milionë lekësh, për shkak të zgjidhjes së një çështjeje gjyqësore.
Rënia e çmimeve, nënkontraktorët e Bankers fitojnë më pak
Kriza e çmimeve të naftës duket se ka prekur dhe nënkontraktorët e Bankers që vitin e kaluar kryesonin në listën e kompanive me fitime më të mëdha në vend. Fitimet e Simmons Edeco Limited, dega Shqipëri, ranë me 24% në rreth 800 milionë lekë.
CROSCO naftni servici d.o.o- Dega Tiranë, ka raportuar tkurrje të fitimeve me 64%, në 221 milionë lekë.
Pavarësisht rënies, nënkontraktorët e Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën më të madhe naftëmbajtëse mbi tokë, atë të Patos Marinzës, vijojnë të mbeten ndër më fitimprurësit në Shqipëri, ndryshe nga vetë Bankers që prej vitesh deklaron humbje të mëdha.
Distributorët bëhen më eficientë
Segmenti i distributorëve, i përqendruar në tregtinë me shumicë, ndonëse qarkullon vlera të mëdha, operon me marzhe të ulëta fitimi, nga 1.5-5%. Gjatë vitit 2015, ndonëse pjesa më e madhe e operatorëve pa një rënie të të ardhurave, u treguan më eficientë, duke ruajtur marzhin e fitimit, ose dhe duke e rritur atë.
AGNA, kompania më e madhe distributore, ka deklaruar një fitim prej rreth 611 milionë lekësh, me një marzh prej 5%, pothuajse njësoj me një vit më parë. Alpha sh.a., pjesë e të njëjtit grup me AGNA, ka arritur të rrisë fitimet, ndonëse të ardhurat janë përgjysmuar dhe e ka zgjeruar marzhin në 5%.
Marketing & Distribution ka parë një rënie të të ardhurave prej 15.3% në 11.2 miliardë lekë në 2015-n. Në të kundërt, fitimet janë rritur me 36% në 360 milionë lekë. Edhe marzhi i fitimit është rritur nga 2 në 3%.
Inter Distribution Service ka deklaruar një normë fitimi prej 2% nga 2.3% vitin e mëparshëm, ndërsa fitimet kanë rënë me 29%.
Albanian Distribution & Development rezulton një nga më fitimprurëset në këtë segment, me një marzh prej 11%.
Philip Morris ka dalë nga renditja e 100 kompanive më të mëdha sipas fitimeve në vitin 2015.
Vit i artë për disa nga ndërtuesit
Pas vitesh të tëra stanjacion, ndërtimi, si ai i apartamenteve ashtu dhe punimeve të infrastrukturës, duket se ka njohur një periudhë të artë në 2015-n. Si asnjëherë tjetër janë 20 sipërmarrje ndërtimi në renditjen e 100 më të mëdhave, sipas fitimit të realizuar gjatë këtij viti kalendarik.
Ndërtimi i apartamenteve është një aktivitet ciklik, që arrin fitime të larta kur shiten apartamentet, përfshirë dhe ato të mbetura stok. Për vitin 2015, kompania e ndërtimit me fitime më të larta ishte Erjoni, e ndjekur nga RFZ Building (financuesi i Ambasador 3).
Edhe ndërtuesit e përqendruar në punimet e infrastrukturës kanë kaluar një vit të mbarë dhe kanë parë jo vetëm rritje të ndjeshme të të ardhurave, por edhe shumëfishim të fitimeve. Arsyet kryesore që kanë ndikuar në përmirësimin e aktivitetit të tyre lidhen me ndërtimin e 5-6 ujësjellësve të mëdhenj, rrugët që po shtrohen në kuadër të projektit të gazsjellësit TAP dhe punimet e infrastrukturës për HEC-et e Devollit, si dhe kthimi i detyrimeve të prapambetura nga qeveria, që është faturuar në 2015-n. Rritja e fitimeve ka qenë e fortë për pothuajse të gjitha kompanitë në listë.
Alb Star është operatori me fitime më të larta nga kompanitë e përqendruara në veprat e infrastrukturës, me rritje 80% në 607 milionë lekë.
Ndërsa kompanitë e infrastrukturës fituan mesatarisht 10-20%, marzhin më të lartë e kanë subjektet që ndërtojnë banesa rezidenciale, me normë deri në 50%.
