Ka përfunduar procesi i numërimit edhe në Bashkinë Bulqizë.
Kandidatja e Partisë Socialiste, Festime Mjeshtri, ka fituar garën në Bashkinë e Bulqizës.
Belinda Balluku, drejtuesja politike e PS për Qarkun Dibër, ka thënë se Mjeshtri fitoi me mbi 60% të votave.
“Sapo u përmbyll numërimi këtu në Bulqizë në një proces model ku funksionoi gjithçka siç duhej ndaj dhe e mbyllëm kaq shpejt. Ishte numërimi i 49 kutive, ku Festime Mjeshtri kandidatja e PS ka fituar me 60.1% bindshëm dhe për të thënë të drejtën unë ndihem shumë krenare pasi kjo ka qenë një nga bashkitë më sfiduese të qarkut të Dibrës edhe për shkak se duhej të kandidonte një femër në këtë rast edhe për shkak se fushata u nis pak vonë.
Megjithatë, këtu ka ndodhur një fenomen të cilin unë e përmend gjithmonë, këtu nuk flitet për një mbështetje nga simpatizantët e PS, por këtu kemi të bërë bashkë të gjithë qytetarët që besojnë që Festa është alternativa më e mirë që PS është zgjidhja për Bulqizën. Dhe unë jam e sigurt që Festa do të ndiejë përgjegjësinë për t’ju përgjigjur qytetarëve ashtu siç duhet si një drejtuese e vërtetë me vizion por edhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare”, tha ndër të tjera Belinda Balluku.