Të martën e javës që vjen do të zhvillohet festa e 25 vjetorit të PS-së. Sot pas seancës plenare u shpërndanë edhe ftesat për të ftuarit. Vonesa, thanë deputetët e PS ndodhi për shkak të kampionatit europian.
Ftesa mban firmën e Edi Ramës së bashku me një mesazh të tij. “25 vjet prej themelimit të Partisë Socialiste, e bëjnë festën e ditëlindjes së këtij viti një moment të posaçëm ritakimi mes brezash, për të kremtuar së bashku arritjet dhe sfidat e familjes sonë të madhe politike. Me dëshirën që të ndajmë këtë moment të gëzuar së bashku, shpresoj të takohemi në ambientet e shtëpisë sonë në Tiranë. Vëllazërisht Edi Rama” – thuhet në ftesën që i është shpërndarë të gjithë deputetëve të PS-së, atyre të LSI-së e PDIU-së, krerëve të partive parlamentare dhe partive aleate.
Edhe gjithë ish-presidentëve, ish-deputetëve, ish-kryetarëve ku përfshihet dhe Fatos Nano dhe të gjithë funksionarëve pa përjashtim ndër vite që kanë qenë pjesë e PS, u është dërguar ftesa.
Festa zhvillohet në ambientet e një lokali ngjitur me PS-në, të martën në orën 19:00.