Call Center, rritje e ngadaltë, por fitimet mbeten të mira
Deri në vitin 2013, kompanitë që veprojnë në fushën e Call Center panë një rritje të ndjeshme dyshifrore. Biznesi lulëzoi disa vjet më parë, kur sipërmarrjet italiane transferuan këtë shërbim në Shqipëri, duke shfrytëzuar koston e lirë të fuqisë punëtore dhe njohjen e mirë të gjuhës italiane nga të rinjtë shqiptarë. Këto kompani u bënë një burim i mirë punësimi, sidomos për brezin e ri, megjithëse konsiderohet si punë e një cilësie të ulët, që paguajnë relativisht pak.
Por, në 2014-2015, rritja e të ardhurave është ngadalësuar. Megjithatë fitimet e sipërmarrjeve kryesore në këtë segment mbeten të mira.
Intercom Data Service, ndonëse ka humbur vendin e parë si operatori më i madh call center në vend sipas të ardhurave, ka raportuar fitimet më të larta në 2015-n, prej 652 milionë lekësh, me rritje të lehtë prej 3% dhe marzh të kënaqshëm prej 24%.
Ecurinë më të mirë e ka shënuar Albania Marketing Service (Teleperformance), fitimi i së cilës pothuajse u dyfishua në 593 milionë lekë dhe marzhi arriti në 28%.
Më pak i kënaqshëm ka rezultuar aktiviteti për Albacall, fitimet e së cilës ranë me 37% në 2015-n.
Hyrjet e reja, nënkontraktorët e kompanive shtetërore të energjisë, me fitime rekord
HTT – High Tech Tests, e krijuar në fillim të vitit 2014, me aktivitet në verifikimin e të gjithë llojeve të matësve elektromekanikë dhe statikë të energjisë elektrike aktive dhe reaktive është një tjetër hyrje në listën e kompanive me fitim më të lartë. Pasi trefishoi të ardhurat në 2015-n, për të arritur në 727 milionë lekë, kompania ka deklaruar një fitim para taksave prej 495 milionë lekësh, me një normë mbresëlënëse fitimi prej gati 70%. Sipas të dhënave të saj zyrtare, një pjesë të rëndësishme të Grupit e përbën edhe Kolaudimi i matësve të ujit dhe matësve të energjisë elektrike. Kompania është e licencuar nga Drejtoria e Metrologjisë dhe Kalibrimit për kolaudimin e matësve dhe tarifat janë të përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë, sipas burimeve nga OSHEE. HTT kishte shpenzime minimale për paga prej rreth 72 milionë lekë, blerje lënde të parë prej 78 milionë lekë dhe të tjera shfrytëzimi prej rreth 83 milionë lekë (përfshirë interesat), çka i ka mundësuar t’u gëzohet fitimeve të larta prej rreth 3.6 milionë euro, që do ua kishte zili çdo biznes tjetër.
Ital-Project, një operator që ndonëse i krijuar në vitin 2008, ka njohur lulëzim të aktivitetit vetëm në 2015-n, ku qarkullimi vjetor arriti në 592 milionë lekë dhe fitimi para taksave në 255 milionë lekë, me normë fitimi 43%. Kompania, sipas burimeve të saj zyrtare, është e specializuar në studimin, projektimin, dhënien e konsulencës dhe asistencës për ndërtimin, instalimin e ankorimit, sistemet dhe pajisjet për realizimin e çdo lloj post-tensioni për soleta dhe dysheme. Në tetor të vitit 2015, Ital-Project, së bashku me Eltec sh.p.k. kanë fituar tenderin e OSHEE “Blerje matësish elektronikë 1-fazor dhe 3-fazor”, me fond limit rreth 200 milionë lekësh pa TVSH. Në vitin 2015, emri i kompanisë u ndërrua nga Ital-Toner në Ital- Project, ndërsa Ital-Toner është në listën e borxhlinjve të tatimeve sipas të dhënave zyrtare të faqes së internetit të tatimeve. Progroup, e krijuar në dhjetor të vitit 2013, si degë e shoqërisë së huaj, me aktivitet vendosjen e instalimeve elektrike, prodhimin e instrumenteve të optikës dhe pajisjeve të fotografimit, ka raportuar të ardhura prej 250 milionë lekësh, nga 119 milionë lekë vitin e mëparshëm dhe fitime prej 200 milionë lekësh, me një normë fitimi para taksave prej 80%, duke rezultuar në këtë mënyrë një nga kompanitë më fitimprurëse në vend. Progroup është degë e shoqërisë me të njëjtin emër në Kosovë, e cila ka një kontratë me Energoinvest, kompanisë që po ndërton linjën e interkoneksionit Shqipëri-Kosovë.
