DIMAL BASHA
Nëse frika është faktor në këtë të ashtuquajtur problem, atëherë pyetja më e mire që do duhej të shtronit është “cili kamp paraqet më shumë rrëzik?” 1) Kampi i banditëve të devotshëm që për zgjidhje e kanë dhunën dhe diskriminimin në emër të dogmave dhe kërkojnë të marr rolin e Zotit në tokë? Apo 2) kampi i homoseksualëve, zgjedhja e të cilëve nuk ka asnjë ndikim në jetën e askujt
I.
Kjo është pjesa e dytë e dhe e fundit e trajtimit të kësaj çështjeje. Nëse dikush mendon se trajtimi i kësaj teme është ofenduese dhe besoni se duhet në një formë apo tjetër të ndalohet, unë ju garantoj se qëndrimet zyrtare të të gjitha dogmave janë shumë më ofenduese. Më tej, nëse nesër besoni në ndalimin e një shkrimi që mbron të drejtat e një grupi si homoseksualët, unë po ju kujtoj se ky standard duhet të aplikohet për të gjithë njejtë dhe që rrjedhimisht kishte për të nënkuptuar ndalimin e botimit të këtij shkrimi, por njëkohësisht ju garantoj edhe mbylljen e të gjitha shtëpive të kultit. Pra, prapë mbeteni humbës. Mirëpo, ndryshe nga bindjet tuaja, kjo është bukuria e demokracisë që mbron lirinë e shprehjes, vendi ku lejohen mendimet ndryshe, edhe atëherë kur nuk ju pëlqejnë ato. Dhe krejt këtë e ka përmbledhur më së bukuri George Orwell, i cili ka thënë se “minimumi çka nënkuptojmë me liri është e drejta për të thënë atë çka njerëzit nuk dëshirojnë të dëgjojnë.” Prandaj, ju lus të më lexoni deri në fund.
Prapë po e filloj duke shtuar se nuk ju zë shumë borxh për neveritjen që shkakton kjo temë duke marrë parasysh se edhe une dikur kam pasur qëndrime injorante rreth homoseksualëve. Megjithatë, besoj se kjo pjesë do të zgjojë më shumë kritika për shkak si target audience janë kampi religjioz për disa arsye. E para, ky kamp, që përfshin skriptet e të gjitha religjioneve monoteiste, vazhdon të besojë se homoseksualiteti është mëkat dhe mund të jetë shkaktar për fundin e botës. E dyta, ky kamp e beson se dënimi kundër homoseksualëve duhet të jetë dënimi me vdekje. Dhe e fundit, por edhe kryesorja, është se këto bindje propagandohet çdo ditë dhe rrejdhimisht besoj se ky kamp është përgjegësi kryesor për përhapjen e homofobisë dhe njëkohësisht konduiti kyç që përçon urrejtje ndaj homoseksualëve. Ky kamp ka krijuar gjenerata njerëzish që sot ngriten sikur kafshë të tërbuara duke kërcënuar jetën e tjerëve për shkak të preferencave seksuale të homoseksualëve.
Te faktori i parë do të ndalem vetëm shkurt dhe dua të përsëris bindjen time se dashuria mes homoseksualëve është formë dashurie e jo formë sëmundje, dhe gjithashtu dua të shtoj se homoseksualiteti nuk është sjellë nga perëndimorët, por siç vazhdon thënia e famshme, ata kanë qenë në mesin tuaj.
Faktori i dytë flet për bindje dogmatike që nëse përkthehen në praktikë ato përçojnë dhunë, dicka që duhet t’ju bëjë falenderues që Kosova e Shqipëria kanë përzgjedhur demokracinë e jo teokracinë si sistem të të jetuarit. Ka shumë prej kryesuesve fetarë që do kishin dëshirë të instalojnë një sistem fetar, ku nuk do të kishte munguar ngjarje spektakulare të epokës së gurit ku homoseksualët do të vareshin në qendër të qytetit.
