Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Pse nuk kuptohet as sot Prekë Cali?…

2017/09/26 at 9:37 PM
në Aktualitet, Komente, Te Fundit
Kohë leximi: 7 min
A A
Pse nuk kuptohet as sot Prekë Cali?…

Nga Ndue Dedaj 


Prekë Cali nuk kuptohet, ngaqë nuk ishte thjesht një burrë malësie, por një tribun i llojit të vet, që me një kushtrim mblidhte në log të kuvendit a në vijën e kufirit “burrë për shtëpi”. Ndërkohë, prijësi i Vermoshit dhe i mbarë Kelmendit është krejt i kuptueshëm për ata që njohin kodin e maleve dhe arketipin e malësorit, që i është dashur gjithë jetën të rrijë me pushkën ngrehur që të mos ia sillnin kufirin e atdheut para hundës, shty sot e shty nesër fqinjët sllavë.

Ai nuk bën dallim nga pararendësit e tij: Oso Kuka, Mic Sokoli, Ali Pashë Gucia, Abdyl Frashëri, Çerçiz Topulli, Haxhi Zeka, Dedë Gjo Luli, Nora e Kelmendit, Mehmet Shpendi, Azem e Shotë Galica, Bajram Curri, Prengë Marka Prenga, Gjin Pjetri, Zefi i Vogël etj. Të gjithë të tjerët i pranojmë, u thurim këngë, u japim tituj nderi, ua lartësojmë shtatoret, sepse ata ishin atdhetarë “të papërlyer”. Kurse i fundit i tyre, Preka, që gjithë jetën kishte bërë të njëjtën gjë si ata, duke mbrojtur trojet amtare, në psikikën tonë ka hyrë si reaksionar!

Ashtu si dhe Muharrem Bajraktari i Lumës e figura të tjera nacionaliste, që e shkruan historinë pa pasur asnjëherë hasëm të vetët, por grabitçarët historikë të trojeve. Reaksionarë është emri përgjithësues me të cilin u cilësuan kundërshtarët e pushtetit të dalë nga Lufta e Dytë Botërore. Si ndodhi që malet legjendare të Gjeto Basho Mujit befas të shndërroheshin në “reaksionare”, për nëntë vite radhazi, duke filluar nga vjeshta e ’44-s e deri në ’53-shin? Ky është një problem kyç i historisë së Shqipërisë dhe pa e trajtuar atë siç duhet, nuk mund të mbërrihet tek e vërteta.

Prekë Cali nuk ishte i vetmi prijës lokal që nuk iu shtrua komunizmit. Të gjitha krahinat e Shqipërisë kishin prijësit e vet, edhe në kohën e Mbretërisë, të cilët bashkëpunonin me qeverinë për rend e qetësi. Gjomarkajt, kapidanët e Mirditës, ishin autoriteti kryesor në trevën e tyre, por me emër e ndikim dhe në malësitë e tjera përreth. Ata kishin rreth treqind vite në qeverisjen tradicionale dhe një shtet i mençur nuk mund t’i zhbinte me farë e me fis, aq më tepër një shtet i dobët, që flakte ushtarakët e diplomuar në akademitë italiane dhe gradonte në forcat e armatosura bujqit dhe barinjtë.

U përplas dhe qeveria e 1921-shit me Kapidanin e rebeluar të Mirditës dhe disa krerë të tjerë të krahinës dhe, për faj të njërës palë a të tjetrës, a të dyjave bashkë, plasi lufta e paprecedentë mes qeverisë dhe një krahine të vendit për gjashtë muaj (!) Edhe pas Luftës së Dytë u ndoq thuajse e njëjta skemë, qeveria e re do të ecte nëpër llogoret e vjetra represive me popullin. Për fat të keq, pushteti i ri do të hynte me revansh në Veriun “reaksionar”.

I pari sakrilegj i fitimtarëve do të ishte djegia e kullave (sarajeve) të Markagjonit në Orosh, selia e një krahine asnjëherë të nënshtruar. Fill pas kësaj qeveria dërgoi në ato male një repart ushtarak ndëshkimor të drejtuar nga një toger analfabet nga viset jugore, i quajtur “Toger Baba”, që u bë tmerri i popullatës mirditore dhe asaj të Zadrimës, ku pasi e mbushi kupën e mizorive, u ekzekutua nga vetë regjimi aty nga ’47- a.

