Presidenti i Bolivisë, Evo Morales është shprehur se do të japë dorëheqjen për të ndalur dhunën që ka përfshirë Amerikën e Jugut.
Morales, i cili ka qenë në pushtet për gati 14 vjet, është shprehur se do të dorëzojë letrën e dorëheqjes me synim të kthimit të stabilitetit.
“Unë po jap dorëheqjen duke dërguar letrën e largimit në Asamblenë Legjislative”, –ka thënë Morales, duke shtuar se është “obligimi i tij si president i të gjithë qytetarëve të Bolivisë që të arrihet paqja”.
Megjithatë ai ka rritur tensionet kur përmes një postimi në rrjetin social, Twitter ka thënë se policia ka nisur një kërkesë “të paligjshme” për ta arrestuar dhe se “grupe të dhunshme” kanë sulmuar shtëpinë e tij.
Më vonë komandanti i forcave policore të Bolivisë, ka thënë në një intervistë televizive se nuk ka kërkesë për arrestimin e Moralesit.
Largimi i tij, një ikonë e së majtës ka ‘shokuar rajonin’, në kohën kur liderët e së majtës janë kthyer në pushtet në Meksikë dhe Argjentinë.
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro dhe ai i Argjentinës, Alberto Fernandez, i kanë konsideruar ngjarjet në Bolivi si “grusht-shteti”.
Ministri i Jashtëm meksikan, Marcelo Ebrard, ka thënë se shteti i tij do t’i ofrojë Moralesit azil nëse ka nevojë./Opinion.al/