Ky problem nuk ndëgjohet vetëm nga kampi religjioz, sepse ka edhe sekularë që mbajnë dhe shprehin bindje po aq banale, mirëpo ka rëndësi të ceket që këto bindje janë si pasojë propagandës fetare që me shekuj ka pasur monopolin e të menduarit rreth temës në fjalë dhe që eventualisht ka arritur të përforcoj bindje që nuk janë asgjë më shumë se stereotipe të trashëguara. Për shembull, e keni Ekrem Spahiun, ish zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Shqipërise, i cili deklaronte se homoseksualët duhet drejtuar me shkopinj gome. Keni gjithashtu Murat Bashën, nënkryetarin e Partia Lëvizja e Legalitetit, i cili shprehet publikisht nëpër emisione duke thënë se nëse fëmija i tij do të deklarohej se është homoseksual, ai “do ta vriste me dorën e vet”. Pra kemi edhe injorantë që e kanë gojën plot demokraci, derisa njëkohësisht deklarohen haptas se nuk hezitojnë të shëndrrohen në vrasës dhe kriminelë ordinerë nëse një individ shprehet të dashurojë dikë që nuk u pëlqen atyre.
Pra dallimi i tyre me linjën e kampit religjion nuk dallon shumë. Mirëpo, siç e thashë më lartë, kjo urrejtje vjen si pasojë e linjës fetare. Mendoni për shembull banalitetin që vjen nga institucionet fetare si ai i Bashkësisë Islame të Kosovës. Sot ky institucion ende publikon dokumente të ashtuquajtura “shkencore”, ku legjitimizohet vrasja e homoseksualëve dhe të gjithë atyre që braktisin bindjet e tyre. J anjë krahasim tjetër. Ndaluni dhe pyeteni veten se cili është dallimi i qëndrimeve të Bashkësisë Islame dhe ISIS në këtë çështje? Ndoshta dallojnë për nga mënyra e ekzekutimit të homoseksualëve, por që të dy palët dëshirojnë dhe ndajnë të njëjtën bindje. Pra, këtu kemi institucionet fetare bashkë me disa kriminelë të heshtur “sekularë” si soji i Murat Bashës që janë me një mendje dhe ndajnë të njëjtin qëllim sikur organizata terroriste ISIS.
Shoqëria shqiptare në të dy anët e kufirit mbetet shumë religjioze dhe studimet tregojnë se ka një korrelacion të ngushtë mes këtyre fenomeneve. Paralelja e këtij korrelacioni tregon se sa më religjioz një shoqëri, aq më e lartë është homofobia. Shkurt, sikur për shumë të tjerë, edhe për mua influenca kryesore për urrejtjen dhe injorancën rreth homoseksualëve kanë ardhur si pasojë e argumenteve banale fetare që kanë notuar pa kundërshti me shekuj në ato troje.
E dini pse i quaj qëndrime banale? Sepse janë në kundërshtim me civilizimin, progresin, vetëdijen dhe këto bindje reflektojnë injorancë, përçarje, mungesë zhvillimi, vetëvrasje intelektuale, dhe urrejtje patologjike në secilën shoqëri. T’ju kujtoj një banalitet tjetër që na është servuar nga i njejti kamp, por që ndoshta e keni harruar. E kujtoni argumentin kur na thonin se arsyeja pse muslimanët nuk e hajnë mishin e derrit është sepse feja na mëson se kjo kafshë ka një virus brenda saj? Me siguri vazhdoni ta besoni! Është zgjidhje e juaj, mirëpo perëndimi nëse pajtoni të aplikoni të menduarit kritikë në të njejtin nivel sikur kur bleni një makinë në treg, do të ishte shumë e vështirë të që të pajtoni me veten. Unë e di se tanimë është shëndrruar në një ves mosngrënja e mishit të derrit tek familjet muslimane shqiptare dhe vazhdon të mbretërojë si i tillë te një shumicë e madhe dhe, kjo ka pak rëndësi, por çka dua të ju kujtoj që është me rëndësi se kanë qenë bindjet fetare që kanë shkaktuar një traditë që vazhdon edhe sot edhe pse perëndimi sot është alfa dhe omega e njohurive të shkencës medicinale. Prandaj ky është vetëm një shembull tjetër që do duhej të shërbej si kujtim se sa banale kanë qenë dhe mbeten këto bindje të trashëguara.
Pse kampi fetarë duhet t’i pranojë homoseksualët
II.