Kësisoj partizanët e ’45-s nuk u pritën me trëndafila në Veri, pasi Lufta kishte mbaruar dhe nuk kishte mbetur këmbë pushtuesi. Por kishin mbetur “reaksionarët”, antikomunistët, mosdashësit e “pushtetit popullor”, që ndiqeshin deri në kullat e tyre të largëta. Forcat e Ndjekjes vazhdonin të çlironin vendin nga… shqiptarët!? Vepronin gjithandej repartet e Mbrojtjes së Popullit. Se nga kush duhej mbrojtur populli pas çlirimit, këtë e dinte vetëm regjimi i Tiranës në luftë me të gjithë, të brendshëm e të jashtëm.

Çudia është se as sot nuk trajtohet me rigorozitet ajo kundrarrjedhë historike, por vazhdon të përligjet si kinse strategji për të shtrirë kudo “autoritetin e shtetit”(!) Qeveria e sapokrijuar, që Partinë Komuniste vazhdonte ta fshihte pas Frontit, mund të dënonte sipas konventave ndërkombëtare kriminelët e Luftës, por jo të zbatonte dënimin kolektiv për të gjithë kundërshtarët e pushtetit, me epiqendër Shqipërinë e Veriut, çka ndezi revoltën në popull dhe mbushi malet me të arratisur.

Për të kuptuar përplasjen fatale mes komunistëve dhe antikomunistëve mjafton të ndalesh në kryengritjen e Postribës të vitit 1946, apo në ngjarjen e dyfishtë të gushtit 1949 në Mirditë, ku si ndëshkim për vrasjen e drejtuesit politik të rrethit u ekzekutuan 14 burra dhe u internun dhjetëra familje në Tepelenë. Shtrohet pyetja si është e mundur që çlirimtarët u sollën ashtu me popullin? Pse ata nuk u treguan të arsyeshëm e të hynin në bisedime me “Prekë Calët” e “Markagjonët”, që në malet e tyre ishin një institucion i mirëfilltë dokesor. Shkaku është ideologjik, klasor.

Komunistët ishin të frymëzuar nga internacionalja dhe sivëllezër të tyre të idealit ishin të gjithë ata që aspironin për “botën e re”, pavarësisht kombë- sisë (ruse, serbe, malazeze, kineze, kubaneze) e në radhë të parë jugosllavët e Miladin Popoviçit e Dushan Mugoshës, “arkitektët” e themelimit të Partisë Komuniste, por dhe të lëvizjes nacionalçlirimtare. Janë 9 vite luftë në male me “reaksionin” e “bandat e diversantëve” dhe në qytete me elitën e vendit, ku u ekzekutua si një bandë kriminale “Grupi i Deputetëve” në vitin 1946- 47, njerëz që kishin mbaruar universitetet europiane, si Selaudin Toto, Shefqet Beja, Sheh Ibrahim Karbunara, Riza Dani, Sulo Klosi etj.

Si është e mundur që në ’45-n u pushkatua shkrimtari Ndre Zadeja, në ’46-n gjuhëtari Nikollë Gazulli, në ’48-n ipeshkvi Frano Gjini, në ’51-shin ihtologia Sabiha Kasimati, apo të vdesë në burg shkrimtari veteran Vinçens Prenushi, shkencëtari me përmasa botërore Stanislav Zuber, t’u vihen prangat personaliteteve krijuese si: Ndoc Nikaj, Musine Kokalari, Petro Marko, Mitrush Kuteli etj.

Sigurisht që nuk mund të fajësohen për atë që ndodhi komunistët idealistë, që i korri dhe vetë ata kosa e konferencës së Partisë së Tiranës e 1956- s dhe vazhda e plenumeve të zeza e gjyqeve politike deri në ’89-n, kur, dhe pas rënies së Murit të Berlinit, do të vijonin vrasjet në kufi, përsëri në emër të vendosjes së “autoritetit të shtetit”. Është e nevojshme të nisë më në fund një analizë e periudhës së pasluftës, që historia të fillojë e të marrë frymë pa urrejtjen e askujt.

