Deklaratat nga qeveria se opozita po përpiqet të bllokojë drejtësinë me vendimin për të djegur mandatet duket se nuk qëndron. Edhe këtë të martë, numri dy i Partisë Socialiste Taulant Balla tha se opozita kërkon të bllokojë SPAK dhe BKH.
“Shqiptarët në 2017 na dhanë një mandat për të çuar përpara Drejtësinë e Re. Bojkoti i radhës i PD dhe LSI i maskuar si djegie mandatesh është përpjekja e radhës për të bllokuar SPAK dhe BKH. Të enjten ne votojmë në seancë plenare strukturat e KLGJ dhe KLP. Ja pse PD dhe LSI po agravohen dhe po sulmojnë institucionet”, deklaroi Balla.
Por sa qëndron ky argument? Deri tani është formuar Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Ngritja e KLGJ-së zhbllokoi ngërçin e krijuar me emërimet dhe transferimet në gjykata, si dhe i hap rrugën plotësimit të vendeve bosh në Gjykatën e Lartë. Po ashtu KLGJ ndër detyrat e para do të ketë dhe ngritjen e Gjykatës Speciale Antikorrupsion e cila do të shqyrtojë rastet e hetuara nga Prokuroria speciale e njohur ndryshe dhe si SPAK-u. Problemi për formimin e SPAK nuk është aspak politik. Në 6 shkurt, Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi shtyrjen dhe më dy javë të afatit të aplikimeve për anëtarë të Prokurorisë Speciale Antikorrupsion.
SPAK do të ketë 15 anëtarë dhe problemi kryesor është se nuk ka aplikime nga prokurorët. Këshilli i Lartë i Prokurorisë e motivoi shtyrjen me faktin që “numri i kandidatëve të cilët kanë aplikuar nuk është ende i tillë që të mundësojë konkurrencën dhe përzgjedhjen e më të mirëve”. Dhe nëse do të ketë aplikime, më pas emrat do të votohen nga KLGJ që është e formuar.
Përveç nënshtrimit ndaj procesit të rivlerësimit, anëtarët e Prokurorisë speciale do të duhet të plotësojnë dhe një sërë kriteresh të tjera të rrepta, përfshirë detyrimin që të gjitha komunikimet telefonike dhe elektronike, apo dhe llogaritë bankare të tyre dhe familjarëve të ngushtë, të mund të jenë nën kontroll të vazhdueshëm. /G.F Opinion.al