Për të qenë të sinçertë, duhet të pajtohemi se do të ishte shumë naive të presim se dogmat të ndryshojnë qasje rreth temës. Sidoçoftë, me gjithë urrejtjen, mendoj se është koha ku prijësit fetarë të gjejnë hapësirë për interpretime ku kishin me kërkuar nga besimtarët që të rrespektojnë të drejtat e homoseksualëve për dy arsye. E para, për shkak se propaganda urrejtëse ndaj homoseksualëve vetëm dobëson argumentin e tyre për plotëfuqinë e një Zoti perfekt. Për shembull, besimtarët besojnë në një zot të plotëfuqishëm dhe rrjedhimisht ata e dijnë se Zoti hakmirret vet nëse e sheh të nevojshme, përndryshe, çfardo intervenimi i njeriut për të mbrojtë Zotin vetëm çka i humb validitetin e plotëfuqisë së Tij/Saj, dicka që besimtarët nuk besoj e dëshirojnë.
Të ju tregoj një rrëfim tjetër të bukur që lidhet me atë që thash më lartë. Rrëfimi është pjesë e një dokumentari fantastik i ralizuar nga Genea Gaudet për të përditshmen New York Times. Ky rrëfim është pjesë e shkurtë e një ngjarje të vërtetë e viteve të 70-ta për dashurinë mes dy homoseksualëve, njëri amerikan e tjetri italian. Amerikani si i ri kishte shkuar në udhëtim misionarë në Itali për të përhapë Mormonizmin, një sekt i krishterë me qendër në SHBA. Edhe pse ishte një i krishterë i devotshëm, dhe i edukuar nga e ëma qysh në fëmijëri se homoseksualët i takonin kategorive më të ultë të njerëzve, ai megjithatë ishte I lindru i tillë dhe rrjedhimisht nuk arriti t’i rezistoj dashurisë ndaj italianit dhe filloi lidhjen e tij. Me gjithë konfliktin në mes të besimit të tij të krishterë dhe dashurisë që ndjente për italianin, ai zgjodhi lidhjen e tij. Një natë para se të vendos të hy në lidhje intime me të dashurin italian, ndalon tek hyrja banjos dhe fillon ti përçoj komunikimin e tij drejt zotit duke kërkuar të sqaroj kontradiktën që po e jetonte.
“Zot,” fillon biseda e misionerit amerikanë, “ jam lodhur duke luftuar dhe jam lodhur duke u lutur që të më largosh nga kjo. Tu kam lutur me mijëra herë të mi largosh këto ndjenja mirëpo ti ke refuzuar, dhe nuk po i largon. Meqë është kështu, tani unë do të bëj punën time dhe ti bëje punën tënde. Nëse do të më dënosh, vazhdo dhe më dëno.”
Pra ky rrëfim tregon që ka homoseksual që vijnë nga i njejti kamp dhe që janë besimtarë sikur shumë tjerë, prandaj kishte me qenë e rrugës që linja zyrtare të lejojë që Zoti të mirret me ta. Ata nuk janë degjenerim, përkundrazi, në mesin e tyre ka ministra, shkenctarë, doktorrë, intelektualë, politikanë e shkrimtarë dhe vazhdojnë të kontribojnë për një botë dhe njerëzim më të mirë.
Arsyeja e dytë pse prijësit fetarë duhet të thërrasin për të mbrojtur dhe rrespektuar të drejtat e homoseksualëve është vet fakti që të shpëtojnë religjionin dhe të mos humbin besimtarët nesër. Kjo nënkupton zhvillimin e dy fazave. E para, zhvillimi i një shoqërie rezulton në ngritje të tolerancës dhe rrespektit ndaj këtij grupi. Faza e dytë është kur rinia rritet në një frymë tolerante ku ata njohin mirë homoseksualët dhe i kanë në rrethin e tyre të miqve të ngushtë dhe rrjedhimisht rinia i kthen shpinën religjionin për të mbështetur lirinë e zgjedhjes personale. Këtë nuk e them unë, këtë e dëshmojnë studimet. Për shembull, sondazhet e fundit në SHBA tregojnë se arsyeja kryesore për braktisjen e religjioit tek të rinjtë amerikanë është ofendimi i homoseksualëve që ata e hasin tek religjionet.
