Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit publik dhe mbarëvajtjen e tubimit që do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 12:00 nga Lëvizja Shqipëria Bëhet. Sipas njoftimit të policisë do të ketë kufizime të lëvizjes nga ora 11:00 deri në përfundim të tubimit. “Do të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin nga Ura e Dajtit deri te kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali””, njofton policia.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Policia e Tiranës apelon qytetarët të shmangin lëvizjen me automjete në akset që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, me qëllim shmangien e pengesave në qarkullim dhe garantimin e lëvizjes së lirë të pjesëmarrësve në tubim.

