Nuk kishte kuptim të mos përfillej personaliteti i krerëve të malësive, burra të besës dhe të Kanunit, të cilët u ndëshkuan nga çlirimtarët, pse ata nuk kishin rrokur pushkën në të njëjtin formacion me ta. Kemi rastin e Abaz Kupit, Pashk Currit, Mark Doçit e të tjerë antifashistëve jokomunistë. që luftuan në vijën e parë kundër okupatorit. Vetëqeverisja kishte krijuar tipin e prijësit popullor, që pyetej jo vetëm në provincën e tij, po deri nga Fuqitë e Mëdha.

Po si ta besosh këtë përballë nofkës “bajraktar” me të cilën PP-ja i njollosi këta luftëtarë kombëtarë në fjalime politike, monografi, filma etj. Reaksionare ishte shpallur gjithçka që nuk ishte bolshevike dhe nuk është e rastit që lufta kundër shqiptarëve “reaksionarë” zgjati sa dy luftërat botërore të marra së bashku. Në qoftë se Prekë Cali do të ishte vrarë para se të “hynte Partia”, kishte për të qenë një atdhetar i kulluar. Mirëpo ai guxoi e i doli para Mehmet Shehut dhe ky ishte një “gabim” fatal i tij.

Ai mbase nuk e dinte se komandanti i Brigadës së Parë kishte masakruar 67 fshatarë të pafajshëm në Myzeqe. Prekë Cali kishte mundur të mbijetonte si “mbret” i Kelmendit, duke pasur Shqipëria mbret dhe i ndaluar ta ushtronte këtë atribut ende pa u vendosur pushteti i Enver Hoxhës. Nuk kishte arsye që krerët e maleve të mos ishin aleatë të një pushteti që do ta vlerësonte rezistencën historike të shqiptarëve ndaj pushtimeve “pa dallim krahine, feje dhe ideje”, përfshi dhe atë antifashiste, por jo duke e shtrirë ndëshkimin ideologjik mbi klerin katolik, fiset malësore, shtëpitë e para, krahinat etj.

Për herë të parë shqiptarët u ndanë sipas devizës së luftës së klasave në “patriotë” dhe “reaksionarë”, një ndarje thellësisht artificiale. Një varg pyetjesh do të meritonin përgjigje përmes analizës së asaj çfarë ndodhi pas Luftës. A mund të flitet për autoritet të shtetit kur goditja e grupeve armiqësore brenda kupolës së regjimit nis me Zef Malën e Grupeve Komuniste e vazhdon dhe pas dyzet vitesh me vetëvrasjen politike të ish-kryeministrit represiv?

A thua nuk është e rastit që rezistenca antikomuniste e pasluftës zgjati thuajse një dhjetëvjeçar? Vlerat antifashiste i mbrojnë të gjithë shqiptarët, edhe nacionalistët, që luftuan vetë kundër fashizmit, por që nacionalçlirimtarët ua mohuan këtë kontribut, duke mos i konsideruar dhe ata si çlirues.

Sa herë i qasemi kësaj teme, na vjen ndërmend një nacionalist i njohur, Ndue Zef Ndoci, i cili pas ‘90- s na thoshte në kullën e tij në Spaç se kishte luftuar me armë në dorë për çlirimin e Burrelit, njëlloj si partizanët, por që si shpërblim për antifashizmin e tij në ‘50-n ishte detyruar të arratisej me gjithë vëlla në Gjermani, kurse antifashistë të tjerë nacionalistë kishin mbushur burgjet e diktaturës. Shqiptarët vazhdojnë ta shohin historinë bardhezi. Nuk ka vullnet për të hedhur dritë, sidomos mbi periudhën e parë të pasluftës. Nuk mund të arrihet në përfundime shkencore, duke u fokusuar te ngjarjet kulmore rastësisht. Të mos ishte ajo puna e kullës së Prek Calit, nuk do të ishte kujtuar kush për figurën e tij.

Mund të ishte Akademia e Shkencave që ta udhëhiqte procesin studimor rivlerësues, por ajo është në krizë të thellë institucionale. Politika jo e jo. Tranzicioni ka treguar se qasjet kësodore partitë i përdorin për interesat e veta elektorale, duke i kthyer në debate shterpë. Atëherë kush? Universitetet, institucionet e pavarura akademike? Ndoshta.