Shkurt, gjeneratat e reja do të rriten me miq, familjarë dhe shumë njerëz që i njohin për së afërmi dhe i pranojnë dhe rrespektojnë preferencat seksuale, mirëpo kur shkojnë në shtëpitë e kultit hasin në predikime urrejtëse duke i cilësuar homoskesualët si njerëz mëkatarë dhe të sëmurë. Rrjedhimisht, studimet tregojnë se rinia zgjedh rrespektimin e homoseksualëve dhe i kthen shpinën religjionit dhe mu për këtë arsye kisha vetëm ka filluar disa reforma me Papën, i cili së fundmi u deklarua haptas se ai nuk i takon atij të gjykoj preferencat a tyre duke i lënë këtë detyre vetëm Zotit që ai e beson. Prandaj, mendoj se i njejti trend do t’i ndjek edhe xhamitë nëse nuk ndërrojnë kurs dhe mendoj se është edhe në interes të tyre të bëjnë reforma sa nuk është bërë vonë.
Më tej, unë besoj se ky debat duhet të zgjerohet tek bankat shkollore sepse ndihmon për të ngritur vetëdijen tek qytetarët dhe për të evituar grupe të dhunshme që kërcënojnë liritë dhe drejtat e tjetrit. Ky shqetësim rrjedh per dy arsye. E para, predikimi i dhunës ndaj homoseksualëve që vie nga institucionet fetare si BIK-u që mban monopol mbi qështjen dhe prandaj trajtimi i kësaj teme në shkolla do të ofronte një pikëpamje ndryshe nga ajo homofobike që ofron BIK-u. E dyta, të gjithë kujtojmë se në një kohë jo shumë e largët kur disa besimtarë të devotshëm, së bashku me një bandë plisash, kishin dal në kryeqendrën e republikës demokratike dhe uluronin sikur ujqit natën duke thirrur që homoseksualët të ikin jashtë Kosovës dhe prandaj arsimimi i fëmijëve do të preventonte injorantë të tillë.
Për të përmbledhur këtë temë, mendoj se është shumë më e thjeshtë se sa duket në shikim të parë. Nëse frika është faktor në këtë të ashtuquajtur problem, atëherë pyetja më e mire që do duhej të shtronit është “cili kamp paraqet më shumë rrëzik?” 1) Kampi i banditëve të devotshëm që për zgjidhje e kanë dhunën dhe diskriminimin në emër të dogmave dhe kërkojnë të marr rolin e Zotit në tokë? Apo 2) kampi i homoseksualëve, zgjedhja e të cilëve nuk ka asnjë ndikim në jetën e askujt. Unë mendoj se banditët e devotshëm janë shumë më të rrëzikshëm, sepse dhuna është antiligjore, jodemokratike, që rrezikon të thellojë intolerancën dhe injorancën, që cilësohen si dy armiqtë më të rrëzikshëm në secilën shoqëri.
Prandaj, krejt në fund, homoseksualët munden me qenë vëllau, motra, miku apo mikesha juaj. Ata janë njerëz sikur unë e ti dhe nuk paraqesin rrëzik për shoqërinë tuaj sepse rrëziku më i madh vazhdojnë me qenë injoranca, hajnia, korrupcioni, dhe politikanët e jo homoseksualët. Ju nuk keni nevojë të pajtoheni me preferencat a tyre seksuale, por e keni me detyrë tolerance dhe respektin ndaj zgjidhjes që ata bëjnë, diçka që nuk respektohet nga institucionet fetare, të cilat vazhdojnë të përhapin propagandë ku legjitimizojnë dhunë dhe urrejtje ndaj homoseksualëve. Unë besoj se nëse kampi religjioz vazhdon me këtë linjë ata do të humbin edhe besimtarët e tyre sepse është e pamundur të mbrohet kjo linjë primitive duke marrë parasysh se gjeneratat e reja janë pjesë evolutive e shoqërise. Zoti mund te ketë thuhet se ka shkatrruar popuj të tërë nga mëria për preferencat e tyre seksuale, por mos të harrojmë se zhvillimi i civilizimit tek bota demokratike ka arritur ti shpëtoj ata. Dhe ashtu duhet të jetë nëse kërkojmë të jemi pjesë e atij civilizimi sepse respektimi i drejtave të homoseksualëve nuk është degradim, përkundrazi, është përmirësim i standardeve morale.
*Marrë nga Express; titulli: redaksional