…Krahas sipërmarrjeve të lartpërmendura që kanë projekte me kompanitë shtetërore të energjisë, ka dhe hyrje të tjera në listën e 2015-s.
Albdrilling është një kompani e krijuar në nëntor të vitit 2014 dhe që ka arritur të ketë një qarkullim vjetor prej 1.14 miliardë lekë në 2015-n dhe fitime prej 513 milionë lekësh. Subjekti, me qendër në Fier, ka aktivitet në fushën e industrisë së naftës, gazit e ujit si dhe në atë minerare dhe ka të njëjtin aksioner me operatorin e naftës, Bolv Oil.
Aksioni antiinformalitet i nisur në shtator të vitit të kaluar, ku bizneseve iu kërkua të vendosnin kasa fiskale, ka ndikuar në dyfishimin e të ardhurave të kompanisë kryesore të autorizuar për tregtimin e kasave, BNT Elekctronics, që kanë arritur në 1 miliard lekë, ndërsa fitimet e saj kanë kërcyer nga 71 milionë lekë në rreth 195 milionë lekë.
Durrës Container Terminal, e krijuar si bashkim i kompanive “Durrës Kurum Shipping” sh.a. dhe “Global Ports Holding” sh.a., që ka me koncesion terminalin e kontejnerëve në Durrës, ka parë një trefishim të të ardhurave në 413 milionë lekë.
Daljet nga Lista
Janë 31 kompani që kanë dalë nga lista e 100 subjekteve me fitime më të mëdha.
Albcontrol, kompania shtetërore që menaxhon hapësirat ajrore, ka parë një rënie të fitimeve nga 269 milionë lekë në 67 milionë lekë, kryesisht si rrjedhojë e shtimit të shpenzimeve (zëri shpenzime të tjera), ndërkohë që të ardhurat janë rritur me 4%, në rreth 3.2 miliardë lekë.
Kurum është një tjetër dalje e madhe, pasi kompania shpalli kërkesën për ristrukturim për falimentin në shkurt 2016, teksa në 2015-n raportoi humbje prej 4.6 miliardë lekësh, nga fitimi prej 307 milionë lekësh i vitit të kaluar.
Disa hidrocentrale si Energia B, Energo-Sas, Euron Energy Group, Gjo-Spa Poëer, Hec-i i Tërvolit nuk janë më në listën e kompanive me fitime të larta në vend, ndryshe nga viti i kaluar, kur ato kapërcyen në renditje.
Këto janë zëvendësuar nga sipërmarrje të tjera që kanë njohur rritje të ndjeshme të fitimeve gjatë 2015-s.
Në anën tjetër, janë disa subjekte që nga humbjet e vitit të kaluar kanë kaluar në fitime, si OSHEE, KESH, Plus Communication
Kompanitë me normë fitimi më të lartë
Qendra Tregtare Univers (QTU), pjesë e grupit Balfin, e cila në dhjetor 2014 doli me NIPT më vete, është një nga bizneset me normë më të lartë fitimi në vend. Për vitin 2015, qendra e parë tregtare në vend që solli një rikonceptim të biznesit të retail, ka deklaruar një normë fitimi prej 81%.
Pas QTU-së, sipërmarrja e dytë me normë më të lartë fitimi, është Progroup, me marzh 80% dhe aktivitet në instalimin e pajisjeve elektrike. Një tjetër sipërmarrje në fushën e shërbimeve të energjisë HTT – High Tech Tests renditet ndër më fitimprurësit.
Në listë janë dhe Global Enterprise (ndërmjetësime financiare), Erjoni (ndërtim), EKMA Albania (tregti bitumi).
Operatorët e lojërave të fatit, ndonëse kanë rezultuar me rënie të fitimeve në vitin 2015, sërish vazhdojnë të kenë marzh të lartë fitimi, që arrin deri në 48% për APEX-Al./ Monitor