Mjeku dhe kandidati në primaret e PD për të garuar për Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti, ka qenë i pranishëm në protestën e sotme, ku ka mbajtur edhe fjalën e tij.
Alimehmeti zgjodhi të flasë në protestë me gjuhën e mjekut ndërsa e krahasoi korrupsionin me kancerin ndërsa për shpopullimin është shprehur se është kthyer në një hemorragji.
“Jemi vënë përballë një kanceri korrupsioni. Ka shkuar edhe ky tashmë edhe ndërkombëtar në nivele të frikshme. Jemi përballë një hemorragjie nga shpopullimi. Jemi vënë përballë një humbje, një pagjumësie nga sistemi i gjyqësisë. Sistemi i gjyqësisë është shurdh ndaj gjithë këtyre sëmundjeve. Ne kemi dy mundësi miqtë e mi. Kemi mundësi të qëndrojmë të përballemi, mbështetur mbi rrënjët tona të forta, të shëndosha, krenare. Apo kemi mundësinë të largohemi si gjethet e shpërndara nga stuhia. Mirëpo, jo. Ne kemi vendosur të qëndrojmë. Të përballemi dhe të mos largohemi, por të largojmë ata që janë shkaktarët e të gjithë këtyre sëmundjeve. Kemi vendosur ta marrim fatin tonë në dorë vetë. Kemi vendosur ta marrim fatin e Shqipërisë në dorë vetë. Do i luftojmë këto viruse në çdo zyrë, në çdo institucion, në çdo rrugë, në çdo shesh, kudo ku të jenë, sepse ata nuk ikin vetë. Ikin vetëm po t’i heqim ne. Ne jemi sistemi imunitar i Shqipërisë. Ne mund ta bëjmë këtë!”-tha Alimehmeti.