Partia Socialiste nuk e ka bërë ende zyrtar vendimin e saj se kush do ta përfaqësojë në zgjedhjet e Dibrës, por vendimi është marrë.
Ai është Dionis Ymeraj, përfaqësues i Partisë Socialiste, aktualisht me detyrë Drejtor i Tatimeve në Bashkinë e Peshkopisë, raporton Top Channel.
Zoti Ymeraj nuk është një figurë kombëtare, por ai njihet si një njeri me reputacion në zonën e Dibres.
Dionis Ymeraj do të ketë një garë të vështirë për disa arsye.
Së pari, ai do të kandidojë në një bashki me imazh të cënuar për shkak të ish-kryetarit Shukri Xhelili.
Së dyti, ka përballë nga opozita një kandidat me reputacion në shkallë kombëtare si ish-pjesëtar i kabineteve qeverisëse dhe një nga zërat më seriozë të kampit demokrat në fushën e financave, Sherefedin Shehun.
Së treti, ka një mungesë entuziazmi nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Pak ditë më parë, Ilir Meta tha se zgjedhja e kandidatit të Dibrës ishte një çështje lokale dhe vendimi do të merrej në nivel lokal. Në nivel lokal dy partitë nuk kanë marrëdhënie të mira, për shkak se në nivel lokal ka një përplasje lokale mes njerëzve me influencë të deputetëve lokale Ulsi Manja dhe Përparim Spahiu.