Burimi: Panorama

 

Etiketa: ndue dedaj


Ju sugjerojmë

Aksident në Orikum, humb jetën një person
Kronikë

Sherr për vend parkimi në Ksamil, disa të plagosur

6 Qershor, 2025 11:40 pm
Rusia mund t’i ofrojë Elon Musk azil politik pas përplasjeve me Trump
Bota

Rusia mund t’i ofrojë Elon Musk azil politik pas përplasjeve me Trump

6 Qershor, 2025 10:41 pm
Izraeli nuk ndal sulmet as në ditën e Kurban Bajramit, 38 të vrarë në Gaza
Bota

Izraeli nuk ndal sulmet as në ditën e Kurban Bajramit, 38 të vrarë në Gaza

6 Qershor, 2025 10:11 pm
Punonjësja e gjendjes civile i merr të moshuarit 1 milionë e 600 mijë lekë
Aktualitet

Punonjësja e gjendjes civile i merr të moshuarit 1 milionë e 600 mijë lekë

6 Qershor, 2025 10:05 pm
DASH: Ballkani, pjesë e strategjisë amerikane për dëbimin e migrantëve
Bota

DASH: Ballkani, pjesë e strategjisë amerikane për dëbimin e migrantëve

6 Qershor, 2025 9:42 pm
Mjeku norvegjez dënohet për përdhunimin e pacienteve
Bota

Mjeku norvegjez dënohet për përdhunimin e pacienteve

6 Qershor, 2025 9:18 pm
Trump tha se u çmend, Musk: Pa mua do t’i kishe humbur zgjedhjet
Bota

Cili është projektligji i shpenzimeve që qëndron në qendër të përplasjes Trump-Musk?

6 Qershor, 2025 8:51 pm
Sa rrezikon Musk nga përplasja me njeriun më të fuqishëm të botës
Bota

Sa rrezikon Musk nga përplasja me njeriun më të fuqishëm të botës

6 Qershor, 2025 8:38 pm
Flukset turistike, Shqipëria kryeson rritjen në Europë
Bota

Flukset turistike, Shqipëria kryeson rritjen në Europë

6 Qershor, 2025 8:32 pm
Spanja çmonton organizatën më të madhe të kokainës, 48 të arrestuar
Bota

Spanja çmonton organizatën më të madhe të kokainës, 48 të arrestuar

6 Qershor, 2025 8:06 pm
Para
Mustafaj e akuzoi se po e çon PD-në në humnerë, Gjana: Kush është ky Besniku?

Mustafaj e akuzoi se po e çon PD-në në humnerë, Gjana: Kush është ky Besniku?

Gjinekologia që “bën edhe priftin me barrë”

Gjinekologia që “bën edhe priftin me barrë”

Skenarët e një lufte Kore e Veriut- Amerikë

Skenarët e një lufte Kore e Veriut- Amerikë
















TE FUNDIT

Sherr për vend parkimi në Ksamil, disa të plagosur

Aksident në Orikum, humb jetën një person
6 Qershor, 2025

Një debat për një vend parkimi ka përfunduar në sherr mbrëmjen e kësaj të premteje në Ksamil. Ngjarja ka ndodhur...

Lexo më shumë

Rusia mund t’i ofrojë Elon Musk azil politik pas përplasjeve me Trump

Rusia mund t’i ofrojë Elon Musk azil politik pas përplasjeve me Trump
6 Qershor, 2025

Rusia mund t’i ofrojë azil politik miliarderit Elon Musk, pas përplasjes së tij me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump....

Lexo më shumë

Izraeli nuk ndal sulmet as në ditën e Kurban Bajramit, 38 të vrarë në Gaza

Izraeli nuk ndal sulmet as në ditën e Kurban Bajramit, 38 të vrarë në Gaza
6 Qershor, 2025

Të paktën 38 persona u vranë nga sulmet ose të shtënat me armë zjarri izraelite në Rripin e Gazës. Mbrojtja...

Lexo më shumë

Punonjësja e gjendjes civile i merr të moshuarit 1 milionë e 600 mijë lekë

Punonjësja e gjendjes civile i merr të moshuarit 1 milionë e 600 mijë lekë
6 Qershor, 2025

Denoncimi i radhës në emisionin  “Stop” në Tv Klan vjen nga një denoncues  80-vjeçar  në qytetin e Korçës i cili...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com