Shumë qytetarë kanë protestuar në rrugë në shumë shtete të SHBA-së, duke kërkuar nga autoritetet të rihapin ekonomitë e mbyllura nga pandemia e koronavirusit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka sinjalizuar mbështetjen për protestat. Ai ka thënë se masat e ndalimit në vende si në Minesota, Miçigan dhe Virgjinia ishin “shumë të ashpra”.
Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, Nancy Pelosi, kritikoi zotin Trump për miratimin e protestave.
“Ai nuk ka bërë sa duhet për testimin, trajtimin, gjurmimin e kontaktit dhe izolimin për shkak të pandemisë”, tha ajo për ABC.
Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo, njoftoi këtë javë se shteti do të zgjasë masat e qëndrimit në shtëpi deri më 15 maj.
“Ende duhet të sigurohemi që e mbajmë atë bishë nën kontroll”, tha Cuomo.
SHBA-ja është bërë qendra e krizës së koronavirusit të ri Covid-19, me mbi 735,000 raste të të infektuarve dhe rreth 40,000 vdekje.
Koronavirusi i ri u shfaq për herë të parë në Kinë në fund të vitit të kaluar dhe më pas u shpërnda në pothuajse gjitha vendet e botës.
Guvernatorët në disa shtete kanë filluar diskutimet për të planifikuar rihapjen pas shenjave të ngadalësimit të përhapjes së virusit, por rajone të tjera mbeten në izolim të rreptë.