Javën e kaluar, Presidenti i SHBA-së Trump foli në telefon me homologun e tij rus Putin dhe më pas u njoftua se të dy do të takoheshin së shpejti në Budapest për të diskutuar për Ukrainën.Tani, planet janë pezulluar.
Negociatat e planifikuara midis Donald Trump dhe Vladimir Putin për t’i dhënë fund agresionit të Rusisë kundër Ukrainës janë pezulluar për momentin. Vetë Presidenti i SHBA-së deklaroi se do të takohej me udhëheqësin e Kremlinit vetëm kur të dihet se mund të priten rezultate. Një samit i tillë duhet të jetë produktiv, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
Kur një gazetar e pyeti se çfarë dinte për ndryshimin e planeve dhe nëse kjo do të ndikonte në qëndrimin e tij ndaj një dërgese të mundshme të raketave amerikane Tomahawk në Ukrainë, Trump u përgjigj: “Nuk dua një takim të humbur”. Trump tha, se nuk donte të humbiste kohë nëse nuk dihet se çfarë do të ndodhte.
“Nuk kemi marrë ende një vendim”, vazhdoi Trump. “Do të shohim se çfarë do të ndodhë”. Por ai nuk u përgjigj qartë nëse po fliste për takimin me Putinin apo dërgimn e raketave. Trump premtoi të jepte një përditësim mbi zhvillimet dhe vendimet e SHBA-së brenda dy ditëve të ardhshme. Trump përsëriti qëndrimin e tij, se vijat e frontit duhet të ngrihen për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë.
Telefonata Rubio-Lavrov
Mediat amerikane kanë raportuar më parë se takimi i planifikuar në Budapest me sa duket nuk do të zhvillohej siç ishte planifikuar. Ato cituan burime nga Shtëpia e Bardhë pas një telefonate midis Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Marco Rubio dhe homologut të tij rus, Sergei Lavrov. Kjo bisedë fillimisht ishte menduar si pjesë e përgatitjeve për samitin në Budapest. Megjithatë duket se u pezulluan planet për takim të drejtëpërdrejtë.
Trump njoftoi papritur të enjten (16.10.2025) pas një telefonate me shefin e Kremlinit se donte të takohej me Putinin në kryeqytetin hungarez për të diskutuar luftën në Ukrainë. Republikani fillimisht nuk specifikoi një datë – por pak më vonë, ai tha se samiti ka të ngjarë të zhvillohet në dy javët e ardhshme.
Sinjale frenimi nga Kremlini
Çfarë ka ndodhur saktësisht që atëherë është e paqartë. Kremlini ka dërguar sinjale frenimi pa dhënë shumë sqarime. “Ka ende shumë detyra shtëpie për t’u bërë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS të hënën.
Ministritë e jashtme të të dy vendeve duhet të adresojnë një mori çështjesh të hapura. Peskov theksoi gjithashtu se pozicioni i Rusisë në konflikt nuk ka ndryshuar. Edhe pse nuk dha hollësi, është e qartë se Rusia pretendon të pushtojë edhe më shumë territore sesa ka pushtuar deri tani në Ukrainë. Për shembull, pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, Moska shpalli katër rajone të tjera ukrainase të vetat menjëherë pas fillimit të luftës në shkurt 2022, edhe pse ende i kontrollon ato vetëm pjesërisht. Komentet e Peskov ishin një përgjigje ndaj deklaratës së Trumpit se vija aktuale e frontit duhet të ngrijë dhe bisedimet e paqes duhet të fillojnë.
“Non-Paper” nga Moska
Sipas informacioneve nga agjencia e lajmeve Reuters, Rusia i ka paraqitur SHBA-së kushtet e saj për një marrëveshje paqeje me Ukrainën në një letër joformale, duke këmbëngulur në kërkesat e saj maksimale të mëparshme. Në të ashtuquajturin “non-paper”, të dërguar gjatë fundjavës, qeveria në Moskë përsërit kërkesën e saj për kontroll mbi të gjithë rajonin e Donbasit dhe heqjen dorë nga stacionimi i trupave të NATO-s në Ukrainë. Reuters thuhet se e mësoi të martën (21.10.2025) nga dy zyrtarë të qeverisë amerikane dhe një person i njohur me situatën. Moska kështu hedh poshtë propozimin e Trump për të ngrirë vijat e frontit në gjendjen e tyre aktuale.
Diskutim rreth raketave amerikane
Mediat amerikane, duke cituar burime në Shtëpinë e Bardhë, raportuan tani se telefonata e Rubios me Lavrovin ishte gjoja produktive. Megjithatë, as Rusia dhe as Ukraina nuk janë gati të angazhohen në bisedime serioze paqeje në konflikt – thuhej në NBC News, për shembull. Nuk është e qartë se sa konkrete ishin planet e Rusisë dhe SHBA-së për takimin kur Trump e njoftoi atë pas telefonatës së tij me Putinin.
Telefonata u zhvillua vetëm një ditë para se Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski të vizitonte Shtëpinë e Bardhë – e kjo bisedë me Putinin ka ndikuar ndoshta edhe në qëndirmin amerikan për dërgimin apo jo të raketave Tomahawk.
Ukraina dëshiron të marrë një rol më ofensiv në luftë, sepse me këto armë mund të godasë thellë në brendësi të Rusisë. Por Trump mbeti i paqartë, nuk mori asnjë vendim, por këmbënguli që të dyja palët duhet ta përfundojnë luftën./DW/